Ali Haziri e Nazim Rexhepi e meritojnë emërimin e tyre në një nga stadiumet e qytetit

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Edhe pse kanë kaluar plot 47 vite nga tragjedia e madhe e humbjes së dy futbollistëve të qytetit të Gjilanit, pikërisht në orën 00:15 me 7 shkurt të vitit 1975, ndërruan jetë në një ndeshje komunikacioni – Ali Haziri e Nazim Rexhepi në Pozhoran të Vitisë.

Sot, pas 47 vitesh, ky aksident është ende në memorien e shumë qytetarëve jo vetëm të Gjilanit por në tërë Kosovën.

Në përcjelljen e fundit të këtyre dy futbollistëve edhe pse temperaturat ishin polare, kishin marrë pjesë mbi 50 000 qytetarë të anembanë Kosovës, në shenjë të respektit të tyre e familjarëve.

Ish-KF C.Zvezda e Gjilanit, në shenjë të këtyre dy futbollistëve për 21 vite rresht kishte mbajtur turneun më të madh futbollistik në Kosovë “Ali Cici, Nazim”, ku kanë marrë pjesë shumë klube me renome.

Për befasi të shumë dashamirëve të futbollit dhe ndaj familjarëve të këtyre dy futbollistëve, vetëm një here pas luftës është mbajtur ky turnir prestigjioz më i madhi në vend, gjë që është për shumë kritik, si nga ana e dy klubeve FC Drita e SC Gjilani, por dhe nga Komuna e Gjilanit.

Aliu e Nazimi kanë qenë dy futbollist me talent të veçantë të futbollit, Aliu luante në sulm në anën e majtë, i cili sapo kishte mbushur 25 pranvera, ndërsa Nazimi ishte vetëm 22 vjeç me një perspektivë të madhe të futbollistit.

Komuna e Gjilanit dhe dy klubet më të mëdha në vend FC Drita e SC Gjilani përpos që i kanë anashkaluar dhe harruar këta dy futbollist të mëdhenj për futbollin gjilanas e familjarët e këtyre dy futbollistëve, është edhe një goditje e dytë e rend për ta. Komuna e Gjilanit sot ka në dispozicion tri stadiume të futbollit dhe të gjitha janë pa emra, që është një anashkalim total. Në botën moderne të futbollit edhe fushat e vogla dhe ato stërvitëse kanë emra të cilët i kanë pagëzuar duke i nderuar futbollistët e tyre.

Është një rast i mirë që Komuna e Gjilanit, së bashku me Departamentin e Sportit, në shenjë mirënjohje për këta dy kolos të futbollit, që njëri nga këto tri stadiume ta emërojnë “Ali Haziri e Nazim Rexhepi”.

Kjo, së pari do të ishte nder nga komuna duke dëshmuar se nuk i harron njerëzit e saj të cilët kanë kontribuar për sportin e qytetit, por do të ishte edhe nder për familjet Haziri e Rexhepi e shumë dashamirë të futbollit.

Mobi Casa

Legjenda e futbollit gjilanas, Ekrem Rukovci-Beqiri, i cili ka qenë së bashku me viktimat në veturë në natën tragjike të 7 shkurtit të vitit 1975, me shumë dhimbje ka theksuar.
“Ishin dy shokët e mi, ishim të rinjë, kishim një karrierë të madhe futbollistike, kishim ëndrrat tona rinore, ata ishin dy futbollist të jashtëzakonshëm por në veqanti ishin dy njerëz të mrekullueshëm. Emërimi i një stadiumi në qytetin e Gjilanit me emrin e këtyre futbollistëve do të ishte humane dhe nder për futbollin e Gjilanit dhe për futbolldashësit e saj, por gjithashtu do të ishte një nder i jashtëzakonshëm për dy familjet e respektuara Haziri e Rexhepi”.

Por, kush ishin dy futbollist kulminat të kohës Ali Haziri e Nazim Rexhepi ?

Aliu ishte 25 vjeçar, kishte filluar karrierën futbollistike shumë i ri si sulmues i majtë, ishte i dashur e i respektuar në shoqëri dhe njeri shumë humanitar, ishte zejtar me profesion.

Ali Haziri kishte oferta të luante në klube tjera futbollistike por ai dëshironte që kontributin e tij prej futbollisti ta jep në vendlindje, ai shpesh thoshte -“për mua paraja nuk është asgjë, për mua janë të vlefshëm bashkëlojtarët, shokët, qyteti e populli im”.

Nazim Rexhepi ishte 22 vjeçar, ishte një qendërsulmues i talentuar me perspektivë të madhe, ishte sprovuar në klubin e madhë të Ligës së parë të ish-Jugosllavisë OFK Beograd, dhe njiherit ishte absolvent i Fakultetit Ekonomik.

Nazim Rexhepi ishte i pandalshëm për portat kundërshtare, kishte shpejtësi dhe luante me kokë bukur. Nazimi në ato vite kishte ftesë që të mbronte ngjyrat e Përfaqësueses së Kosovës.

Familjarët e Aliut e Nazimit, Avdi Haziri e Ali Rexhepi, ata kanë mendimin e njëjtë duke theksuar se vëllezërit e tyre nuk e kanë merituar një anashkalim të tillë.
“Ne si familjar edhe pas 47 viteve ndjejmë dhimbje për ta, na mungojnë në çdo sekondë të jetës. Ata kontribuuan për të mirën e futbollit, por u anashkaluan tërësisht, kjo është për tu befasuar kur tani kemi shtetin tone, institucionet tona, klubet tona. Ne nuk i ndajmë në asnjë moment – ata u rritën së bashku, luajtën së bashku dhe vdiqën së bashku – atëherë një stadium i qytetit në Gjilan e meriton emrin e këtyre dy futbollistëve, të cilët ishin pionierët e futbollit shqiptarë”.

Në botën demokratike sportive, emrat siç janë: Aliu e Nazimi – e meritojnë pa asnjë diskutim një emërim të stadiumit, ndërsa anashkalimi i qeverive lokale të Komunës së Gjilanit, për këta dy doajen të futbollit është një neglizhencë e madhe që historia nuk e fal./sylejman ismajli/rajonipress/