Alban Qerimi nuk është arrestuar, vetëm është intervistuar nga policia

Gjilan – Është demantuar lajmi se është arrestuar drejtori i ATK-së në Gjilan Alban Qerimi. Avokati Sherif Sherifi ka sqaruar se Alban Qerimi vetëm ka dhënë një intervistë në stacionin policor në Gjilan, që lidhet me dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare të një inspektori tatimor.
Avokati Sherifi Sherifi, ka demantuar lajmin e dalë në media lidhur me arrestimin e Drejtorit të ATK-së në Gjilan.
Sherifi ka thënë se është e vërtetë se Alban Qerimi, ka dhënë një intervistë në Stacionin e Policisë në Gjilan, me një rast që dyshohet për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit nga një zyrtar – inspektor tatimor, mirëpo nuk është e vërtetë se z. Alban Qerimi, është arrestuar në flagrancë ashtu siç është përmendur në mediet qendrore.
Sipas tij klienti i tij, pas përfundimit të intervistës nga ana e policisë është liruar në shtëpi, ndërsa me urdhër të prokurorit të rastit, Inspektorit tatimor i është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orëve, por jo edhe ndaj Alban Qerimit.
Avokati Sherif Sherifi, ka shtuar se mediet e Prishtinës duhet ta korrigjojnë këtë gabim sepse është dezinformuar opinioni publik, në të kundërtën do të përballen me pasojat ligjore sepse kjo e dëmton autoritetin e tij profesional dhe qytetar./rajonipress/