Fundamenti

Aktorja paditi regjisorin e filmit anti-islamik

/ 3 minuta lexim
RCCOLA

Aktorja amerikane, Cindy Lee Garcia, e cila shfaqet në filmin “Pafajësia e myslimanëve”, ka vendosur ta padisë regjisorin e filmit të diskutueshëm – personin që dyshohet se qëndron prapa filmit – për mashtrim, intriga dhe shkaktim të qëllimshëm të dhembjeve emocionale.

Lee Garcia e ka akuzuar Nakoula Basseley se me mashtrim e ka futur në një film plot urrejtje, duke shtuar se në fillim ka menduar se fjala është për një film aventurist për luftëtarët e shkretëtirave. Sipas fjalëve të saj, skenari të cilin ajo mori në duar nuk e ka përmendur asnjëherë Profetin Muhamed e asnjë referencë në religjion.

Ajo pohon se ka marrë shumë kërcënime me vdekje, pasi filmi është shfaqur në YouTube, kështu që për shkak të pjesëmarrjes së saj i është shkatërruar edhe reputacioni. Ajo në gjyq e ka ngritur edhe një padi kundër rrjetit YouTube, me kërkesën që filmin ta heq nga ky servis. YouTube deri tani ka refuzuar që të përmbushë kërkesat e saj, ndonëse filmi është bllokuar në disa vende arabe.

Avokatët e saj pohojnë se dialogjet janë ndryshuar në post-produksion, për çka aktorja ka dalë në dritën e gabuar.

Uji Dea

“Ligjërisht mbron të drejtën për privatësi dhe të drejtën në liri nga vendosja e fjalëve të urrejtjes në buzët e saj. Gjatë xhirimeve nuk është përmendur as Muhamedi, as religjioni, as ndonjë përmbajtje”, thonë avokatët e saj.

Të njëjtën kohë, Nakoula mohon se është Sam Bacile, personi që e ka postuar filmin në internet. Pasi u tha gazetarëve se ai vetëm ka menaxhuar kompaninë që ka ndihmuar për të prodhuar filmin, Nakoula është fshehur dhe aktualisht nuk dihet vendndodhja e tij. Dy vjet më parë u dënua për mashtrim për çka është detyruar të paguaj dëmshpërblim prej 790 mijë dollarëve. Ai u lirua në qershor të vitit të kaluar, me kusht që të mos ketë qasje në internet e as të mos përdorë pseudonime pa leje.

Sipas informatave, Nakoula në vitet e fundit është fshehur prapa gjashtë emrave të rrejshëm. Se ai ishte autor i vërtetë i filmit, kjo u zbulua nga fakti se celularët e Samit dhe Nakoulesit i lidhte e njëjta adresë në shtëpi. Nakoula Bassley është fshehur prapa emrit Sam Bacile, duke pretenduar se është çifut. Në fakt, ai është i krishterë kopt nga Egjipti.