Alban Hyseni: Po e shqyrtojmë mënyrën e veprimit ndaj zyrtarëve komunal të cilët janë me aktakuza të ngritura

Gjilan – Kryetari i Komunës së Gjilanit tha për rajonipress se përveçse Valon Shefkiut dhe Salih Kqikut që janë me aktakuza ditëve në vazhdim do të merret një vendim i njëjtë për të gjithë ata zyrtar që janë me aktakuzë të ngritur.
Valon Shefkiu dhe Salih Kqiku zyrtar të lartë komunal edhe pse me aktakuzë të ngritur vazhdojnë të jenë pjesë e administratës komunale në Gjilan raporton rajonipress.
Për këtë situatë të krijuar në qeverisjen komunale rajonipress ka pyetur Alban Hysenin për qëndrimin e tij ndaj kësaj pjese që po përballet me procese gjyqësore dhe me aktakuza të ngritura. “Jo vetëm ndaj Valon Shefkiut e Salih Kqikut, por ndaj të gjithë zyrtarëve komunal që janë me aktakuza do të merret një vendim i njëjtë për të gjithë. Jemi në fazën që po e shqyrtojmë mënyrën e veprimit ndaj zyrtarëve të cilët janë me aktakuzë” tha Hyseni për rajonipress.
Ndërkohë, Salih Kqiku është sistemuar në drejtorinë e arsimit kurse Valon Shefkiu vazhdon të figurojë si zyrtar komunal.
Valon Shefkiu dhe Salih Kqiku akuzohen nga Prokuroria e Gjilanit për keqpërdorim të detyrës zyrtare ose autoritetit zyrtar.
Aktakuza u është ngritur më 24.12.2020 nga prokurori Agron Uka dhe procesi gjyqësor ende është në procedurë e sipër./rajonipress/