Ahmeti: Ndalni punimet ilegale

Ka vetëm tre ditë prej që është shpallur fitues i garës për Prishtinën, dhe u bën thirrje ndërtuesve pa leje që të ndalin menjëherë punimet, e të mos i nxjerrin punë më pas. Shpend Ahmeti, i cili shumë shpejt do ta marrë timonin e kreut të Prishtinës, në intervistën dhënë gazetës “Zëri”, bën të qartë se s’do të ketë kompromis për ilegalët, të korruptuarit dhe ata që kanë problem me ligjin.
Bile nuk “çan kokën” as për financuesit e partive të mëdha politike, të cilët janë ndërtues të mëdhenj në Prishtinë.
Ndërkohë që këmbëngul se nuk do të bëjë koalicion me asnjë subjekt politik. Por bën me dije se do të bashkëpunojë me secilin, ngase, sipas tij, “asnjërit në ballë nuk i shkruan se nga cili subjekt politik vjen”. Ndër punët e para emergjente, me të marrë postin është nxjerrja në ankand e veturës Audi Q7 të ish-kryetari, Isa Mustafa.
Zëri:çfarë do të bëni në 100 ditët e para të qeverisjes me Prishtinën?
Ahmeti: Nuk janë dhënë zotime të paarritshme, nuk po i quaj as premtime, se kur po u them premtime po kujtojnë që po barazohem me premtimet e të tjerëve, kemi dhënë zotime të cilat jam munduar t’i mbaj në nivel të arritshmes, por gjithmonë duke i bërë të prekshme për qytetarët. Do të thotë i kemi prekur problemet të cilat ne e dimë se i kanë munduar.
Disa zgjasin më shumë, disa do të jenë një mandat, disa do të jenë 24 muaj e disa do të fillojnë që në ditën e parë të qeverisjes. Mendoj që në 100 ditët e para, do të ketë një përmirësim të dukshëm në transparencë, në ndaljen e së keqes. Ndalja e së keqes nënkuptohen plot gjëra të këqija, që janë ndërtimet pa leje, korrupsioni që mund të ndalet, hapja ndaj qytetarëve, transparenca, një bashkëpunim më i mirëfilltë, edhe me qytetarët edhe me shoqërinë civile, tubimet nëpër lagje do të vazhdojnë ngase e kam dhënë një zotim që pas zgjedhjeve do të shkojë në çdo lagje, të paktën një herë në tre muaj. Mendoj se pritjet janë të mëdha, mirëpo në 100 ditët e para do të vërehet një ndryshim në qeverisje…(Zëri)