Ahtisaari s’ka ftesë për ndërmjetësim

Martti Ahtisaari, ish-kryendërmjetësi ndërkombëtar për statusin e Kosovës, nuk ka marrë kurrfarë ftese për të ndërmjetësuar në zgjidhjen e krizës politike në vend. Këtë e ka konfirmuar për gazetën “Zëri” Riika Marjamaki, udhëheqës i Zyrës së presidentit Ahtisaari.
“Presidentit Ahtisaari nuk i është kërkuar deri më tani që të vijë dhe të zgjidhë krizën politike në Kosovë”, ka thënë Marjamaki.
Ditë më parë e përditshmja austriake “Der Standart” ka botuar një lajm ku është lakuar emri i Ahtisaarit dhe ish-kryeministrit suedez, Carl Bildt, si ndërmjetësues të mundshëm të zgjidhjes së krizës politike në Kosovë, e cila është tensionuar muajt e fundit si pasojë e kundërshtimeve të opozitës për marrëveshjet për Asociacionin dhe Demarkacionin me Malin e Zi.
Për zgjidhjen e krizës politike në vend dhe përfshirjen e mundshme të ndërmjetësve ndërkombëtarë gazeta “Zëri” ka kontaktuar edhe zëdhënësen e Bashkimit Evropian (BE), Maja Kocijançiq. Kjo e fundit ka mohuar të ketë dëgjuar për ndonjë iniciativë të tillë. “Unë nuk kam dëgjuar asnjëherë një gjë të tillë deri më sot”, ka thënë Kocijançiq. Po të njëjtën përgjigje “Zëri” ka marrë ditë më parë edhe nga Ambasada e Suedisë në Prishtinë./zeri/