KKGJILAN

AKR thërret për drejtësi në rastin “Grandi”

/ 3 minuta lexim

Aleanca Kosova e Re (AKR) ka shprehur zhgënjimin me punën dhe efikasitetin e institucioneve të rendit dhe ligjit, në raport me menaxhimin e situatës me rastin e “Grandit”.

Ky subjekt politik e konsideron të pacenueshëm rendin dhe ligjin dhe vlerëson se tendenca e politizimit të situatës ka krijuar konfuzion dhe paqartësi në opinionin publik.

“Ne besojmë se paanshmëria e sistemit ligjor përbën thelbin e një shteti funksional, parakusht për shoqëri të lirë demokratike dhe ekonomikisht të zhvilluar.
Rasti i fundit si dhe shumë të tjerë para tij, ngritin dyshime serioze në funksionim e shtyllës së rendit dhe ligjit në Kosovë, duke filluar nga rrjedhja e informatave, tek mos fillimi i hetimeve me kohë, e deri tek përdorimi i dëshmive të prokurorisë për qëllime politike”, thuhet në një kumtesë të lëshuar nga AKR-ja.

AKR-ja thërret prokurorin e shtetit që për hir të informimit të drejtë dhe kredibilitetit të institucionit, zyrtarisht të jep përgjigje për qytetarët e Kosovës për disa lëshime serioze të cilat ky institucion i ka bërë në rastin e “Grandit”: Si dhe pse rrodhi dosja e deklaratave të Grandit një muaj pas dhënies së këtyre deklaratave?

Në regimin e këtij subjekti politik më tej thuhet se “pse menjëherë pas marrjes së këtyre deklaratave nuk filluan hetimet për personat e përmendur në deklarata, por u desh të publikohet lajmi me pompozitet dhe pastaj të fillojnë manipulimet mediatike? Pse nuk deklarohet publikisht prokuroria për rastin por manipulohet opinioni me ‘burime brenda prokurorisë’?”.

Mobi Casa

AKR beson në drejtësinë në Kosovë dhe thërret në efikasitet dhe në pa anshmëri. AKR beson se rendi dhe ligji janë dhe do të mbeten mbi politikën ditore dhe se assesi nuk duhet të përdoren si vegla politike.

Kjo vlen edhe më tepër sot, kur institucionet e zgjedhura nga qytetarët e Kosovës duhet të ndërtojnë konsensus të brendshëm e të jashtëm, para sfidave të rëndësishme që na presin në rrugën e integrimit Evropian.

“Subjekti ynë politik, beson ende se në Kosovë ka forcë dhe energji konstruktive për të kthyer besimin në rend dhe ligj, por me një qasje serioze dhe rezultate konkrete që ofrojnë garanci për qytetarët e Republikës së Kosovës”, thuhet në kumtesën e AKR-së.

Në fund thuhet se “AKR me terë forcën dhe kapacitetin është duke kontribuar drejt një qeverisje transparente dhe llogaridhënëse në Kosovë”.