Afatet e huqura për heqjen e vizave

Fundi i vitit 2016 është koha kur Kosovës do t’i hapen dyert dhe do të liberalizohen vizat. Kështu është shprehur zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, në një konferencë për media të hënën pas ratifikimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.
Thaçi ka thënë se ky është një moment i veçantë historik i rrugëtimit të shtetit të Kosovës në procesin e integrimit evropian. Sipas Thaçit, ratifikimi i kësaj Marrëveshjeje është mesazhi më i mirë i orientimit të politikës, institucioneve dhe qytetarëve kosovarë. “Ky hap sot i ratifikimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit mes Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian është edhe mesazhi i qartë se e ardhmja për liberalizimin e vizave është shumë më e afërt, është e prekshme, që do të ndodhë në të ardhmen shumë të afërt. Kosova ka implementuar të gjitha kriteret dhe tash varet nga vendimi politik i Bashkimit Evropian dhe unë shoh vullnet në Bruksel që kjo të ndodhë në të ardhmen shumë të afërt, pra rekomandimit. Gjatë pjesës së fundit të vitit 2016 të jetë viti që qytetarët e Kosovës do të lëvizin si të gjithë qytetarët e tjerë evropianë”, ka deklaruar Thaçi./zeri/