Eko Higjiena

Aktakuzë për krime lufte ndaj S.A. – dyshohet për vrasjen e 13 civilëve në komunën e Gjilanit

/ 2 minuta lexim
Hidromorava

Prishtinë/Gjilan – Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj S.A., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, lidhur me ngjarje të rënda të ndodhura gjatë luftës në Kosovë.

Sipas aktakuzës, i pandehuri dyshohet se në periudhën 1998–1999, në fshatin Llashticë të komunës së Gjilanit, në bashkëkryerje me pjesëtarë të forcave policore, paramilitare dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në krime lufte ndaj civilëve të nacionalitetit shqiptar.

Prokuroria bën të ditur se më 30 prill 1999, rreth orës 13:00, S.A. dyshohet se ka qenë i përfshirë në vrasjen e 13 civilëve, si dhe në plagosjen e katër personave të tjerë.

FIDANISHTJA

Në njoftimin zyrtar thuhet se ekziston dyshim i bazuar se i pandehuri ka ekzekutuar viktimën H.H. dhe më pas ka urdhëruar që të shtihej ndaj civilëve të tjerë, të cilët janë vrarë një nga një. Këto veprime, sipas Prokurorisë, përbëjnë shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare humanitare.

Duke u bazuar në nenet 234 dhe 303 të Kodit të Procedurës Penale, Prokuroria Speciale i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë që gjykimi ndaj S.A. të zhvillohet në mungesë, pasi i pandehuri është i paarritshëm për organet e drejtësisë.

Prokuroria Speciale ka theksuar se mbetet e përkushtuar në ndjekjen penale të krimeve të luftës dhe në sigurimin e drejtësisë për viktimat dhe familjet e tyre, pavarësisht kohës së kaluar nga kryerja e veprave penale.