Aktakuzë ndaj dy ish – ushtarakëve serbë për vrasjen e 27 shqiptarëve

/ 2 minuta lexim
Fundamenti

Beograd – Prokuroria për krime lufte në Serbi ka ngritur aktpadi kundër oficerit të Ushtrisë së Serbisë (US) Pavle Gavriloviq (1965) nga Leskovci dhe kundër nënoficerit Rajka Kozlina (1976) nga Beogradi për vrasjen e 27 personave civilë në Ternje të Suharekës, Kosovë, më 25 mars 1999, ka kumtuar Prokuroria, njofton Beta.

Në aktakuzë theksohet se Gavriloviq e Kozlina, si ish- pjesëtarë të Brigadës së motorizuar 549 të Ushtrisë së Serbisë, bashkë me të tjerë të paidentifikuar nga Prapavija e batalionit, kanë vrarë 27 civilë, banorë të Tërnjes, meshkuj pleq, gra e fëmijë, ndër të cilët edhe një katërvjeçar.

“Gavriloviq, i cili ka urdhëruar sulmin kundër civilëve në fshat, më 25 mars ka tubuar vartësit e tij, ndër të cilët edhe Rajka Kozlina, dhe dha urdhër që të vriten civilët me fjalët: “’Nuk guxon të mbetet asnjë i gjallë”, thuhet në kumtesë.

UBT

Sipas këtij urdhri, kjo do të thoshte spastrim fshati dhe vrasje banorësh, saktëson Prokuroria.

Eprorët, ndër të cilët edhe togeri Kozlina, i ndau ushtarët në tri grupe lufte që hynë në fshatin Ternje dhe gjatë aksionit vranë të paktën 27 banorë.

Gavriloviq dhe Kozlina ngarkohen me veprën penal krime lufte ndaj popullatës civile.