Agolli rrëfen zhgënjimet dhe gëzimet e dashurisë
TIRANE- Poeti dhe shkrimtari Dritëro Agolli dëshmon se ka shkruar më shumë poezi dashurie se cilido tjetër poet bashkëkohor shqiptar. Tashmë në moshën 72-vjeçare, ai ka pohuar në një intervistë të pak muajve më parë për “Shqiptarja.com” se vijon të shkruajë ende, edhe pse “e mërzit dora që i dridhet”.
Megjithatë, dje shkrimtari na ka befasuar me daljen rishtas në dritën e botimit të librit të ri që titullohet “I përndjekuri i dashurisë”. Lajmin e botimit e njoftoi vet shtëpia botuese “Dritëro”, ku sipas këtij njoftimi mësojmë se “ky libër është një përmbledhje e poezive më të bukura të dashurisë, të shkruara që nga viti 1960 e në vijim nga shkrimtari Dritëro Agolli”.
Gjithashtu, mësojmë se ky libër erdhi jo vetëm si mungesë e një përmbledhje të tillë, por si një dhuratë e fëmijëve dhe bashkëshortes për 82-vjetorin e lindjes së shkrimtarit. Janë 82 vite të kaluara mes poezisë, prozës, gazetarisë e mbi të gjitha mes dashurisë së pamasë të familjes dhe të të gjithë lexuesve të tij besnikë. Në poezitë e dashurisë së Dritëro Agollit gjen të ndërthurura: përmasat e emocionit; dashurinë e pafat që përjeton drama dhimbjesh; zbërthimin e gjendjes shpirtërore;përplasje emocionesh në momente të kundërta; gjuhën e ironisë në përshkrimin emocionues të dashurisë e mbi të gjitha, ndërthurjen e dhembshurisë dhe himnizimit të figurës së femrës, si qenia më hyjnore në këtë botë.
Libri përmbledh mbi 50 vjet poezi dashurie, të cilat tregojnë dhimbjen, gëzimin, emocionin e shkrimtarit Dritëro Agolli. Të gjitha këto të përmbledhura, si asnjëherë më parë në një botim të vetëm, ku cilido e gjen veten mes rreshtave të poezive.
Libri “I përndjekuri i dashurisë” vjen i shoqëruar me një CD në të cilën janë të regjistruara poezi të recituara nga vet shkrimtari Dritëro Agolli, i cili e ka konceptuar këtë mënyrë botimi që “të jetë dhurata më e bukur për të dashurit tuaj, një përmbledhje me poezi dashurie e një CD me zërin e veçantë të Dritëro Agollit, i cili reciton poezitë e tij”, shprehet botuesi, duke përcjellë mesazhin e shkrimtarit.
Libri vjen pikërisht në një kohë kur zënkat, debatet, mërzia, inatet e mëritë kanë zënë rrënjë të forta në shoqërinë tonë. E në këtë kohë kur njerëzit janë bërë më të distancuar nga njëri–tjetri. Përmbledhja “I përndjekur i dashurisë” vjen si ilaçi më i mirë për të kuruar shpirtrat e trazuar dhe për të risjell tek to, ndjenjën më të bukur: Dashurinë, për të cilën Dritëro Agolli nuk do të lodhet asnjëherë së shkruajturi. Ja dy nga poezitë e këtij libri:
VEÇSE NJË ËNDËRR Ja kështu, ti erdhe, ndenje, ike Dhe sikur këtu nuk ishe kurrë S’erdhe si e dashur, po si mike Thjesht si vizitore tek një burrë. Për takimin, tjetër ëndrra kisha, Tjetër doli, siç u ndodh në botë Ëndrrave në kulm të trëndafilta Si një verë a trëndafil në gotë. Dhe megjithatë them faleminderit, Ti më dhe një fluturim mbi ëndërr Nëpër portën hapur prej ylberit Dhe s’ka gjë se ëndrra ishte zhgjëndërr.
E PARËNDËSISHMJA Vërtet çka s’është e rëndësishme Në ty e dua pa kufi, Sikur një gjë madhore të ishte, Sikur të kishte rëndësi: Për shembull, palën e fustanit Dhe kopsën varur në një pe, Apo tri qimet e nishanit, Që për të trija bëj një be… Ti qesh me mua shumë e hijshme, Kur them: ta dua si fidan Atë çka s’është e rëndësishme, Se vetë i rëndësishëm jam… (shqiptarja.com) –


