Aliu: Sjellja ndaj shqiptarëve të Luginës e bën Prishtinën kriminale!

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosjes, Liburn Aliu tha sot se shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, prej vitesh u lanë të shpresonin.
“Nga ana tjetër pikërisht këto ditë tërë fushata mediale në të cilën bëhet fjalë për shqiptarët nën serbi, gjëja më themelore e problemit po injorohet. Po injorohet fakti që Thaçi do të shkojë me datë 17 Janar, në Bruksel, për të negociuar veriun dhe atë, pa qenë as temë e as kusht të drejtat e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë”, tha Aliu në një konferencë për media.
Sipas tij, prej vitesh Prishtina i heshti ata në emër të veriut të Kosovës, prej vitesh Prishtina i la ata të shpresonin se nëse do të hapej çështja e veriut do të ishte momenti për ta.
“Dhe shpresa e tillë i bëri ata të jenë të qetë edhe përkundër dhunës që u ushtrua mbi ta. Çdo “raund” i negociatave për ta ishte shpresë se mos Prishtina do ngrinte zërin për ta dhe “raundet” shkonin e vinin e gjendja atje nuk ndryshonte. Të pandryshueshme mbetën shtrëngimet e duarve në negociata, dhe njëkohësisht e pandryshueshme mbetej dhuna mbi popullsinë shqiptare atje. Ndryshonte vetëm struktura e popullsisë. Çdo herë shqiptarë më pak”, ka thënë Aliu.
Ndër tjerash Aliu ka thënë se ndonëse në tryeza bisedimesh, nuk ishin fare të drejtat e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë ata liheshin përherë të shpresonin sepse negociatave u duhej qetësia.
“Edhe kjo Prishtinën e bën kriminale. Negociatat përgjatë viteve i ndryshuan rrethanat në Kosovë në raport me qytetarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës. U krijuan komuna të reja mbi baza etnike të cilat tani bëhen kundërpeshë e shqiptarëve atje dhe kësisoj veriu u bë temë pa kushte. Dhe vazhdimi i këtij cikli në pafundësi çdo herë do të ndërtojë tema të reja pa kushte për serbët në Kosovë në ndërkohë që qytetarët shqiptarë atje mbesin të shtypur”.
“Gatishmëria për shkuarje në negociata për veriun pa vënë kushte dhe sidomos pa e kushtëzuar me reciprocitet me shqiptarët ne Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë është njëkohësisht koncesion ndaj Serbisë në veri dhe rrënim i të drejtave të shqiptarëve në Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës”, tha Aliu.
Kurse, nënkryetari i Vetëvendosjes, Shpend Ahmeti ka krahasuar dy momente domethënëse midis teksteve të rezolutës së Serbisë dhe dokumentit të Hashim Thaçit.
“Rezoluta serbe për Kosovën: paragrafi a. ‘Republika e Serbisë, në pajtim me të drejtën ndërkombëtare, Kushtetutën dhe vullnetin e popullit nuk e njeh dhe kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e shpallur njëanshmërisht të Kosovës’. Teksti i Thaçit: ‘Natyrisht, ne e kuptojmë që Serbia nuk do të mund ta njohë pavarësinë e Kosovën në fund të këtij procesi’”.
Me 21 Gusht 2012, Thaçi në selinë e OKB-së tha se Serbia sigurish do ta njohë Kosovën. Me 24 Nëntor 2012, Enver Hoxhaj deklaron për Sideutsche Zeitung se Serbia do ta njohë Kosovën. A ka ndryshuar diçka në Qeverinë e Kosovës? Si mundet ata të kuptojnë se Serbia nuk do të mund ta njohë?, pyet Ahmeti.
“Rezoluta serbe për Kosovën: paragrafi b. Qeveria serbe do të insistojë në mbrojtjen e të gjitha të drejtave të garantuara për serbët në Kosovë, e drejta e kthimit dhe të drejtave pronësore. Qeveria serbe është e detyruar që të vazhdojë hetimin e të gjitha rasteve të personave të zhdukur dhe të ndjek procedurat gjyqësore kundër të pandehurve të akuzuar për dhunën etnike kundër serbëve. Teksti i Thaçit: Asnjë fjalë të vetme për të pagjeturit shqiptar dhe kërkesat çfarëdo të Kosovës për restitucionin ekonomik që Serbia duhet të paguajë për dëmet e luftës që edhe sot na dëmtojnë perspektivën e zhvillimit ekonomik”, theksoi ai. (ORAinfo)