RCCOLA

Administratori i Komunës fuqinë e tij po e tregon me shkarkimin e tri grave drejtoresha, një vendim për një drejtor burrë mbeti vetëm tentativë

/ 2 minuta lexim

Gjilan – Lidhja Demokratike e Kosovës- Dega Gjilan, ka mbajtur konferencë për medie pranë Drejtorisë së Arsimit në Gjilan. Deputetja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, znj. Valentina Bunjaku – Rexhepi, ka mbajtur konferencë për medie sot pranë Drejtorisë së Arsimit në Gjilan.

Ajo ka ngritur edhe njëherë shqetësimin qytetar në lidhje me konkursin e fundit në Drejtorinë e Arsimit.

“Është e papranueshme që administratori i Komunës, së bashku me vartësit e tij, të favorizojnë vetëm kunata e balldëska në konkurs, e në këtë mënyrë të shuajnë shpresat e të rinjve e të rejave për punësime meritokoratike”,tha deputetja Bunjaku- Rexhepi.

“Ky administrator i Komunës fuqinë e tij po e tregon me gratë e partisë së vet, duke i bërë kurban nga dita në ditë. Ai ka shkarkuar tri drejtoresha komunale, por asnjë drejtor komunal. Me ketë mendësi tregon se ka forcë të ballafaqohet vetëm me gratë, por tek burrat nuk e ka aq lehtë. Është e papranueshme kjo qasje edhe për mua si deputete grua e Kuvendit të Republikës së Kosovës, por edhe si një grua qe ka bartur funksione të larta komunale në qeverisjen e LDK-së në Gjilan. Në emër timin dhe të Forumit të Gruas së LDK-së, dënojmë këtë qasje dhe i bëjmë thirrje që t’i trajtojë gratë me respekt e ndershmëri, e jo t’i kundërvihet me shkarkime nga detyra sa herë që nuk i shkojnë për shtati veprimet e tyre”, tha deputetja Valentina Bunjaku- Rexhepi.

UBT

Në fund, deputetja i bëri thirrje organeve kompetente që të hetojnë këtë konkurs, e të parit të ekzekutivit i bëri thirrje që ta anulojë sa më shpejtë këtë konkurs që e ka turpëruar jo vetëm atë, po të gjithë akterët e përfshirë në të.

Ajo gjithashtu, para gazetarëve tregoi edhe njëherë se shqetësimet komunale siç i ka bërë gjithmonë edhe temë nacionale, do të vazhdojë të ju jep jehonë përsëri në Komisionet Parlamentare dhe në seancat e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

“Jam 24/7 në dispozicion të kërkesave dhe shqetësimeve të të gjithë qytetarëve të Republikës, e me theks të veçantë të Anamoravës”- përfundoi deputetja./rajonipress/