RCCOLA

Ajeti: Sfidë intervenimi në aksidentet e trafikut

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Komiteti për Shërbime Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim i kryesuar nga Shaqir Ukshini, unanimisht ka rekomanduar për Kuvend raportin dhe planin e punës të kësaj drejtorie, pas elaborimit nga ana e drejtorit për Mbrojtje dhe Shpëtim Blerton Ajeti. Sfidë për ne mbetet intervenimi në aksidente trafiku, për arsye që marrin shumë kohë, por edhe në aspektin emocional janë intervenime shumë të rënda ka thënë Ajeti.

Blerton Ajeti, tha se vitin që kemi lënë pas është karakterizuar me më shumë intervenime të cilat janë kryer me sukses. “Objektiv i drejtorisë sonë ka qenë respektimi i ligjit për emergjencë dhe vendimeve të Kuvendit të Komunës, ndërsa gatishmëria për të intervenuar është gjithnjë sipas prioriteteve, prioritet i parë është jeta e qytetarit, mbrojtja e pasurisë shtetërore në këtë rast komunale dhe kontrollin e gjendjes në hapësirën e Komunës. Si drejtori kemi bashkëpunim shumë të mirë me të gjithë akterët përbrenda komunës, duke filluar nga Policia e Kosovës e deri te OJQ-të dhe qytetarët, të cilët përherë i falënderojmë për ndihmën dhe asistimin që kanë dhënë” ka thënë Ajeti.

Sipas tij vetëm gjatë vitit 2012 ka pasur 879 intervenime që kur e kemi parasysh kapacitetin me të cilin punojmë janë vërtetë mbresëlënëse, për ne si drejtori, por edhe për gjithë komunën tonë. “Pra numri i intervenimeve këtë vit është më i madh se vitin paraprak, por e mira e kësaj është që kemi 20 intervenime më pak në ekonomit familjare krahasuar me vitin paraprak. Sfidë për ne mbetet intervenimi në aksidente trafiku, për arsye që marrin shumë kohë, por edhe në aspektin emocional janë intervenime shumë të rënda. Kujdestaria në shërbimin e zjarrefikjes është 24 orë. Gjatë muajit të verës është koha kur ne kemi më së shumti intervenime, sepse klima e ngrohtë e bënë të vetën, mirëpo përkushtimi i punëtorëve është gjithnjë në nivel dhe nëse ka qenë e nevojshme ata kanë punuar edhe në dy ndërrime por edhe më shumë” ka sqaruar Ajeti.

Ajeti ka shtuar se planifikimi i drejtorisë është realizuar 100 %, ndërsa edhe pse kemi rreth 40 mijë euro borxhe si drejtori, na lë të kuptojmë se jemi shumë më mirë se vitin e kaluar sepse borxhet kanë qenë të bartura nga viti në vit. “Qëllim i përhershëm i yni është që të punohet në shërbim të qytetarëve” ka nënvizuar ai.

Ndërsa anëtarët e komitetit duke u nisur nga kryesuesi Shaqir Ukshini, thanë se raporti është i përpiluar shumë mirë, por ishte i kënaqur edhe me gatishmërinë për intervenim që kishte kjo drejtori. Ukshini ka përshëndetur tërheqjen e donacioneve nga ana e drejtorisë përmes bashkatdhetarëve tanë në botën e jashtme sa i përket teknikës për shërbimin e zjarrfikjes.

Hidromorava

Kurse Ramadan Ajvazi anëtar i këtij komiteti ka thënë se në këtë drejtori nuk ka korrupsion, por vlerësimi apo shpërblimi material i drejtorit dhe zjarrfikësve mungon. Ai ka uruar që të vazhdohet me punë kështu të përkushtuar edhe më tutje, sepse kjo është në shërbim të të gjithë qytetarëve të komunës sonë.

Edhe Zijadin Maliqi, Selami Xhemajli dhe Mizafere Ismajli kanë uruar drejtorin për punë të mëtutjeshme duke kërkuar disa sqarime shtesë nga raporti, si në aspektin financiar, të punëtorëve, borxheve por edhe çështje të ngjashme.

Zjarrfikësit nga ky vit kanë kaluar në kompetencë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, por ende menaxhimin, financimin por edhe organizimin e bënë Komuna. Është me rëndësi të përmendet që teknikën e riparojnë dhe mirëmbajnë vetë zjarrfikësit, që po të bëhej në rrugë tjetër kjo komunës do t`i kushtonte rreth 50 mijë euro në vit.

Drejtoria e emergjencës vitin e kaluar ka përgatitur vlerësimin e rreziqeve në Komunën e Gjilanit, mundësin e intervenimit në rast fatkeqësie, por edhe preventivin në këto raste.

Zjarrfikësit asistojnë dhe u kanë dalë në ndihmë shumë shpesh edhe komunave fqinje, siç është Vitia, Kamenica, Ranillugu, Novobërda, Parteshi etj./rajonipress/