GRANDEMALL

Akuzat e Kosovës për njëanshmëri të Brukselit, Rohde: Tash Kosova i ka të gjitha që i do, “shfrytëzojeni momentin”

/ 4 minuta lexim
FIDANISHTJA

Kosova nuk mund të ankohet më në Brukselin për mospërparim në dialogun me Serbinë dhe në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Eruopës. Ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde, kujtoi akuzat e institucioneve të vendit viteve të fundit për njëanshmërinë e BE-së dhe tash nuk sheh arsye për të mos lëvizur përpara. Hapi i parë, sipas tij është dërgimi i draft-statusit të Asociacionit në Gjykatë Kushtetuese. Për shkak se kjo nuk ka ndodhur ende, çështja e anëtarësimit të vendit në Këshillin e Europës mbeti jashtë agjendës javën e kaluar.

Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Europës javën e kaluar u la jashtë agjendës së mbledhjes së Komitetit të Ministrave në Strasburg, për shkak të kushtit të mospërmbushur nga vendi për ta dërguar për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese një draft-statut të propozuar nga BE-ja për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kosova tani i ka të gjitha që i kërkonte dhe s’ka arsye të ankohet për ndërmjetësimin e Bashkimit Europian në dialogun me Serbinë dhe (mos)anëtarësimin e saj në Këshillin e Europës.

Ky ishte pak a shumë mesazhi i ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde mbrëmë.

Pas zgjedhjeve europiane, në krye të diplomacisë së BE-së erdhi Kaja Kallas. Marta Kos u bë komisionare për zgjerim, ndërsa Peter Sorensen është angazhuar në detyrën e të dërguarit të Brukselit për dialogun Kosovë-Serbi.

Kosova ishte ankuar shpesh se ish-shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, i dërguari për dialogun, Miroslav Lajçak ishin të njëanshëm dhe ia mbanin anën Serbisë. Kritika kishte edhe për ish-komisionarin e BE-së për zgjerim, Oliver Varhelyi. Deri edhe jashtë institucioneve ka qarkulluar pak a shumë kjo bindje, e argumentuar shpesh edhe me faktin se Borrell dhe Lajçak vinin nga vende si Spanja dhe Sllovakia, të cilat nuk e njohin Kosovën.

Rohde i mban në mend të gjitha këto akuza dhe thotë se tash është koha që Kosova të angazhohet. Sipas tij, hapi i parë i domosdoshëm që duhet ta bëjë qeveria e re, është dërgimi i draftit të Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese.

“Pa këtë kusht nuk mund të lëvizim”, tha ai në një intervistë në Rubikon në Klan Kosova.

Ai do një qeveri të përgjegjshme, e cila do të angazhohet për të lëvizur përpara.

FIDANISHTJA

“Fillimisht, më lejoni të them diçka për dialogun. Më kujtohet, komisionari i fundit, përfaqësuesi i kaluar special – gjithmonë kishim kritika – ‘Lajçaku vjen nga vendi që nuk na njeh’, pastaj komisionari për zgjerim është një person problematik nga pikëvështrimi i Kosovës. Përfaqësuesi i Lartë gjithashtu nga një vend që nuk e njeh Kosovën. Tash Kosova i ka të gjitha ato që i kërkon: komisionaren për zgjerim, Marta Kos, keni përfaqësuesen e lartë që vjen në Kosovë nesër, keni përfaqësuesin special”, tha ambasadori.

Rohde tha se Kosova duhet ta shfrytëzojë këtë për t’i zgjidhur problemet me Serbinë.

“Apeli im ndaj Kosovës dhe apeli jonë ndaj autoriteteve është që ta shfrytëzoni momentin. Shfrytëzojeni këtë. Kapeni këtë moment. Zgjidhini problemet në mënyrë proaktive dhe mos u uluni e t’ju ikë mundësia”.

Përmendi “konfliktet shumë të mëdha” në botë, ndërsa theksoi se “është koha për t’u angazhuar e jo për t’u ulur dhe për të pritur diçka që nuk ka për të ndodhur nëse ju nuk veproni”.

“Dërgojeni draftin e Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese. Asgjë nuk ka ndodhur”, tha ai. Nëse nuk ndodh asgjë në këtë drejtim, Rohde tha se nuk mund as të pritet diçka. “Topi është në anën e Kosovës”.

Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, konfirmoi kërkesën e përbashkët ndaj vendit për të lëvizur, duke shtuar se “përndryshe (çështja e anëtarësimit në KiE) do të vendosej në agjendë dhe nuk është bërë”.

Asociacioni, ai tha se “nuk do të jetë një Republika Srpska e re”.

“Institucioni më i mirë për të thënë nëse është në harmoni me Kushtetutën është Gjykata Kushtetuese. Pra, dërgojeni në Gjykatën Kushtetuese”, tha ai.

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.