Ahmet Isufi: Jam kundër Tribunalit!

Tribunalet të cilat krijohen me motive politike e të cilat nuk sjellin dobi në kuptimin e funksionimit, atëherë janë sa për tu bërë, ka thënë deputeti i AAK-së, Ahmet Isufi, i pyetur se a duhet të ketë një Tribunal për krimet në Kosovë dhe a do të votonit për këtë.
“Sa i përket krimeve të luftës, ato duhet të kërkohen në Serbi, sepse ushtria dhe policia serbe kanë bërë gjenocid, kanë pasur programin e shfarosjes së një populli. Nga ana e UÇK-së, nga ana e popullit të Kosovës, nuk ka pasur asnjë kundërshtim me rregullat e luftës, sepse populli është përmbajtur në mënyrë të jashtëzakonshme”, thotë ai.
Sipas tij, kjo formë e veprimit do të dështojë, “sikur që kanë dështuar edhe Tribunalet tjera”.
“E vetmja gjë që duhet të ndodhë në Kosovë është që gjyqësia, prokuroria, drejtësia e Kosovës ta marrë këtë çështje në duar dhe të bëjë veprimet e duhura konform ligjeve të Kosovës. Çdo tendencë nga për të nxjerrë diçka nga ajo që ka qenë luftë e drejtë çlirimtare, nuk do të del asgjë. Jam kundër Trubunalit , sepse shumë të freskët e kemi luftën që ka ndodhur në Kosovë dhe askush nuk ka nevojë të na tregojë neve se çka ka ndodhur. sepse edhe bashkësia ndërkombëtare ka intervenuar pikërisht se dikush tjetër ka bërë krime dhe gjenocid ndaj shqiptarëve”. /BotaPress/