UBT

Alarmojnë analistët: Çmenduria e Thaçit tenton të zbatojë skenarin e Rusisë në Kosovë

/ 21 minuta lexim
Eco Higjiena

Agjencia amerikane “Bloomberg”, përmes një shkrimi për idenë e shkëmbimit të territoreve në mes të Serbisë dhe Kosovës, ka paralajmëruar se kjo gjë mund t’i ndihmojë vetëm Moskës në relacionin e saj me Gjeorgjinë, Moldavinë dhe Ukrainën.

Qarri: Deklarata skandaloze “Ui ar not probllematik gajs…, ui traj tu du agriment…, jesss”!? dëshmon hapur edhe kapacitetin e mangët intelektual të Hashim Thaçit

“Shqiptarët e Kosovës, që e shpenzuan një shekull duke e kërcënuar Perëndimin që nuk bisedojmë me Serbinë pa prezencën e tyre, kurse tash Hashim Thaçi po e bën të kundërtën dhe po kërkon nga Bashkësia Ndërkombëtare, që ta lërë Thaçin të papenguar, që të bëjë pazare direkt me Vuçiqin dhe mbështetjen e agjentëve të UDB-së, siç është Baton Haxhiu, mik e këshilltar i përbashkët i të dyve! Gjithsesi duhet kërkuar përgjegjësi dhe llogari presidentit Thaçi, i cili tani e dhjetë vjet bisedon me përfaqësuesit e Serbisë në Bruksel, kinse për ta integruar veriun e vendit, i cili jo vetëm që nuk e integroi veriun, është gati për ta bërë të kundërtën, që t’ia falë veriun Serbisë armike të shqiptarëve”, thotë analisti Florim Zeqa për “Kosova Sot

Agjencia amerikane “Bloomberg”, përmes një shkrimi për idenë e shkëmbimit të territoreve në mes të Serbisë dhe Kosovës, ka paralajmëruar se kjo gjë mund t’i ndihmojë vetëm Moskës në relacionin e saj me Gjeorgjinë, Moldavinë dhe Ukrainën.

Andaj nga analistët po shtrohet pyetja se a po arrin që të realizohet plani i Rusisë për ndarjen e Kosovës përmes Hashim Thaçit, president i Kosovës, në bashkëpunim me agjentët e UDB-së serbe. Veç saj analistët janë të zhgënjyer se si po tallet edhe Alaksandar Vuçiqi me Thaçin, duke i thënë se gjoja ky është politikan më i mirë se ai vetë. “Ui ar not probllematik gajs…, ui traj tu du agriment…, jesss”, nga analistët po cilësohet deklaratë qesharake e Thaçit në prani të Vuçiqit, e që po komentohet me tone mjaft kritike.

Analistët thonë se kjo fjali e z. Thaçi do të përfundojë në librat e historisë, si njëra prej frazave më idiote. Sipas tyre, shqiptarët e Kosovës e kanë shpenzuar një shekull duke e kërcënuar Perëndimin që nuk bisedojmë me Serbinë pa prezencën e tyre, kurse tash befasisht Hashim Thaçi po e bën të kundërtën dhe po kërkon nga Bashkësia Ndërkombëtare që ta lërë Thaçin të papenguar, që të bëjë pazare direkt me Vuçiqin, natyrisht me prezencën e mbështetjen e agjentëve të UDB-së, siç është Baton Haxhiu, mik e këshilltar i përbashkët i të dyve.

Sipas analistëve, nga presidenti Thaçi duhet kërkuar përgjegjës, ngase ai tani e dhjetë vjet bisedon me përfaqësuesit e Serbisë në Bruksel, për ta integruar veriun e vendit, por jo vetëm që dështoi tërësisht, jo vetëm që nuk arriti ta integrojë në Kosovë, pjesën e veriut të vendit, por e keqja është se Hashim Thaçi po arrin që ta integrojë dhe t’ia japë vetë veriun Serbisë. Edhe përkundër pyetjeve të dërguara nga gazetari, Baton Haxhiu nuk i është përgjigjur gazetarit për akuzat që po i bëhen.

BISLIMI: NDARJA E KOSOVËS MBETET OPSIONI MË I PREFERUAR I HASHIM THAÇIT, ME MBËSHTETJEN E AGJENTËVE TË UDB-SË, SIÇ ËSHTË BATON HAXHIU, MIK E KËSHILLTAR I PËRBASHKËT I VUÇIQIT DHE THAÇIT
Politologia Liridona Bislimi, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se sa i përket idesë për shkëmbimin e territoreve shteti i Kosovës është shndërruar në një mjegullinë totale dhe ende askush nuk e ka të qartë atë se kush çfarë po shkëmben. “Aktualisht, përmes të gjitha kanaleve konspirative dhe organizimit të takimeve të fshehta me Aleksandar Vuçiqin, Thaçi tanimë po përpiqet ta bëjë akt të kryer edhe ndarjen e Kosovës, për të kënaqur apetitet e Serbisë dhe për të shpëtuar veten e tij. Përderisa në të kaluarën Thaçi ka kundërshtuar çdo ndryshim të kufijve në Ballkan, sot ai po bën thirrje dhe po lobon te Bashkësia Ndërkombëtare, së bashku me kolegun e tij serb, Aleksandar Vuçiq, që të arrijnë një marrëveshje me Serbinë, ku përfshihet edhe ndryshimi i kufirit të Kosovës”, u shpreh ajo.”Rezoluta e Kuvendit të Kosovës do të jetë e rëndësishme, por me gjasë e pamjaftueshme, për të ndalur aventurat e rrezikshme të Thaçit që po i shkaktojnë vetëm dëme sovranitetit të vendit. “Rishikimi” i kufijve me Serbinë, e cila në Kushtetutën e saj Kosovën e sheh si pjesë të pandashme të territorit të Republikës së Serbisë, mund të sillte për ne pasoja të rrezikshme: ndalimin e procesit të njohjeve, orientimin e vëmendjes së atyre që na kanë njohur në drejtime të tjera nga rruga që kanë ndjekur deri tash, emetimin e sinjaleve shumë të rrezikshme për të ardhmen e vendit”, vlerësoi Bislimi. “Ndarja e territorit të Kosovës çdo ditë po vërtetohet nga anë të ndryshme, se mbetet opsioni më i preferuar i Hashim Thaçit, të cilin ai në krye të klanit “PRONTO” si dhe natyrisht me prezencën e mbështetjen e agjentëve të UDB-së, siç është Baton Haxhiu, mik e këshilltar i përbashkët i Vuçiqit dhe Thaçit, i cili po tenton ta shesë Kosovën si “zgjidhje” të “pakalueshme”, për pajtimin ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve. Mjerisht, Hashim Thaçi duket se është shndërruar mik i përjetshëm me Vuçiqin dhe Serbinë, vetëm sa për ta shpëtuar veten nga ndjekja e mundshme e Gjykatës Speciale, kështu duke dëmtuar sovranitetin e shtetit dhe duke vënë në rrezik faktin që edhe shtetet që na kanë njohur me kufijtë aktualë të tërheqin njohjet e tyre, por edhe të mos kemi as edhe një gjysmë njohje, e as anëtarësime në organizata të ndryshme ndërkombëtare”, potencoi ajo.

QARRI: ME NDIHMËN E PIONIT SERBO-RUS, KUISLINGUT HASHIM THAÇI, E NË BASHKËPUNIM ME AGJENTËT E REGJUR TË UDB-SË NË PRISHTINË DHE TIRANË, PO TENTOHET TË REALIZOHET PLANI I RUSISË PËR NDARJEN E KOSOVËS

Analisti Gani Qarri, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se fatkeqësisht Serbia po dëshmon edhe më tej se ende nuk ka hequr dorë nga tendencat kriminale me veprimet e saj antishqiptare për gllabërimin e sa më shumë territoreve tona, megjithëse me natalitet në rënie dhe mungesë banorësh të mjaftueshëm edhe për tokat e shumta që aktualisht posedon.”Por, për fat të mirë, ajo që na jep shpresë dhe duhet t’i gëzojë shqiptarët që e duan vendin e vet, se Kosova do t’u mbijetojë edhe këtyre katrahurave, është fakti se Kosova e ditëve të sotme, nuk është më ajo e viteve 1912-13 dhe as sovraniteti i saj territorial, fatbardhësisht nuk ka mbet në duart e kolaboracionistit Hashim Thaçi, por mbrohet nga fuqitë më të mëdha botërore, si ato që na çliruan dhe sollën lirinë, SHBA, NATO dhe Bashkimi Evropian”, u shpreh ai. “Idenë për rishikimin e kufijve, po qe se kjo vërtet do të lejohet nga Bashkësia Ndërkombëtare të ndodhë në rajon, medoemos dhe pikësëpari, duhet ta shfrytëzojnë shqiptarët në IRJM, kur dihet fakti se nuk është e drejtë as e pranueshme më, që kufijtë e shteteve të ndryshojnë vetëm për rreth 34-50 mijë serb të veriut të Kosovës, por jo edhe për rreth një milion shqiptar të ‘Maqedonisë’ dhe qindra-mijëra shqiptarë tjerë nën Serbi, Mal të Zi etj. Nëse pranohet të bëhet rishikim i mundshëm i kufijve dhe krijimi i shtetit etnikisht të pastër serb, atëherë pse kjo të mos vlejë edhe për bashkimin e të gjithë shqiptarëve në një shtet të përbashkët kombëtar në Ballkan. Nga kjo ide nuk duhet lejuar të përfitojnë vetëm Serbia dhe Rusia e Putinit, e cila, siç shkruan agjencia amerikane “Bloomberg”, ndarjen e Kosovës, gjegjësisht shkëmbimin e territoreve mes Serbisë dhe Kosovës, dëshiron ta përdorë si adut, për aneksimin e pjesëve të mëdha të pushtuara dhe atyre të pretenduara nga Putini, në relacion me Gjeorgjinë, Moldavinë dhe Ukrainën”, vijoi më tej Qarri. “Për aq më keq me ndihmën e pionit serborus, kuislingut Hashim Thaçit, i ashtuquajtur president oficiel i Kosovës në bashkëpunim me agjentet e regjur të UDB-se serbe në Prishtinë dhe Tiranë, po tentohet me këmbëngulje të realizohet plotësisht plani i Rusisë për ndarjen e Kosovës, i cili për shkaqet e lartcekura besojmë dhe dëshirojmë të dështojë, e Hashim Thaçi të shkarkohet si kolaboracionist dhe të shkojë në burg. Madje i befasuar nga gatishmëria e pabesueshme e Hashim Thaçit për shitjen kaq lirë të territoreve të Kosovës, edhe vetë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiqi, ka filluar të luajë hapur dhe publikisht me të, duke i thënë para gazetarëve në takimet ndërkombëtare, si ai në Alpbach të Austrisë, me plot tallje, se Thaçi është politikan “më i mirë” se ai vetë. Për aq më tepër, Thaçi bëhet edhe më qesharak me anglishten e tij, si të një gjysmanalfabet dhe deklaratën skandaloze që dëshmon hapur edhe kapacitetin e mangët intelektual të Hashim Thaçit, i cili në prani të “vëllait” Aleksandar Vuçiqi, pa u turpëruar as skuqur fare, deklaroi: “Ui ar not probllematik gajs…, ui traj tu du agriment…, jesss”!?”, theksoi ai. “Kështu që Thaçi është kthyer në një “objekt” të tillë argëtues, me të cilin jo vetëm Serbia dhe e tërë bota po tallen, por me këtë lloj deklarate të Hashim Thaçit dhe kjo fjali e çuditshme e tij, nëse jo në librin e Ginisit, me siguri do të përfundojë në librat e historisë si njëra prej frazave më idiote të thëna ndonjëherë nga një president sharlatan, si ai! Ndaj dhe është tejet e pa shpjegueshme se si shqiptarët e Kosovës, të cilët kanë shpenzuar më se një shekull duke e kërcënuar Perëndimin se nuk do të bisedojnë me Serbinë pa prezencën ndërkombëtare,të pranojnë jo vetëm të udhëhiqen nga një gjysmanalfabet si Hashim Thaçi,por të lejojnë që ai edhe kërkojë vetë,nga Bashkësia Ndërkombëtare,ta lërë atë të papenguar,që kokë më vete të bëjë pazare direkt me Vuçiqin,për ndarjen e Kosovës,me mbështetjen e pakursyer të agjenteve të UDB-së dhe BIA-s,serbe,si Baton Haxhiu,mik e këshilltar i përbashkët i Hashim Thaçit, Aleksandër Vuçiqit dhe Edvin Kristaq Ramës në Tiranë!”, potencoi Qarri.

ZEQA: KUR T’I HIQET VERIU KOSOVËS ËSHTË NJËSOJ SIKUR T’I HIQET KOKA APO ZEMRA NJERIUT
Ndërsa analisti Florim Zeqa, për gazetën”Kosova Sot”, thotë se boshti Athinë-Beograd-Moskë e ka rritur presionin për ndarjen e Kosovës. Lidhja e mësipërme ka bërë që presidenti Hashim Thaçi të zbutet, të lëshojë pe, gjegjësisht të zbresë pazarin për veriun e vendit. Tani, sipas planit të zbutur, Kosovës Serbia do t’i marrë veriun e Kosovës me të katër komunat, përfshirë ‘Trepçën’ dhe Ujmanin, ndërsa Kosovës ndoshta do t’i bashkohet vetëm Komuna e Preshevës me disa fshatra të vogla. Kur t’i hiqet veriu Kosovës është njësoj sikur t’i hiqet koka apo zemra njeriut! Po a jeton trupi pa kokë, jo kurrsesi, prandaj edhe Kosova nuk mund të jetojë pa kokën – veriun e saj të artë. Falë veprimeve të papërgjegjshme të Hashim Thaçit, është rrezik që shtetet që na kanë njohur me kufijtë aktualë të tërheqin njohjet e tyre, por edhe të mos kemi as edhe një gjysmë njohje, si dhe as anëtarësime në organizata të ndryshme ndërkombëtare, derisa Hashim Thaçi & Co me vetëdëshirë e kanë “rihapur” statusin final të shtetit të Kosovës”, vlerësoi ai.

KKVITI

Analisti Zeqa thotë se deklarata skandaloze me anglishten e një gjysmanalfabeti e tregon edhe kapacitetin intelektual të Hashim Thaçit, i cili në prani te “vëllait” Aleksandar Vuqiqi deklaroi: “Ui ar not probllematik gajs…, ui traj tu du agriment…, jesss”! “Përveçse kjo fjali do të përfundojë në librat e historisë, si njëra prej frazave më idiote do t’i bëjë gjeneratat e reja të turpërohen në rrugëtimin e tyre europerëndimor dhe jo vetëm, me Thaçin president po turpërohemi të gjithë para botës. Ngase bota nuk e vlerëson popullin, ajo gjykon dhe vlerëson sipas përfaqësuesve të popullit”, potencoi Zeqa. “Bota, duke parë liderët sharlatanë të Kosovës, respektivisht Hashim Thaçin, Ramush Haradinajn, Kadri Veselin, Behgjet Pacollin dhe shumë të tjerë, të cilët erdhën në pushtet me vota të blera e të vjedhura, vërtet bota demokratike ka të drejtë të luajë me ne si të dojë, të vërë në tavolinë jo vetëm ndarjen, por edhe zhbërjen e tërësishme të Kosovës”, ka thënë më tej ai.

BADALLAJ: HASHIMIN E BROJËS E KA VERBUAR, PËRVEÇ FRIKËS NGA GJYKATA SPECIALE, EDHE LAKMIA PËR PUSHTET, SI DHE KA RËNË NËN NDIKIMIN E NJË KËLYSHI SERB TË UDB-SË, KËLYSHIN E JOVICA STANISHIQIT, BATON FAZLI QELI-HAXHIU
Analisti Reshat Badallaj-Zhuriani, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se presidenti matrapaz është duke vepruar kundër interesave të Kosovës dhe popullit si të ishte i droguar ose i sëmurë mental. “Hashimin e Brojës e ka verbuar pos frikës nga Gjykata Speciale edhe lakmia për pushtet dhe para dhe merreni me mend ka rënë nën ndikimin e një këlyshi serb të UDB-së, që babë e babagjysh i ka pasur antikombëtarë, këlyshin e Jovica Stanishiqit, Baton Fazli Qeli-Haxhiu”, u shpreh ai. “Hashimi i Brojës nuk ka pasur pengesa nga këto banda politike, nga Kuvendi rrugaçësh e vagabondësh dhe nga qeveritë e Toptanëve, Zogollëve dhe tyxharëve që sundohej nga klani bandit e mafioz “Pronto”. Habitem se populli nuk e tha fjalën e vet të fuqishme në rrugë, “ndal” kapadai se kjo nuk është plaçkë pazari, tokë e lagur dhe e ujitur me gjak… Duhet ndalur këtë matrapaz dhe spiunin e UDB-së serbe”, potencoi më tej Badallaj.

Një matrapaz rrezikon krejt Republikën
Analisti Naim Kelmendi thotë për “Kosova Sot” se thjesht me shumë paskrupullti Hashim Thaçi në Forumin e Austrisë bashkë me Vuçiqin kërkuan aleatë dhe përkrahje ndërkombëtare për pazaret e tyre për ndarjen e Kosovës, kinse në emër të një marrëveshjeje përfundimtare, KosovëSerbi, por që patjetërsueshëm çdov ndarje apo “korrigjim” të kufirit me Serbinë, siç po dëshirojnë ta quajnë, do të jetë me pasoja jo vetëm për Kosovën, por mbase dhe për rajonin e Ballkanit.”Këtë rrezik të këtyre pasojave e ka theksuar prerazi edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, duke potencuar se mbështeten bisedimet në mes dy shteteve drejt qëllimit, por integriteti territorial ashtu siç qëndron tash është një vlerë e rëndësishme”, u shpreh ai.”Ndërmarrja e Hashim Thaçit për të dëmtuar sovranitetin e shtetit të Kosovës kinse në emër të Marrëveshjes ndërkombëtare Kosovë Serbi është katërçipërisht e papranueshme nga vetë populli i Kosovës, por duhet të ndalohet dhe nga aleatët e Kosovës. Derisa tash e sa vite Hashim Thaçi dialogun me Aleksandar Vuçiqin në Bruksel, tashmë në Forumin e Austrisë e nxori botërisht synimin e ndërmarrjes se tij për “korrigjim” të kufirit me Serbinë, duke dalë kështu kundër Kushtetutës së shtetit dhe sovranitetit territorial, e që është e palejueshme dhe e papranueshme, ngase çdo prekje e sovranitetit territorial të shtetit nënkupton pasoja për shtetin e Kosovës dhe më pas për vetë rajonin, por që në të vërtetë kështu do të realizohen strategjitë e projekteve të politikës serbe për ndarjen e veriut të Kosovës”, vlerësoi Kelmendi. Sipas tij, është koha fundit që subjektet parlamentare opozitare të ndërmarrin nismën që ashtu sikur e parasheh Kushtetuta ta shkarkojnë presidentin Hashim Thaçi, për të ndalur kështu ndërmarrjen e tij të mëtutjeshme për ndarjen e Kosovës.

Zgjedhjet emergjente, për të ndalur rrënimin e shtetit

Analisti politik, Arsim Haziri, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se nuk është hera e parë që përgatitja e presidentit dëshmohet më se keqi, pasi ai edhe në të kaluarën e tij politike ishte shprehur po aq dobët sa kishte përfaqësuar në mënyrën më të keqe Kosovën.”Presidenti në nivelin politik është dëshmuar si i pazoti për ta mbrojtur çështjen e Kosovës, madje aq i dobët është treguar sa ka filluar t’i negociojë disa çështje vitale për Kosovën, që në një mënyrë a tjetër do të ngjallte trazira e protesta qytetare. Si po duket iniciativa e presidentit për çështjen e territorit po vjen në kohën kur po mendohet të hetohet e kaluara e tij politike që në mënyrë direkte ndërlidhet me veprimet antiligjore. Ky shpërfaqeshim dhe tallje me përfaqësimin e dobët në nivel ndërkombëtar, duke përfshirë këtu mosmbrojtjen e vlerave nacionale, duhet t’u shërbejë qytetarëve si argument pse duhet ndëshkuar ligjërisht ky president e kjo qeverisje”, u shpreh ai. Sipas tij, zgjedhjet e radhës duhet të jenë si çlirim nga kjo politikë e errët, e cila e ka stagnuar Kosovën në çdo dimension.”Strukturat drejtuese të vendit duhet të shpërbëhen përmes rrugëve demokratike e atë ndëshkim duhet ta bëjë populli përmes një procesi të drejt e të pamanipuluar zgjedhor. Kosova fatkeqësisht vuan për sistem të drejtë normal, për sistem që i shërben dinjitetit kolektiv, ku qytetari konsiderohet si trup qendror dhe jo synim zvetënues”, vlerësoi Haziri. Ndërsa eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Muhamet Kelmendi, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se Kuvendi është shumë jofunksional dhe deri tash askush nuk ka dhënë përgjegjësi për punën e vet. “Kuvendi ka funksionuar vetëm atëherë kur PDK-ja dhe LDK-ja i kanë prishur interesat. Në këtë moment ka rënë qeveria”, theksoi ai.”Me gjuhën e përdorur z. Thaçi ishte analfabet dhe i pakuptueshëm. Askush nuk e merrte vesh se çka po thotë. Leximin e kishte fillor. Por te vëllezërit ka raporte e raporte. Thaçi dhe Vuçiqi janë të tillë. Politikan i zoti është Thaçi tërë kohën sa e ka vërë Kosovën në diskutim me shtetin serb. Pse mos me thënë Vuçiq “z. Thaçi është politikan më i zoti se unë”. Kjo ngase tërë kërkesat që i ka paraqitur Vuçiqi janë realizuar deri tash. Kjo është peshorja e z. Thaçi. Populli thotë: “Kur armiku të lavdëron ruaju se diçka e keqe po të vjen”, ka potencuar Kelmendi.

Ndërsa eksperti i integrimeve evropiane, Ali Hertica, për “Kosova Sot”, tha se Kushtetuta e Republikës së Kosovës e ndalon çfarëdo copëtimi të territorit të Kosovës apo shkëmbimi të territorit të shtetit me ndonjë shtet tjetër, prandaj nuk duhet pasur fare korrigjim të kufijve.”Ngase tani edhe faktori ndërkombëtar ka filluar të bëjë zigzage me fatin e Kosovës, pas disa zërave nga SHBA-ja dhe BE-ja, edhe Merkeli pozicionohet pro korrigjimit të kufirit KosovëSerbi, sepse një modifikimi i kufirit Kosovë-Serbi mund të ketë pasoja për Ballkanin dhe rajonin në tërësi”, vlerësoi Hertica.

Qytetarët, të zemëruar me të parin e vendit
Qytetarët tanë thonë se janë të zhgënjyer tej mase me përfaqësimin e Kosovës që po e bën presidenti Hashim Thaçi. Ata vlerësojnë se do t’i ndihmojë Rusisë ideja e shkëmbimit të territoreve në mes të Serbisë dhe Kosovës në relacionin e saj me Gjeorgjinë, Moldavinë dhe Ukrainën.

Refik Rama, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se nocionin e ndarjes dhe të këmbimit të territoreve e kundërshton fuqimisht, sepse në këtë fazë të bisedimeve jemi jo të barabartë me Serbinë dhe në çdo negocim të tillë Serbia do të fitojë në dëm të Kosovës.”Prandaj si qytetar i këtij vendi unë nuk do të guxoja që të futesha në një aventurë për ndarje apo këmbim territoresh që po bën Hashim Thaçi. Kjo aq më tepër nuk do të duhet të ndodhë kur dihet se sa e fuqishme është tash ushtarakisht Rusia dhe që po u qëndron mbrapa këtyre negociatave të Serbisë”, u shpreh ai.”Këto bisedime për këmbim territoresh të Kosovës me Serbinë më së tepërmi u përgjigjen interesave të Serbisë dhe të Rusisë dhe si të tilla ato nuk duhet lejuar të bëhen në asnjë mënyrë. Ndaj po pres që Kuvendi i Kosovës do të mblidhet në fillim të shtatorit urgjentisht dhe do të miratojë Rezolutën me të cilën do të ndalohej ndarja e Kosovës apo këmbimi i territoreve të saja. Dhe nëse Kuvendi nuk miraton një rezolutë të tillë që do ta ndalonte Hashim Thaçin që të bëjë pazare me territorin e Kosovës, atëherë nuk po na mbetet ndonjë rrugë tjetër, veç asaj që ne si qytetarë në tërë vendin të dalim në protesta masive dhe ta detyrojnë presidentin që të heqë dorë nga planet e tilla djallëzore për ndarjen e Kosovës”, ka theksuar Rama.

Kurse qytetari tjetër nga Prishtina, Ismajl Kasumi, për “Kosova Sot”, thotë se nëse vazhdohen bisedimet e tilla të Hashim Thaçit për këmbime territoreve me Serbinë, një skenar i tillë fatal për Kosovën do të mundej që të ndodhte. “Por, unë jam shumë i bindur se kjo nuk do të ndodhë, ngase tashmë edhe nga krerët e shteteve më të forta në botë, siç janë kancelarja Merkel e Gjermani, si dhe presidenti Trump, tashmë janë pajtuar se nuk do të ketë shkëmbim territoresh në mes të dy popujve e shteteve, Kosovës e Serbisë. Sepse Kosova i ka kufijtë e saj dhe ata kësisoj edhe duhet të mbesin”, theksoi ai. Kasumi shpreson se ky popull do të vetëdijesohet dhe Kosova do të mbetet në kufijtë e tashëm të saj.

(Kosova Sot)