AKP rinxjerr në shtije Farmakos-in

Agjencia Kosovare e Privatizimit ka nxjerrë sërish në shitje fabrikën për prodhim të ilaçeve “Farmakos”, raporton KTV.
Mirëpo, një hap i tillë po kundërshtohet nga personat që e kanë menaxhuar deri tani. Ata nëpërmjet gazetës kanë kërcënuar çdo të interesuar që provon të blejë ndërmarrjen.
Naser Ahmeti kishte thënë në këtë letër se vendimi i AKP-së ka dhjetë vjet që po e konteston pronësinë e kësaj ndërmarrjeje. Naseri pranoi që bashkë me avokatin e tij të jepte informacione për KTV-në rreth këtij veprimi, por më pas ai më nuk e hapi telefonin, me gjithë insistimin e vazhdueshëm për të rënë në kontakt me të.
Nga ana tjetër, zyrtarë të AKP-së kanë bërë të ditur se rishitja e kësaj ndërmarrjeje po bëhet me vendim të Dhomës së Veçantë të Gjykatës Supreme.
Farmakosi ishte shitur në fillim nga Agjencia Kosovare e Mirëbesimit më 2003.
Në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, Farmakosi është i regjistruar tri herë. Farmakos është themeluar në korrik të 1963-ës në Prizren, në fillim si fabrikë për përpunimin e bimëve mjekuese, kurse pas 5 vjetësh shndërrohet në prodhues të barnave.
© KOHA. net