Eko Higjiena

Aktivitete kreative dhe mesazhe përfshirjeje në Kamenicë për Ditën Ndërkombëtare të Sindromës Down

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Kamenicë – Në shënim të Dita Ndërkombëtare e Sindromës Down, Komuna e Kamenicës ka organizuar një sërë aktivitetesh ndërgjegjësuese dhe gjithëpërfshirëse, me fokus promovimin e barazisë dhe pranimit të diversitetit në shoqëri.

Aktivitetet janë realizuar nga Njësia Komunale për të Drejtat e Njeriut, në bashkëpunim me Institucionin Parashkollor “Filizat”, prindërit e fëmijëve dhe me mbështetjen profesionale të logopedes Lineta Leci.

Fëmijët, së bashku me edukatoret, janë përfshirë në aktivitete kreative si vizatime, punime artistike, dekorime me çorape shumëngjyrëshe si dhe ngjyrosje simbolike të duarve me ngjyrat blu dhe të verdhë.

Përmes këtyre aktiviteteve është përcjellë një mesazh i qartë për dashuri, respekt dhe pranueshmëri për çdo fëmijë, pa dallim. Rëndësi të veçantë në organizim kanë pasur edhe prindërit, të cilët kanë kontribuar aktivisht dhe kanë mbështetur iniciativën si në aspektin organizativ ashtu edhe financiar.

ARKATANA

Kontribut të rëndësishëm ka dhënë edhe logopedia Lineta Leci, e cila ka ndihmuar në konceptimin dhe realizimin e aktiviteteve me vlerë edukative dhe gjithëpërfshirëse. Ndërkohë, ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së IP “Filizat”, Fatime Leci, theksoi rëndësinë e edukimit të hershëm për vlerat e respektit dhe përfshirjes.

Në kuadër të kësaj dite, janë prezantuar edhe “21 slogane për 21 Mars”, të përgatitura nga Koordinatorja e NJKDNJ-së, Nazmije Demolli Kastrati, të cilat janë vendosur në hapësirat e Shtëpisë së Kulturës “Isa Kastrati”, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit publik.

Gjithashtu, për qytetarët janë shpërndarë fletëpalosje informuese që synojnë promovimin e një shoqërie pa paragjykime dhe me mundësi të barabarta për të gjithë.

Organizatorët theksuan se mesazhi kryesor i kësaj dite mbetet respekti, dinjiteti dhe përfshirja e plotë e çdo individi në shoqëri, pavarësisht dallimeve./rajonipress/