Uji Dea

Ahtisari akuzohet se mori 40 milionë euro ryshfet për pavarësinë e Kosovës

/ 5 minuta lexim
Eco Higjiena

Ish presidenti finlandez, nobelisti Martti Ahtisaari, është emëruar nga OKB në një panel ekspertësh që do të hetojë krimet e luftës në Shiri Lanka. Qeveria e këtij vendi po e kundërshton hetimin ndërkombëtarë, dhe ka filluar të hedhë akuza ndaj ish ndërmjetësit për Kosovën, duke e akuzuar se ka marrë miliona euro nga mafia shqiptare në përgatitjen e një plani që vendit i siguronte pavarësi nga Serbia.

OKB njoftoi të mërkurën se ish presidenti finlandez dhe fituesi i çmimit Nobel për Paqe, Martti Ahtisaari do të shërbejë si këshilltar për një hetim që lidhet me shkeljen e të drejtave të njeriut gjatë luftës civile në Shiri Lanka.

Qeveria e këtij vendi po e kundërshton ashpër vendimin e OKB-së për hetim ndërkombëtarë të krimeve atje, duke thënë se vetë mund t’i hetojë ato, ndërsa pretendon se ky veprim mund ta qojë vendin në një situatë sikur ajo në Kosovë, ku thonë se ky vend i pavarësuar nga Serbia, është bërë çerdhe mafioze e krimit, siç janë droga e prostitucioni.

Ata po kontestojnë edhe ndershmërinë e ekipit hetimor, pjesë e të cilit është edhe nobelisti Ahtisaari, duke e akuzuar atë se ka marrë ryshfet prej 40 milionë euro nga mafia shqiptare, për përgatitjen e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Një shkrim i botuar në gazetën e Shiri Lankës “The Nation”, e të siguruar nga lajmi.net, gjatë shpjegimit të rolit të Ahttisarit si i Dërguar Special i Kombeve të Bashkuara për Kosovën, tentohet të njolloset personaliteti, puna dhe vepra e tij.

Gazeta shkruan se kinse, një pjesë e medias ndërkombëtare, duke cituar raporte të inteligjencës gjermane, kanë thënë se Marti Ahtisaari ka pranuar një ryshfet prej 40 milionë euro për të ofruar pavarësinë e Kosovës.

“Agjencia e lajmeve finlandeze STT, më 26 dhe 27 qershor të vitit 2007, ka botuar dy shkrime ku thuhet se i Dërguari i Posaçëm i OKB-së për Kosovën është ‘blerë’ nga mafia shqiptare për të mbështetur pavarësinë e Kosovës. STT ka raportuar se artikujt fillimisht ishin botuar në Banja Llukë (kryeqyteti i Republikës Srbska në Bosnjë) në gazetën Daily Fokus më 21 qershor 2007, me titull ‘Mafia shqiptare blenë Ahtisaarin’”.

Shkrimi i “The Nation”, vazhdon duke thënë se sipas një raportimi tjetër, sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-moon i ka kërkuar Shërbimit Federal Gjerman të Inteligjencës, BND, ta informojë në detaje për atë se çfarë po ndodhte në Kosovë, dhe ai më në fund mori një raport të detajuar mbi aktivitetet e të Dërguarit të Posaçëm në Kosovë.

“Bazuar në artikullin e shkruar në gazetën nga Banja Lluka, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së u informua, se separatistët shqiptarë në Kosovë kishin dhënë para për planin e Ahtisaarit i cili propozonte pavarësi për krahinën serbe. Ekipi i shërbimit të fshehtë gjerman BND, i udhëhequr nga Luka Neiman … kishte regjistrimet e diskutimeve midis Ahtisaarit dhe shqiptarëve; se si ata i kishin transferuar atij të holla në llogaritë bankare, dhe kodet, në banka në Zvicër dhe Qipro”, shkruan “The Nation”.

“Në një nga përgjimet e BND-së u zbulua se u transferuan 2 milion euro nga një bankë zvicerane e vendosur në qytetin Visalia, nga llogaria me numër 239700-93457-00097, në pronësi të personit Exhet Mborja, i fshehur nën kodin XS52 –KOLER, në llogarinë bankare të Ahtisarit në një bankë në Qipro, në llogarinë bankare me numër 3459346699004533, dhe me kod VOLANND”, shkruan gazeta nga Shiri Lanka.

RCCOLA

Ndryshe, ish presidenti finlandez Martti Ahtisaari është emëruar në ekipin prej tre anëtare, si këshilltarë të mandatar nga OKB, në hetimin për shkeljen e të drejtave të njeriut në luftën civile në Shiri Lanka e cila zgjati për 37 vjet dhe përfundoi në vitin 2009.

Pesë vjet më parë, qeveria e Shri Lankës shpalli fitoren mbi rebelët çlirimtar të Tigrave Tamil, pas 37 vjet luftimesh, ku vdiqën rreth 100 mijë njerëz.

Të dyja palët ishin të akuzuar për mizori, sidomos gjatë muajve të fundit të luftimeve.

Këshilli i të Drejtave të Njeriut i OKB-së vendosi tre muaj më parë për të nisur një hetim për abuzimet e pretenduara. Ekipit 12 anëtarësh i është dhënë një mandat për të punuar deri në prillin e vitit të ardhshëm.

“Ahtisaari, Jahangir dhe Cartëright janë duke shërbyer në një rol mbështetës dhe këshillues, duke ofruar këshilla dhe udhëzime, si dhe verifikimin e pavarur të hetimit”, thotë zyra e UNHCR.

Komisionerja e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Navi Pillay, i ka bërë thirrje qeverisë dhe popullit të Shiri Lankës për të bashkëpunuar plotësisht me këtë hetim, duke shtuar se hetimi do të shkojë përpara, pavarësisht a bashkëpunojnë ata apo jo.

Qeveria nuk ka pranuar tashmë të bashkëpunojë me hetimin, duke argumentuar se ajo po bën sa duhet për të hetuar krimet e dyshuara të luftës.

Në mars, ambasadori i Shri Lankës në OKB e quajti hetimin “kundër-produktiv” dhe “armiqësor për interesat e popullit të Shri Lankës”.

OKB thotë se deri në 40 mijë civil Tamil janë vrarë gjatë ofensivës përfundimtare. Tigrat Tamil në anën tjetër kanë kryer shumë sulme vetëvrasëse me bomba gjatë konfliktit, i cili filloi në vitin 1972. /lajmi.net/