KKVITI

Aktori Kasem Hoxha – me një sfidë të re në kinematë gjermane

/ 7 minuta lexim
Uji Dea

Këto ditë nëpër kinematë brenda dhe jashtë Gjermanisë po shfaqet filmi “Nicht Mein Tag” (Kjo nuk është dita ime), me regji të Peter Thorwarth. Në mesin e aktorëve të njohur gjermanë, luajnë edhe artistë shqiptarë.

Pas premierave mjaft të suksesshme në Berlin dhe Bochum, nëpë kinematë gjermane po shfaqet filmi më i ri, “Nicht Mein Tag”. Filmi ka në fokus djaloshin Nappo, interpretuar nga aktori i njohur Moritz Bleibtreu, një gangster që sulmon një bankë për të plaçkitur para që të blejë një makinë.

Aty ai merr peng një punonjës të bankës i quajtur Till Reiners dhe që interpretohet nga aktori Axel Stein. Reiners përfaqëson njeriun konservator, por që më vonë do të bëhet bashkëpunëtor i Nappo-s dhe shokëve të tij, madje në fund do të jetë edhe kriminel.

Ky konstelacion së bashku edhe me dy aktoret kryesore Jasmin Gerat dhe Ana Maria Mühe si dhe me dy aktorët shqiptarë, Kasem Hoxha dhe Bekim Guri e bën filmin mjaft tërheqës për publikun. Ky ansambël aktorësh dhe dinamika që mbart në vetvete filmi përmes aksioneve dhe një humori shumë spontan dhe modest, bën që filmi të vlerësohet mjaft pozitivisht nga kritika.

Mesazhi vjen gradualisht përmes aktorit Axel Stein me rolin e tij mjaft interesant: “Bëj atë që të dëshiron shpirti dhe zemra jote dhe mos bëj atë që të thonë të tjerët se çfarë është mirë për ty”.

Kur roli dhe aktori janë një: shqiptarë

Artisti tashmë i njohur shqiptar Kasem Hoxha, i cili jeton prej më shumë se dy dekadash në Gjermani, luan rolin e Sokolit në këtë film dhe është në fokus të një grupi djemsh shqiptarë „të mirë“ të cilët mundohen të mbijetojnë në Holandë. Ata i shohim duke jetuar në një vilë të bukur me qera në qytetin turistik të Amstërdamit.

Djemtë ndërkohë kanë në duar edhe letra me vlerë shumë të mëdha bankare, por që vetë ata nuk kanë ide për këto letra. Për këtë arsye, ata kërkojnë ndihmë nga një grup gangsterësh gjermanë për të hyrë së bashku edhe në biznes.

Por shokët e “mirë” nga Gjermania jo vetëm që i mashtrojnë shokët e tyre shqiptarë për vlerën e vërtetë të letrave bankare, por edhe grinden e rrihen në shtëpinë e tyre në Amsterdam duke ua vjedhur atyre edhe lekët bashkë me letrat.

Uji Dea

Dhe këtu nis historia aksion-komedi, sepse shqiptarët nuk të falin kur i hyjnë në hak. Ata fillojnë gjurmimin e tyre deri sa i kapin, megjithëse me shumë peripeci dhe shpesh me rrezik për jetën.

Ky skenar në fakt i ka ardhur për shtat edhe vetë regjisorit Peter Thorwarth që të vendosë artistin Hoxha në rolin e Sokolit. Fat edhe për aktorin shqiptar që e ka pranuar me shumë dëshirë. “Kur e lexova skenarin mbeta i kënaqur, sidomos nga stili i të shkruarit, madje kam qeshur shpesh edhe kur e lexoja, sepse batutat nëpër dialogje ishin fantastike. Duke e lexuar edhe rolin tim e kuptova që unë gjeja pothuajse veten time në këtë rol. Roli i Sokolit është në fakt roli i një bosi gangsterësh, por “fisnik” dhe trim. Ai mbi të gjitha është njeri i besës, e mban fjalën. Sigurisht që ai ka momente kur i duhet të ndryshojë menjëherë edhe natyrën e tij, për shkak të ndonjë padrejtësie që bëhet ndaj tij”, thotë për Deutsche Wellen aktori, i cili është bërë i njohur si nga publiku gjerman, ashtu dhe nga ai shqiptar me një sërë rolesh viteve të fundit në filmat si: “Schutzengel”, ku luan krahas aktorit të njohur Til Schweiger, në filmin “Zelle”, “Brüder”, në filmin “Lucky Punch” apo në filmin shqiptar “Alive!”.

Përvojë e re dhe e shkëlqyeshme me regjisorin kult të filmit

Megjithatë, çdo rol është i ndryshëm, ashtu sikurse edhe njerëzit në jetë. Puna e çdo aktori është që të adaptohet me figurën e re të çdo roli, të bëhet një me rolin e ri. Këto i ka pasur parasysh më shumë se kurrë edhe Kasemi në rolin e Sokolit në filmin “Nicht Mein Tag”.

“Doja ta bëjë sa më te besueshëm me të gjitha të mirat dhe të këqijat e tij për publikun”, thotë Kasemi. “Por më ka ndihmuar edhe puna me regjisorin. Ishte një nder i madh që pata fatin të punoj me një regjisor të tillë kult në Gjermani, siç është Peter Torwarth. Mu desh të punoj shumë dhe në mënyrë intensive me veten time për të qenë një aktor i denjë dhe i adhurueshëm për publikun. Gjatë interpretimit të rolit të Sokolit për fat të mirë nuk kam pasur momente të vështira. Vetë Sokoli në film nuk është vetëm thjesht një gangster, ai mbart dy anët e “medaljes”: edhe i mirë dhe gangster”, thotë ai duke qeshur për Deutsche Welle-n.
Puna me regjisorin Petër Torwarth ishte një eksperiencë më vete dhe mrekullueshme për artistin shqiptar nga Tirana. Si para setit ashtu dhe gjatë setit, Kasemi nuk do ta harrojë kurrë këtë përvojë, sepse ajo ka bërë që t’ia pasurojë edhe më shumë perfeksionimin e tij aktoresk dhe t’ia shtojë edhe më shumë besimin në realizimin e ambicieve të tija për të ardhmen.
Angazhimet e tij në të ardhmen, edhe më të shumta
Në bisedë me Deutsche Welle-n ai do të veçojë edhe bashkëpunimin me aktorët e tjerë kolegë në këtë film, si Moritz Bleibtreu dhe Axel Stein.

“Për mua ishte një hap tjetër në zhvillimin tim si aktor. Ne harmonizonim në mënyrë të mrekullueshme çdo veprim me njëri-tjetrin, veçanërisht në dialogjet dhe batutat e improvizuara në film duke u bërë edhe më autentik. Nuk mund të mos përmend edhe Sony Picture që pranoi të bëhej distributori i filmit dhe që ishte po ashtu një përvojë e re për mua”.

Gjatë xhirimeve të këtij filmi, aktori shqiptar që jeton prej 24 vitesh në Gjermani, ka qenë i angazhuar edhe në një film tjetër televiziv që pritet të dalë në kanalin televiziv, ARD, në mars të këtij viti, filmi Tatort “Nick 2” me regji të Christina Alvart. Në këtë film aktori ka përballë një kundërshtar që interpretohet nga një aktor jo më pak i njohur se artisti Till Schweiger.

Ndërsa për angazhimet e tij në të ardhmen, ai është mjaft optimist: “Për fat të mirë për këtë vit janë firmosur edhe tre projekte, por që jam në bisedime edhe me oferta të tjera po për vitin 2014. Po ashtu këtë vit pritet të xhirohet edhe filmi shqiptar, “Golden” me regjisorin shqiptar Bujar Alimani ku unë aty kam rolin kryesor. I gjithë angazhimi im ka pasur nga pas agjencinë time mjaft e njohur. Punoj me një nga agjentët më të njohur gjermanë, megjithëse si çdo aktor edhe unë e kam kuptuar që agjencia nuk është gjithçka, por është vetë aktori dhe fati. Për fat mua këto dyja nuk më kanë munguar”, shprehet Kasem Hoxha shumë i entuziazmuar para premierës së filmit në Köln. /dw/