Akademia, me tetë botime të reja

Prishtinë – Një tavolinë e vogël e vendosur përpara një tryeze në formë gjysmërrethi ku janë ulur kryetari i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe dy akademikë të tjerë, nuk ka pasur hapësirë të bollshme për t’i vendosur tetë librat të cilat janë promovuar të premten në mesditë.
Megjithatë, organizatorët e kësaj ngjarjeje kishin bërë një zgjidhje duke i vendosur disa nga titujt në tavolinën kryesore, teksa ballinat e të tetë librave shfaqeshin në një televizor të ngjitur në skaje të murit, mbi kokat e akademikëve.
E krejt kjo nuk ka qenë pengesë që pjesëmarrësit në këtë promovim të kuptonin se bëhej fjalë për librat “Arkitektura folklorike e rajonit të Prizrenit në shekujt XVIII-XIX” i autores Shpresë Siqeca, “Aspekti etnik i migrimeve, shqiptarët në rrjedhat e shpërnguljeve të dhunshme” i Hivzi Islamit, “Politika, lufta dhe diplomacia – anarkia ndërkombëtare dhe e drejta” i Muhamedin Kullashit dhe disa botime të dala nga konferenca, tryeza e kolokuiume shkencore.
Nga konferenca shkencore ka dalë botimi “Shqipja dhe gjuhët e Ballkanit”, nga tryeza shkencore botimi “Shfrytëzimi i qëndrueshëm i pasurive natyrore”, nga kolokuiumi shkencor “Sfidat e shtetndërtimit dhe e ardhmja e Kosovës, “Studime 18” dhe “Vjetari 2011” i Akademisë së Arteve dhe të Shkencave të Kosovës.
I pari që ka marrë fjalën ka qenë vetë kryetari i ASHAK-ut, Hivzi Islami, sipas të cilit, akademia në historikun e saj, me gjithë problemet financiare, ka arritur të botojë shumë vepra të të gjitha fushave që kanë pasur rëndësinë e tyre. Por ai nuk ka lënë pa përmendur, duke kritikuar rëndë, edhe disa botime që po bëhen kohëve të fundit e që nuk kanë bazë shkencore. Islami – i cili ka ardhur në krye ASHAK-së muaj më herët – nuk ka folur me tituj apo autorë konkretë, por është mjaftuar duke thënë se shumë botime të këtyre viteve po bëhen duke u thirrur në patriotizëm e kinse të shkruara e të bazuara në shkencë.
“Por ato janë në dëm të shkencës dhe të së vërtetës. I sjellin dëm shoqërisë”, ka thënë Islami. Sipas tij, shumë botime të këtij lloji, promovohen me pompozitet duke i ngjarë një karnavali. “Njerëzit pa asnjë ditë shkollë profesionale dalin me pretendime të mëdha, madje dalin e shkruajnë histori kombëtare e vlerësuesit e tyre gjithashtu pa asnjë ditë shkolle japin kinse kritikë”, ka thënë Islami. “Shkruajnë libra historikë pa e ditur as osmanishten e as sllavishten e vjetër. E kjo histori e cila nuk është mbi nivelin e hartimeve shkollore, thotë se ne kinse nuk e paskemi prejardhjen prej ilirëve por prej pellazgëve”. Por Islami nuk ka folur gati fare për botimet e reja të Akademisë.
Për ta bërë këtë ua ka dhënë fjalën akademikëve Pajazit Nushi e Rexhep Ismajli. Akademik Nushi ka folur edhe për librin e Islamit, duke e cilësuar botim të një rëndësie të veçantë. Ai ka dhënë kritikë pozitive edhe librave të Muhamedin Kullashit, i cili është anëtar i jashtëm i ASHAK-së dhe anëtar i Akademisë Evropiane të Arteve e Shkencës. Ndërsa duke folur për librin e Shpresë Siqecajt, Nushi ka thënë se etnologia përmes këtij libri ka dhënë një përshkrim të shkurtër të tipave kryesore të shtëpive dhe kullave fshatare, objekteve të enterierit dhe enëve shtëpiake.
“Përshkrimi i këtillë ka përfshirë objektet e përmendura në Prizren, Rahovec, Therandë, Dragash, Mamushë dhe Malishevë”, ka thënë Nushi. E akademiku Rexhep Ismajli ka folur më shumë për librin “Shqipja dhe gjuhët e Ballkanit”, që ka dalë nga Konferenca Shkencore e organizuar nga ASHAK-u dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Shqipërisë, vitin e kaluar.
“Kjo konferencë tregoi qartë që Prishtina e Tirana tashmë i kanë marrë rolet e tyre prijëse në studimet albanistike dhe fare logjikshëm pas arritjeve të tilla shkencore duhet ta gjejnë edhe rolin e tyre në studimet ballkanistike”, ka thënë Ismaili. “Mendoj se botimi që kemi përpara do të referohet gjatë në këto studime”, shkruan sot “Koha Ditore”