AKK: Pacolli i pastër, s’ka prova për konflikt interesi
Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) ka mbyllur rastin pa konflikt interesi për zv.kryeministrin Behgjet Pacolli, për shkak se nuk ka prova të mjaftueshme që vërtetojnë dyshimin e bazuar për ekzistimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik.
AKK, përmes një komunikate për medie, njofton se pas denoncimit të rastit për të cilin është dyshuar se ka pas situatë të konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, me rastin e nënshkrimit të një Memorandumi Mirëkuptimi në mes të Qeverisë së Kosovës dhe një Konsorciumi firmash ndërkombëtare; Pacollit i ishte bërë shkresa e parë njoftuese.
“Rasti në fjalë është trajtuar sipas procedurës së paraparë ligjore, për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në ushtrimin e funksionit publik”, thuhet në komunikatën e AKK-së.
Ndërkaq, Agjencia Kundër Korrupsionit lidhur me ketë rast ka siguruar dokumente të nevojshme për të nxjerr vendimin e vet për këtë situatë. “Dokumentet e kërkuara, i janë ofruar Agjencisë kundër Korrupsionit e ndër to edhe një letër përcjellëse e shkruar nga vet zëvendëskryeministri Pacolli, në të cilën ai ka deklaruar se nuk ka asnjë interes të tij privat që lidhet me nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit”, thuhet më tej në komunikatë.
AKK, pasi ka analizuar dokumentet e ofruara, ka konstatuar se në Memorandumet e nënshkruara në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Zëvendëskryeministri Pacolli, dhe Konsorciumit të Firmave Oceanmar Services Ltd e Seagas International Ltd, me Qeverinë e Nigerisë, nuk ka asnjë lloj papajtueshmërie të funksioneve.
“Sipas dokumenteve që Agjencia kundër Korrupsionit i ka siguruar, në të gjitha këto raporte, z. Behgjet Pacolli ka përfaqësuar Republikën e Kosovës dhe në asnjë nga këto prova, nuk shihet se ai është përfaqësues i firmave private ndërkombëtare”, theksohet në komunikatë.
AKK thekson më tej se në informacionet zyrtare mbi bizneset e përmendura, shihet se Pacolli, në to nuk ka as pjesë të pronësisë, e as nuk ushtron asnjë funksion menaxhues në to. “Kështu, në bazë të këtyre informacioneve zyrtare, Agjencia ka konstatuar se nuk ka pas situatë të konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, gjithnjë duke u bazuar në Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në ushtrimin e funksionit publik”. /Telegrafi/