Uji Dea

Albena Reshitaj takon strukturat e LDK-së në Zvicër, falënderon aktivistët për angazhimin në fushatën zgjedhore

/ 2 minuta lexim
FIDANISHTJA

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Albena Reshitaj, ka zhvilluar një vizitë në Zvicër, ku është takuar me drejtuesit dhe aktivistët e strukturave të partisë, në shenjë falënderimi për angazhimin dhe përkushtimin e treguar gjatë fushatës së fundit zgjedhore.

Takimi u mbajt në zyrat e Degës së Parë të LDK-së në Zvicër, ku Reshitaj u prit nga kryetari i degës, Ramadush Emini, së bashku me bashkëpunëtorët, anëtarët e kryesisë dhe aktivistët që, sipas saj, kanë dhënë kontribut të rëndësishëm në organizimin dhe zhvillimin e aktiviteteve politike në mërgatë.

Në këtë takim morën pjesë edhe Zeqir Gjukaj, kryetar i Degës së Dytë të LDK-së në Zvicër, Adem Delija, kryetar i Nëndegës së Dübendorf-it dhe anëtar i kryesisë së Degës së Parë, Agron Sokoli, kryetar i Nëndegës së Aaraut, Robert Ukaj, kandidati i LDK-së nga Zvicra për deputet në zgjedhjet e fundit, si dhe Arben Krasniqi, anëtar i kryesisë së Nëndegës së Oltenit.

Reshitaj theksoi se vizita kishte për qëllim të shprehë mirënjohjen e saj për degët dhe nëndegët e LDK-së në Zvicër, duke vlerësuar punën dhe mbështetjen që ato kanë dhënë gjatë procesit zgjedhor.

Mobi Casa

Ajo bëri të ditur se gjatë takimit është diskutuar edhe për sfidat me të cilat përballen strukturat e partisë në mërgatë, si dhe për mundësitë e bashkëpunimit dhe të fuqizimit të mëtejshëm të organizimit politik.

“Mërgata jonë ka qenë gjithmonë një forcë e rëndësishme për LDK-në. Besimi po rikthehet dita-ditës më shumë falë njerëzve që punojnë me përkushtim, vullnet dhe dashuri për vendin”, ka deklaruar Reshitaj.

Në fund, ajo falënderoi të gjithë aktivistët, anëtarët dhe bashkatdhetarët për mbështetjen e vazhdueshme, duke theksuar se angazhimi i tyre mbetet motivim për të vazhduar punën me përgjegjësi dhe përkushtim në shërbim të Kosovës dhe mërgatës./rajonipress/