Aktgjykimi i plotë i Kushtetueses ringjallë shpresat e PDK-së, por edhe “bllokut”

E drejta për të propozuar kryetarin i njihet Partisë Demokratike të Kosovës. E në rast se kjo nuk arrihet, u sugjerohet deputetëve të gjejnë një zgjidhje në mënyrë që të vazhdohet me konstituimin e plotë të legjislativit.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar edhe aktgjykimin e plotë për rastin e zgjedhjes së Isa Mustafës në postin e kryetarit të Kuvendit. Në aktgjykim, rikonfirmohet që zgjedhja e Mustafës ishte anti-kushtetuese.
Tutje, konstatohet se seanca konstituive e 17 korrikut nuk është e përfunduar me çka u sugjerohet partive parlamentare të vazhdojnë me pikën që ka të bëj me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
E drejta për të propozuar kryetarin i njihet Partisë Demokratike të Kosovës. E në rast se kjo nuk arrihet, u sugjerohet deputetëve të gjejnë një zgjidhje në mënyrë që të vazhdohet me konstituimin e plotë të legjislativit.
Menjëherë pas publikimit të aktgjykimit, ka reaguar kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi duke shkruar në profilin e tij në Facebook ku ka ftuar rivalët politik që të bashkëpunojnë për tejkalimin e këtij ngërçi politik.
“Tani le të punojmë bashkërisht për të implementuar rezultatin e zgjedhjeve nacionale të 8 qershorit. PDK si fituese e këtyre zgjedhjeve do të punojë me vullnetin gjeneroz dhe frymën mirëkuptuese me spektrin politik kosovar”, ka shkruar Thaçi.
Publikimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, sipas Thaçit e ka sqaruar qartë se si duhet të vijojë procesi i ndërtimit të institucioneve në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.
Mirëpo, analisti i Grupit për Studime Juridike dhe Politike, Fisnik Korenica vlerëson se vendimi i Kushtetueses nuk e ka qartësuar procesin e zgjedhjes së kryekuvendarit. Madje, sipas tij, ky aktgjykim mund të sjell komplikime të reja.
Pas aktgjykimit të Kushtetueses i shpejtë ka qenë edhe reagimi i koalicionit të partive Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma.
Sipas një komunikate të përbashkët, ky bllok i treshes vlerëson se me Aktgjykimin e Kushtetueses hapet rruga për krijimin e institucioneve nga blloku LDK-AAK-Nisma dhe partnerët e tjerë.
“Aktgjykimi, saktëson të drejtën dhe detyrimin kushtetues të deputetëve për të gjetur mënyrën për të zgjedhur Kryetarin e Kuvendit, i cili zgjidhet me shumicën e votave”, thuhet në komunikatë.
Koalicioni LDK-AAK-Nisma, bashkë me partnerët zotohet se mbetet i përkushtuar që institucionet të ndërtohen sa më parë, me qëllim që të jenë në funksion të interesave të qytetarëve te Kosovës.
Optimizmi i shprehur nga partitë politike se me aktgjykimin final të Kushtetueses po hapet rruga e konstituimit përfundimtar të Kuvendit dhe formimit të organeve të reja shihet me rezerva nga analisti Fisnik Korenica.
Sipas tij, duke i dhënë të drejtën vetëm PDK-së që të nominoj kryetarin e Kuvendit ndonëse pritjet janë që kjo parti politike nuk do të mund t’i sigurojë 61 votat e nevojshme, mund të qoj vendin në një bllokadë mjaftë të rëndë, ku as nuk parashihet rrugëdalja e as shkuarja në zgjedhje.
Në seancën e 17 korrikut, pa praninë e deputetëve të partisë më të madhe, PDK-së, 83 deputetë më 65 vota për kishin zgjedhur Isa Mustafën në postin e kryetarit të Kuvendit.
Mirëpo, kjo zgjedhje u kontestua më pas nga PDK-ja, e cila e dërgoi lëndën në Gjykatën Kushtetuese.
Me vendimin e saj, Kushtetuesja pranoi kërkesën e PDK-së dhe shpalli të pavlefshme zgjedhjen e Mustafës.
Në të njëjtin vendim, Gjykata konsideron se kryetari i Kuvendit duhet të kandidohet nga Grupi më i madh parlamentar.
Andaj, me këtë interpretim këtë të drejtë ia njihte PDK-së si fituese e zgjedhjeve. Kurse koalicioni LDK, AAK dhe Nisma mund të konstituohet si Grup vetëm pasi që të zgjidhet kryetari i Kuvendit. /rel/