Eko Higjiena

Agjencia e sarmave

/ 5 minuta lexim
ARKATANA

Nga Ibrahim Rexhepi – Kosova ende lëngon nga mungesa e të dhënave statistikore. Madje, edhe ato që janë kanë defekte dhe nuk mund t’iu besohet. Është koha që agjencia shtetëror i statistikave të transformohet në një institut të pavarur dhe profesional.

Sa po rritet Kosova? Kjo më shumë është çështje e hamendjeve, se sa një problem tejet serioz, i cili kërkon të dhëna të shpejta, të sakta dhe të besueshme.

Tash, me përcaktimin e normave të rritjes e rënies,merren shumë institucione dhe sipas rezultatit që prodhojnë, duket se ato vare nuk korrespondojnë njëra me tjetrën.

Për rritjen ekonomike të arritur gjatë vitit të kaluar ka të dhëna të ndryshme. Fondi Monetar Ndërkombëtar ka paraparë një rritje 2,8 për qind, Banka Botërore thotë se kjo normë është 4 për qind, nga takimi i Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik doli një shifër e përafërt, Ministria e Financave flet për 2,4 për qind, Agjencia e Statistikave ka të dhëna deri në vitin 2011, ndërkaq Banka Qendrore e Kosovës bazohet në këtë agjencia, prandaj edhe nuk publikon as parashikim për atë se sa u rritëm vjet.

Papunësia, sërish del problem i veçantë. Derisa sipas regjistrimit të popullatës ASK-ja me të dhënën se 44,8 për qind të popullatës së aftë për punë ende janë në kërkim të saj. Nuk u bë as një vit i plotë, po kjo agjenci publikoi të dhëna se norma e papunësisë është 35,1 për qind. Këtë normë e ka pranuar edhe Ministria e Punës. Ndërkaq, asnjëra prej tyre nuk tregon se si ndodhi që në fund të vitit 2011 mbi 325 mijë të papunë, ndërsa një vit më vonë mbetën 259 mijë. Ku u punësuan afër 66 mijë veta. Ndërkaq, Banka Botërore, ndoshta edhe për shkak të mungesës së hulumtimeve dhe të dhënave të besueshme në Kosovë, nuk merret shumë me këtë problem, meqenëse ajo ende bazohet në gjendjen e viti 2009.

Mobi Casa

Nëse hyjmë në detaje, ka edhe shumë anomali të tjera, si kur është në pyetje shkalla e varfërisë, vëllimi i investimeve dhe struktura e tyre… Madje, është vështirë të gjenden edhe të dhëna rreth asaj se çfarë po ndodhë brenda sektorëve të caktuar të ekonomisë. Nuk dihet se sa kemi prodhim industria , apo bujqësorë dhe pjesëmarrja e tyre e përgjithshme në BPV-në. Ose mund të gjinden të dhëna aq të vjetra, të cilat tash askujt nuk i hyjnë në punë.
Në këtë laramani shifrash, shpesh edhe të pabesueshme, është vështirë të flitet për Kosovën, gjendjen ekonomike e sociale të popullatës së saj, apo për kahet e zhvillimit që ka marrë. Për më keq, për të dhëna të këtilla janë të mangëta edhe institucionet ndërkombëtare,ose ato mbështeten në agjenci shtetëror të statistikave, i cili shpesh është i vonuar, apo prodhon të dhëna gjysmake dhe që nuk mund t’iu besohet.

Kjo gjendje, thënë kushtimisht, krijon hapësirë që secili të ndërtojë shifrën e vet dhe ta plasoj atë varësisht nga interesat momentale. Qeverisë i përdorë kur duhet të ilustrojë punën e madhe që po bën, ndonëse, sipas një debati, as ajo nuk i beson ASK-së. Madje, për të kishte vlerësime kuturu, si ishte ai i Bujar Bukoshit për atë se kush po ha mish të grirë e kush lakra, kurse në mesatare e nxjerrim se të gjithë në pjatë kemi sarma.

Ka të vërtetë rreth punës e mospunës dhe produktit që nuk mund t’i besohet, të cilin e prodhon ASK-ja. Është edhe e vërteta se krahasuar me vitet e mëhershme ajo po avancon, ndonëse ende është shumë larg nivelit që i duhet një shteti. Po ashtu, ka avancuar edhe statusi i saj, pasi që nga një departament ministror është transformuar në agjenci shtetërore. Por, mangësi e përhershme e saj është se asnjëherë nuk u bë rehat me staf menaxhues dhe shpesh kishte përplasje , të brendshme e të jashtme, për profesionalizmin e saj.

Nga ana tjetër fabrikimi i të dhënave nga subjektet kompetente e jokompetente krijon mundësi për nxjerrjen e pasqyrës joreale. Kjo nuk do të thotë se me një agjenci të fuqishme dhe profesionalisht nuk guxon askush tjetër të merret me prodhimin e të dhënave statistikore, por në fakt ekziston një subjekt i besueshëm dhe që paraqet burimin më të sigurt. Rëndësi kanë edhe të dhënat nga burimet e tjera, mirëpo, që të gjitha janë alternative. Për të arritur në këtë nivel,vendit i duhet një institut krejtësisht i pavarur për statistikat, me integritet të qëndrueshëm dhe që nuk prodhon shifra varësisht nga nevoja e një individi, apo një grupi të interesit. Atëherë më nuk do të flasim për agjencinë e sarmave, që nuk i besohet dhe që është e vonuar.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës Tribuna)