AKV “Gjilani” prezantohet suksesshëm në Sandanski të Bullgarisë

Gjilan – Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Gjilani” është kthyer nga Bullgaria ku ishte pjesëmarrës në Festivalin e 18 Ballkanik “Festivali i te rinjve te Ballkanit” në Sandanski të Bullgarisë.
Ansambli “GJILANI” pati Katër paraqitje të suksesshme, veçanërisht në natën finale ku para mëse 5000 shikuesve, u interpretuan valle e lojëra burimore e koreografike me veshje kombëtare dhe kolorit të shkëlqyer dhe u prit jashtëzakonisht mirë nga publiku.
Në këtë ngjarje kulturore Ansambli i Këngëve dhe Valleve ,,GJILANI” është paraqitur krahas pothuajse gjitha shteteve Ballkanike.
Nehat Ferati kryetar i ansamblit tha se janë vendosur kontakte të shëndosha me të gjitha Ansamblet dhe grupet e të gjitha shteteve të tjera.
Festivali kishte karakter revyal dhe program të larmishëm .Kjo pjesëmarrje e Ansamblit Gjilani në këso lloj ngjarjesh kulturore konsiderohet shumë e dobishme për shkëmbimin e eksperiencave te të rinjtë ku iu dha mundësia që të shkëmbejnë përvoja dhe vizione të ndryshme mes tyre.
Pjesëmarrja e Ansamblit si përfaqësues i Komunës së Gjilanit dhe Republikës së Kosovës ishte jashtëzakonisht e suksesshme dhe dinjitoze tha Ferati.
Ferati tha se pjesëmarrja e AKV “Gjilani” në këtë Festival është mundësuar nga Komuna e Gjilanit – Zyra e Kryetarit dhe Drejtoria për Kulturës, Rinisë dhe Sport./rajonipress/