Mobi Casa

Afrikani që e bëri shtëpinë konsullatë të Kosovës

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Qytetarët e Republikës së Beninit që një muaj kanë filluar ta vizitojnë Konsullatën e parë të Kosovës në këtë vend e cila është hapur nga Olivier Nutsugan, konsull nderi i Kosovës në Benin. Në një intervistë për “Tribunën”, Nutsugan ka treguar se si është njohur me zv/kryeministrin Behgjet Pacolli gjatë lobimit të tij në Afrikë dhe si kanë bashkëvepruar për arritjen e njohjes së Kosovës nga Benini.

Ai ka thënë se aktualisht po punojnë me Pacollin për njohjen e Kosovës nga Togo. Këto ditë Nutsugan po qëndron në Kosovë ku pritet të takojë përfaqësues të Qeverisë për t’i bashkërenduar aktivitetet që ai mendon t’i bëjë në Benin.

Tribuna: Zoti Nutsugan, si keni arritur të bëheni konsull nderi i Kosovës në Benin?

Mobi Casa

Nutsugan: Po unë njihem me zotin Behgjet Pacolli që një kohë dhe kemi punuar bashkë gjatë lobimit për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Benini. Unë e kam ndihmuar zotin Pacolli aq sa kam mundur dhe e kam njohur me presidentin e vendit tim. Pas takimeve që ka pasur zoti Pacolli me presidentin tim, atëherë ai ka vendosur që Benini ta njohë Kosovën si shtet të pavarur. Pas kësaj, zoti Pacolli e ka vlerësuar angazhimin tim për të punuar për Kosovën dhe më ka propozuar në Qeverinë e Kosovës për konsull nderi të Kosovës në Benin.

Tribuna: Kur jeni nominuar dhe a jeni zyrtarizuar ende meqenëse për këto emërime ka procedura nga qeveritë e dy vendeve?

Nutsugan: Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës e ka dërguar nominimin për mua në Qeverinë e Beninit në muajin maj të vitit të kaluar. Pas nominimit nga ana e Kosovës edhe unë kam lobuar te qeveria e vendit tim që të më zyrtarizojnë si konsull nderi i Kosovës në Benin dhe në muajin shkurt të këtij viti jam zyrtarizuar nga ana e presidentit të vendit tim (Tribuna).