ARKATANA

Aktakuzat e Speciales do ta tronditin opinionin në 2019

/ 17 minuta lexim
KKVITI

Analistët politikë dhe njohës të fushës së sigurisë presin që pas ftesave të para intervistuese nga Gjykata Speciale, që kanë filluar t’u bëhen këtë vit disa prej figurave të caktuara, viti vijues 2019, përkatësisht tremujori i parë, do të jetë periudhë kohore kur do të fillojë edhe ngritja e aktakuzave të para nga Gjykata Speciale.

Zeqa: Bazuar në raportin e senatorit Marti dhe ftesat e deritanishme për intervistim nga Prokuroria e Speciales, skena politike do të pësojë goditje të rëndë

“Gjykata Speciale ka për të zbardhur shumëçka dhe jo vetëm këtë, por ka për të tronditur opinionin publik dhe jo vetëm ku flitet shqip. Do të zbardhen edhe vrasësit, edhe spiunët që kanë bashkëpunuar me Serbinë fashiste, por edhe disa vrasje të pasluftës, që nga frika se do të zbardhen disa gjëra edhe i kanë hequr qafe, që të mos hetohen që edhe disa kanë qenë të lidhur me spiunim dhe janë bërë që të humben gjurmët”, thotë analisti Reshat Badallaj për “Kosova Sot”

Analistët politikë dhe njohës të fushës së sigurisë presin që pas ftesave të para intervistuese nga Gjykata Speciale, që kanë filluar t’u bëhen këtë vit disa prej figurave të caktuara, viti vijues 2019, përkatësisht tremujori i parë, do të jetë periudhë kohore kur do të fillojë edhe ngritja e aktakuzave të para nga Gjykata Speciale.

Sidoqoftë, ka fare pak optimizëm që Gjykata Speciale të arrijë të zbardhë të gjitha krimet e pasluftës, duke e përfshirë periudhën qershor 1999 deri në fund të vitit 2000, sidomos ato që ndërlidhen me krimet ekonomike të bëra deri në fund të vitit 2000, nga kjo klase politike e inkriminuar. Analistët nuk presin ndonjë situatë të jashtëzakonshme turbullirash që mund të sjellë veprimi i kësaj gjykate, porse do të ndodhë një pastrim i skenës politike, e cila do të pësojë një goditje serioze, për shkak se nëse shohim raportin e senatorit Marti, aty gjejmë emra goxha të rëndësishëm. Kjo goditje do të ndodhë dhe shumë emra të mëdhenj do të pensionohen nga politika, sepse po qe se shihet dhe trajtohet secila aktakuzë që do të përfshijë një ose më shumë nga këta emra, do të ndikojë shumë edhe në konfigurimin e ardhshëm të skenës politike të Kosovës.

Salihaj: Shteti, në duart e kriminelëve

Ish-deputeti i LDK-së, Adem Salihaj, shpreson që të gjitha krimet e barë gjatë periudhës së luftës, deri në mbarimin e saj dhe në vitin e parë pas luftës, do të trajtohen nga kjo gjykatë, derisa krimet e tjera pas periudhës së vitit 2001 e këndej duhet të trajtohen nga gjykatat e rregullta vendore, por vetëm pas dekriminalizimit të sistemit të drejtësisë kosovare. ”Shpresoj se Gjykata Speciale do t’i ndriçojë së paku krimet e rënda që janë kryer deri më 31 dhjetor 2000. Nëse vërtet kjo Gjykatë vepron sipas ligjeve të miratuara në Kuvendin e Kosovës, atëherë mund të bëjë shumë në zbardhen e shumë krimeve që janë kryer në periudhën kohore,për të cilën ka kompetenca kjo Gjykatë. Sa u përket krimeve të kryera pas 31 dhjetorit 2000, ato mund t’i trajtojnë vetëm gjykatat e Kosovës. Në situatën e tashme,kjo nuk mund të ndodhë,sepse edhe gjykatat, edhe Prokuroria dhe Policia janë të gjitha të kapura nga krimi. Lufta jonë do të jetë që ne ta bëjmë një shtet të vërtetë, ku sundon ligji dhe i dërgon kriminelët prapa grilave. Deri atëherë, ne do të jemi në dorën e kriminelëve”, tha Salihaj për “Kosova Sot”.

Zeqa: Shumëçka do të zbardhet për luftën

Sipas analistit Florim Zeqa, fillimi i punës së Gjykatës Speciale në tremujorin e parë të vitit 2019 edhe do të mund ta trazojë skenën politike kosovare. “Bazuar në raportin e senatorit Marti dhe ftesat e deritanishme për intervistim nga Prokuroria e Speciales, skena politike do të pësojë goditje të rëndë. Secila nga aktakuzat do të përfshijnë më shumë se një emër, gjë e cila do të ndikojë jashtëzakonisht shumë në konfigurimin e ardhshëm të skenës politike. Gjykata e njëanshme Speciale, e ardhur si produkt i skenës së inkriminuar politike, nuk pritet të zbardhë krimet e pasluftës në Kosovë, e aq më pak krimet ekonomike të bëra nga klasa politike në pushtet dhe opozitë. Gjatë proceseve të Gjykatës Speciale, qytetarët e vendit do ta kenë rastin të njihen për herë të parë nga shumë të pathënat e padëgjuarat të luftës dhe pasluftës në Kosovë. Por, kjo nuk do të thotë që do të zgjidhen problemet, vetëm se do të hapen tema të reja akoma më të nxehta. Populli i Kosovës nuk guxon të krijojë iluzionet se Specialja do t’i zgjidhë problemet e akumuluara për dy dekada, por duhet të përgatitet për surprizat dhe të papriturat, për sfidat dhe mundimet në përballje me sfidat e kohës. Pjesa jashtë Gjykatës Speciale i mbetet popullit të Kosovës, për largimin sa më parë nga skena politike e të korruptuarve dhe të inkriminuarve, kriminelëve dhe hajduteve që kanë uzurpuar skenën politike dhe ngufatur jetën e lirë në shtetin e Kosovës”, tha Zeqa për “Kosova Sot”.

Miftari: Kjo gjykatë nuk do ta pastrojë bërllokun politik dhe kriminal të Kosovës

Njohësi i fushës së sigurisë Naim Miftari, njëherësh edhe veteran i luftës, mendon se Gjykata Speciale në Hagë është Gjykatë jo e drejtë, Gjykatë politike ndaj të ligut ose viktimës, pasi kjo Gjykatë nuk merret me krimet e luftës dhe gjenocidin që e ka bërë Serbia ndaj nesh, ndaj shqiptarëve të Kosovës, por sidoqoftë ajo është votuar, pranuar dhe ftesave duhet t’u përgjigjen të gjithë për ta dëshmuar pastërtinë e luftës, por edhe për të ballafaquar me ndonjë shkelje eventuale të ligjeve të luftës. “Kjo Gjykatë është formuar nga raporti i parlamentarit zviceran Dik Marti, ku UÇK-ja akuzohet se kinse ka bërë tregti me organe të serbëve, çka është një sajesë e sëmurë e përkrahur e financuar nga lobi serbo-rus dhe DUMA Ruse. Por, në këtë raport, kur vjen fjala te krimi i organizuar dhe vrasjet politike, Dik Marti ka shumë të drejtë dhe arrestimet e disa pjesëtarëve të UÇK-së priten të ndodhin gjatë fundit të pranverës. E sa i përket skenës politike nuk besoj se do të ketë shumë dridhje, pasi do preken nga pak të gjithë, pasi në fakt kjo Gjykatë do të dënojë dhe do të hetojë vetëm shqiptarët, për çka e bën atë edhe Gjykatë selektive dhe jo të drejtë. Arsyeja tjetër pse nuk është e drejtë kjo Gjykatë është se të merresh me krimet e luftës në Kosovë dhe të mos e gjykosh xhelatin e Ballkanit, Serbinë, është hajgare me qindra mijëra viktima të pafajshme të vrara nga forcat e armatosura dhe formacionet paramilitare të Republikës të Serbisë është hajgare me drejtësi”, u shpreh ai. “Hajgarja tjetër me viktima bëhet kur të ndodhë dënimi i krimit të organizuar dhe krimet e vrasjet politike të bëra gjatë luftës dhe pas luftës, e të mos e akuzosh fare Hashim Thaçin, edhe kjo është hajgare e pakripë e kësaj Gjykate, pasi pikërisht kjo Gjykatë është formuar nga akuzat e raportet ku Hashim Thaçi është bosi i krimit të organizuar dhe urdhëruesi i vrasjeve politike. Edhe votimi i kësaj Gjykate është bërë me ndikimin e Hashim Thaçit, ku ka detyruar deputet e Parlamentit me dhunë dhe me shantazhe dhe me korrupsion që ta votojnë këtë Gjykatë të padrejtë që Kosovën do ta mbajë peng shumë vjet. Shumë lehtë mundet që edhe vetë të jemi dëshmitarë apo aktorë në këtë Gjykatë ndërkombëtare, por nëse përballë në bankën e të akuzuarve nuk ulet Republika e Serbisë dhe Hashim Thaçi personalisht, nuk do të dëshmojë asgjë, pasi të falësh serbin dhe Hashim Thaçin nga akuza këtë Gjykatë e bën cirk, ku bëhet skenë për t’i argëtuar disa qarqe antishqiptare në Evropë”, vijoi më tej Miftari. “UÇK-ja në kohë lufte nuk ka bërë krime të luftës, gabime dhe krime të individëve ka, por janë minimale në kohë luftës, ku UÇK-ja ka qenë ushtri rebele vullnetare pa komanda të mirëfillta edhe ku ka pasur vrasje dhe dhunë politikë gjatë luftës ose pas saj fjalën kryesore dhe urdhrat për ato krime janë dhanë nga Hashim Thaçi, i cili do të jetë dëshmitar i Prokurorisë …! UÇK-ja ka bërë luftë të pastër, me shumë pak gabime, edhe pse ushtri vullnetare dhe jo e organizuar, po që megjithatë i turpëron shumë ushtri botërore që edhe sot janë ushtri të rregulla të shteteve demokratike e po shfarosin qindra mijëra apo miliona njerëz, edhe pse është kohë moderne. Pra, atyre ushtrive deri më tash nuk u bëri askush gjykata ose gjykime, ndërsa UÇK-ja për dhjetëra kinse viktima po i bëhen që 20 vjet gjykime të vazhdueshme. Pra, kjo Gjykatë nuk do ta pastrojë bërllokun politik dhe kriminal të Kosovës, por vetëm do ta mjegullojë akoma më shumë Kosovën dhe ligjin ku do të dënohet çdo kriminel, pa marr parasysh a është politikan shqiptar apo serb, apo rom, që do të duhej të dënoheshin drejt dhe pa asnjë dallim. Unë mendoj se të gjitha krimet e pasluftës nga viti 2001 e këndej duhet t’i hetojë vetë Kosova, dhe nuk do të duhet t’i falet krimi askujt, pa marrë parasysh llojin e krimit dhe kush e ka bërë atë ”, tha Naim Miftari.

Hidromorava

Kredibiliteti i Speciales, në pikëpyetje

Edhe sipas analistes Liridona Bislimi, lufta e Kosovës ishte luftë e shenjtë për shqiptarët, por ajo u keqpërdor në mënyrat më të këqija të mundshme nga disa individë, të cilët nuk është dashur të jenë fare aty, e kjo do të vërtetohet edhe më mirë, kur Gjykata Speciale të fillojë punën, ku do të zbardhë edhe krimet e pasluftës, duke e përfshirë periudhën qershor 1999 deri në fund të vitit 2000, si edhe ndoshta edhe krimet ekonomike të bëra deri në fund të vitit 2000 nga kjo klasë politike e inkriminuar, edhe pse besimi dhe kredibiliteti i kësaj Gjykate po humbet akoma pa e filluar punën si duhet.“Tani për tani, Gjykata Speciale të ngjan në një institucion që pa filluar punën ka humbur kredibilitetin, sepse po bëhen dy vjet që është themeluar, por ende nuk ka filluar me ngritje të aktakuzave, dhe nëse Gjykata Speciale nuk fillon punën në fillim të këtij viti edhe me arrestime të krerëve kryesorë të krimeve gjatë dhe pas lufte, mund të thuhet se do të zbehet shumë imazhi i saj dhe potenciali për të qenë i suksesshëm”, u shpreh ai. “Shpresojmë që së shpejti të dalin të gjitha të vërtetat, pasi disa persona të veshur me maskën e çlirimtarit në të vërtetë nuk janë të tillë, por përfitues e të cilët duhet edhe të marrin dënimin e merituar dhe kështu edhe populli do të mësojë shumëçka gjatë këtyre proceseve gjyqësore, pra të pathënat e luftës e sidomos pasluftës”, theksoi Bislimi për “Kosova Sot”.

Badallaj: Do të zbardhen edhe vrasësit edhe spiunët që kanë bashkëpunuar me Serbinë fashiste

Ndërsa, analisti politik Reshat Badallaj mendon se Gjykata Speciale veç është përgatitur për të filluar në fillimin e vitit 2019, dhe mund të pritet që të bëjë tërmet serioz në politikën e Kosovës, për ndryshime dhe pastrime të skenës politike. “Gjykata Speciale ka për të zbardhur shumëçka dhe jo vetëm këtë, por ka për të tronditur opinionin publikë dhe jo vetëm ku flitet shqip. Do të zbardhen edhe vrasësit edhe spiunët që kanë bashkëpunuar me Serbinë fashiste,por edhe disa vrasje të pasluftës që nga frika se do të zbardhen disa gjëra edhe i kanë hequr qafe, që të mos hetohen që edhe disa kanë qenë të lidhur me spiunim dhe janë bërë që të humben gjurmët”, tha potencoi ai. Badallaj thotë se ai do të dëshironte që Gjykata Speciale të merret edhe me kriminelët e nëntokës kriminale, pra me mafio-oligarkët që e kanë goditur për vdekje buxhetin e shtetit, që e kanë vjedhur djersën e taksapaguesve, pasi pa më të voglin dyshim adresa e këtyre hajnave nuk duhet kërkuar askund pos në banditët e organeve të larta shtetërore, që nga Presidenca, qeveritë kuislinge, Kuvendi rrugaçësh e vagabondësh, te bandat politike që nga kryebanditët dhe banditët e deri te sistemi i kalbur gjyqësor argat të deridjeshëm të Serbisë fashiste.

Aliu: Tremujori i parë i 2019-s, intensiv

Edhe analisti politik Bislim Aliu konsideron se mbetet e mangët kjo Gjykatë, nëse nuk i trajton të gjitha krimet serioze të pasluftës në Kosovë, që nuk i ka trajtuar deri më tani drejtësia kosovare. “Kam përshtypjen se tani do të fillojë të ngritën aktakuzat e para të Gjykatës Speciale, që në tre muajt e parë të vitit 2019. Gjykata Speciale duhet që t’i trajtojë edhe krimet e pasluftës, duke e përfshirë periudhën qershor 1999 e deri në fund të vitit 2000. Kjo Gjykatë duhet t’i trajtojë edhe krimet ekonomike të bëra deri në fund të vitit 2000 nga kjo klasë politike e inkriminuar. Dhe, për këtë, populli do të mësojë shumëçka gjatë këtyre proceseve gjyqësore të pathënat e luftës dhe të pasluftës. Dhe, nëse shohim raportin e senatorit Marti, ku gjejmë emra goxha të rëndësishëm, skena jonë politike do të pësojë goditje të rëndë. Gjykata Speciale ka punë të vështirë, që të zbardhen shumë gjëra të panjohura, në mënyrë që kjo skenë politike kosovare të pastrohet njëherë e përgjithmonë dhe Kosova jonë, të ecë përpara drejt përparimit në të gjitha poret e jetës”, tha Aliu për “Kosova Sot”.

Qytetarët besojnë në luftën e UÇK-së

Edhe qytetarët e anketuar theksojnë se derisa vetë të zgjedhurit e popullit e kanë votuar këtë Gjykatë të padrejtë, ndonëse pa dëshirën e tyre, me presion dhe me shantazhe të ndryshme, por megjithatë i kanë dhënë epitetin e Gjykatës së Kosovës, atëherë çdo ftesë për intervistë, por edhe për ballafaqim me të vërtetën e luftës së pastër duhet të respektohet, sepse përfundimi i saj do të jetë përsëri në favor të luftës së pastër që ka zhvilluar UÇK-ja. Një opinion të tillë ka qytetari Adem Munishi nga Orllani i Podujevës. “Sa i përket Gjykatës Speciale, unë mendoj që opinioni publik i Kosovës dhe qytetarët nuk kanë përse të shqetësohen dhe as të trazohen tani, sepse atë shikuar realisht e kemi votuar vetë, e ka votuar Kuvendi i Kosovës me shumicën e votave të deputetëve në mandatin e kaluar, dhe tani kjo Gjykatë vepron brenda kornizës ligjore të Kushtetutës së Kosovës, sado që është e vendosur me seli jashtë Kosovës, në Hagë. Unë mendoj që as ne si qytetarë, pos as ata që do të jenë objekt i akuzës, apo në cilësinë e dëshmitarit, nuk duhet t’i frikësohemi Gjykatës, sepse dihet botërisht që lufta jonë ishte e drejtë, dhe duke bërë luftë të drejtë patëm edhe mbështetje të fuqishme ndërkombëtare nga aleatët e dëshmuar të NATO-s që mbështeten luftën dhe popullin e Kosovës”, u shpreh ai. “Tani shumica nga ata që mund të jenë edhe objekt i akuzave nga Gjykata Speciale janë të dëshmuar për pastërtinë e tyre dhe të krejt luftës së UÇK-së në disa procese gjyqësore para Gjykatës së Hagës për krimet e luftës në ish- Jugosllavi, prandaj asnjë ish- ushtar i UÇK-së, asnjë komandant që do të ftohet për t’u gjykuar apo për të dëshmuar, nuk duhet t’i frikësohet kësaj Gjykate, sepse gjithsesi do të dalim përsëri fitimtarë përballë akuzave dhe shpifjeve që janë bërë kinse për krime lufte nga ana e Serbisë, për t’i mbuluar vetë Serbia krimet që i ka bërë në Kosovë e për të cilat është e njoftuar e gjithë bota e civilizuar dhe demokratike, dihet që kjo Gjykatë është votuar përkundër vullnetit të deputetëve, sepse e kam përcjellë atë seancë dhe e kemi vërejtur që të gjithë ata që kanë votuar kanë pasur presion ta votojnë atë, presioni që ju ka ardhur atyre nga kryetarët e partive politike që është dëm i madh për imazhin e Kosovës, por megjithatë e vërteta herët a vonë do të dalë në shesh e pastër si loti”, tha Adem Munishi.

Edhe qytetari tjetër Selver Lenjani nga Karaqeva e Kamenicës mendon që kjo sfidë e pastrimit final të luftës së UÇK-së nga shpifjet e Serbisë do të tejkalohet pa tronditje të mëdha, por klasa politike duhet të jetë e kujdesshme që në finale të bisedimeve me Serbinë të mos dorëzohet dhe të bëjë pazare me territore. “Unë nuk besoj që skena politike do të provokohet nga fillimi i punës së kësaj Gjykate Speciale, edhe trazirat nuk janë të pritshme, sipas mendimit tim, pasi edhe ashtu qytetarët janë lodhur shumë nga e gjithë kjo skenë politike e pasluftës e cila nuk bëri gjë në të mirë të interesit të tyre, pavarësisht se a bëhet fjalë për krahun e luftës apo të paqes. Qytetarët janë ngopur me të gjithë përfaqësuesit e lartë e të vegjël të këtyre partive politike, madje edhe me shumë komandantë dhe liderët që nuk shpëtuan pa u korruptuar. Mirëpo, unë mendoj që deputetët kanë qenë nën presionin e madh të presidentit aktual Hashim Thaçit që ta votojnë këtë Gjykatë Speciale, prandaj ai tani akoma i kontrollon këto parti politike dhe nuk besoj që do të dalë situata jashtë kontrollit për të prodhuar trazira dhe situata krizash”, vlerësoi ai. Sipas Lenjanit, duhet të jemi të vetëdijshëm që lufta jonë ishte e drejtë.

(Kosova Sot)

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.