Ahmeti: Isën e ka kap paniku, po investon në lagjet ku humbi
Investimet që po bëhen në rregullimin e rrugëve, rrugicave, parqeve, hapësirave gjelbëruese, e tjera në Prishtinë, në kohën e fushatës, po shihen si panik i kryetarit aktual dhe kandidatit të LDK-së për kryetar të Prishtinës, Isa Mustafa se në balotazhin e 1 dhjetorit do të mund të humb përball rivalit të tij nga Vetëvendosje Shpend Ahmeti. Investimet brenda ditësh, janë me evidente në ato lagje ku Mustafa ka humbur përball rivalit të tij, derisa me ato investime po mundohet ta kthej votën në favor të tij.
Kandidati i Vetëvendosjes për kryetar të Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili do të garoj në balotazh me Mustafën, thotë se është brengosëse se si edhe një pjesë e buxhetit e vitit 2012 është lënë e pashpenzuar dhe për vitin 2013, respektivisht kohën sa më afër zgjedhjeve, në mënyrë që të tregohet disi se po punohet këtu.
Përkundër kësaj, Ahmeti, ka thënë se besojnë thellë në këtë fitore, sepse këtë po ua tregon diskutimi me qytetarët.
“Por ajo që është brengosëse është se tash pas zgjedhjeve të 3 nëntorit janë intensifikuar projekte të shpejta, në disa lagje ku nuk kanë qëndruar edhe mirë, pra po bëhen sa për të thënë që po punohet dhe po mundohen që aty këtu me një votë klienteliste të mundohen të bëjnë diçka. Këto janë shenja e panikut, shenjat e fundit kur dikush e sheh se iu ka rrezikuar pushteti dhe pastaj filloj të bënë projekte të tilla. Megjithatë nga bisedimet që kem me lagjet ata po thonë se kjo dëshmon se paska mundur të punoj edhe në gjashtë vitet e fundit, por nuk paska dashur. Sepse ka njerëz që kanë menduar që nuk mundet, ka kufizime, nuk po e lenë ky, nuk po e lenë ai, tash me këto projekte që po bëhen për pesë ditë, thonë që paska mundur t’i bëjë por nuk paska bërë”, ka thënë Ahmeti për Kosovapress.
Megjithatë, duke ditur se këto janë projekte që bëhen për vetëm pesë ditë, ato mund të jenë bërë edhe pa përfillur procedurat e prokurimit, dhe sipas Ahmetit, duhet të hetohen me vonë se si janë bërë ato.
“Kur bëhen projektet shpejt e shpejt, për një javë, nuk mund të rregullohen mirë në asnjë aspekt, pasojat e këtyre projekteve të shpejta do t’i shohim edhe me vonë, por me vonë do të ishte mirë të hulumtohen që investimet që janë bërë a janë bërë me procedura të rregullta, a ka pasur prokurim, sepse ne kemi informata që ka edhe rrugë të shtruara pa bërë fare as prokurim, e investime që janë bërë edhe jashtë buxhetit të komunës vetëm e vetëm që të shpejtohet dhe të tregohet para 1 dhjetorit që po bëhet diçka. Unë para disa ditëve isha në një fshat të Prishtinës ku kishin shkuar zyrtarë komunal dhe kishin thënë që nuk kanë kohë ta shtrojnë rrugën, por së paku do ta shtrojnë në zhavorr që t’u tregojnë që nuk e kemi harruar edhe këtë rrugë. Kur e mban derën e komunës mbyll për katër vjet dhe tash brenda dy javësh mundohesh ta hap dhe t’u thuash qytetarëve, është e padrejtë. Ne na nevojitet një komunë që do të punoj bashkë me të gjitha lagjet, fshatrat për ta përmirësuar jetën, nuk ka shkop magjik por dal ngadalë për t’u realizuar projektet me afatgjate”, ka thënë Ahmeti.
Njëri prej parqeve të vogla në lagjen e “Dardanisë” komuna e ka rregulluar tash pas zgjedhjeve të 3 nëntorit, meqë gjatë fushatës para mbajtjes së zgjedhjeve, ai park ka qenë i parregulluar.
Dyshimet e VV dhe disa qytetarëve janë që dalja me vota keq e Isa Mustafës në këtë lagje, ka bërë që investimet të vijnë sa me shpejt që është e mundur që ta marr votën e banorëve të Dardanisë, në balotazhin e 1 dhjetorit.
Banori i kësaj lagjeje, Islam Ahmeti, nuk dëshiron të besoj se investimet që po bënë komuna janë për përfitime të votave të tyre, në balotazhin që do të mbahet me 1 dhjetor.
“Sipas mendimit tim, nuk i ka bërë sepse e ka pasur për vota, por për nevoja që e ka aprovuar Kuvendi Komunal”, ka thënë Ahmeti.
Por, ai është shprehur se investimet e Komunës nuk kanë qenë edhe aq të mëdha.
Në anën tjetër, Kosovapress, ka tentuar gjatë ditës së shtunë dhe të diele që të marr një prononcim për këto investime nga zëdhënësi i Komunës Asdren Osaj por ai nuk është përgjigjur në telefon.
Kandidati i VV-së, Shpend Ahmeti, ka pohuar se me këto investime që po bëhen, sidomos pas zgjedhjeve të 3 nëntorit, po shihet që Mustafa i ka shtuar aktivitetet aty ku nuk ka dalë mirë me vota.
“Ky është problemi me i madh i mendimit të pushtetit aktual edhe në nivel lokal dhe qendrorë, ku vetëm ato pjesë ku kanë mbështetje kanë edhe investime dhe shihen vetëm aty të fitohet vota me investime. Mendoj që kjo qasje është e gabueshme. Qytetarët, banorët e Prishtinës janë të barabartë, pa marr parasysh se cilit subjekt politik i takojnë. Ne nuk guxojmë ta shikojmë një lagje si me mirë apo me e keqe karshi votës që na kanë dhënë, të gjithë janë banorë të barabartë, çdo lagje është e barabartë, duhet që investimet të ndahen në bazë të prioriteteve dhe nevojave që kanë lagjet dhe jo vetëm të konsiderohen vetëm votues”, ka thënë Ahmeti.
Sipas tij, edhe një prej problemeve shumë të mëdha, është se kur po punohet shpejt e shpejt, po duhet t’u kthehet prapë atyre projekteve pas një vitit, si pasoj e mungesës së planifikimit. Ai thotë se ajo që më së shumti e ka habitur, është që vitin e ardhshëm është prapë në buxhet një pjesë e sheshit Nëna Terezë, sepse duan që të ndërtojnë një nënkalim sepse kanë harruar herën e fundit që është shtruar.
Përkundër kësaj, Ahmeti beson se qytetarët do të vlerësojnë vullnetin për ndryshime, sepse ai dhe ekipi i tij kanë diskutuar me qytetarët me sinqeritet, duke mos u premtuar tenderë, apo miliona, por që të punojnë së bashku për ndryshimin e secilës lagje, secilit fshat, e tërë Prishtinës. /Kosovapress/


