KKVITI

Aderimi i analistëve si freski e politikës në Kosovë dhe roli i tyre

/ 4 minuta lexim
ARKATANA

Nga Bekim Thaqi – Me ardhjen e zgjedhjeve në Kosovë, kemi pasur edhe një fluks të aderimeve ku sidomos shquhen analistë të njohur për opinionin publik dhe njerëz me peshë nga shoqëria civile, me ç’rast kjo është pritur sa me skepticizëm aq edhe me dashamirësi nga shoqëria kosovare në përgjithësi. Nëse e bëjmë një retrospektivë te ngjarjeve dhe zhvillimeve aktuale politike në dhjetëvjetëshin e fundit, por edhe me parë, mund të shohim se skena politike dhe njerëzit që kanë qarkulluar në partitë tona politike kanë qenë në përgjithësi të njëjtë me ndonjë aderim të rralle aty këtu duke premtuar shumë mirëpo që rrallë herë apo edhe fare nuk kanë dhënë ndonjë kontribut të mundshëm.

Është e vërtetë se deri tani, nuk ka pasur hapësirë te mjaftueshme për veprim dhe zakonisht partitë politike e kanë ezauruar emrin e “aderimit” dhe punës së tij të mëparshme dhe kanë përfituar nga kjo, mirëpo aderimit të ri nuk i është dhënë mundësia, që të shpërfaqet në identitetin e tij të plotë, por ka shërbyer si një maskote partiake për të tërhequr votuesit.

Dy tre vitet e fundit, me zhvillimin masiv të portaleve dhe rrjeteve sociale, analistet kanë ardhë në shprehje më shumë dhe kanë qenë pjesë e të gjitha debateve të rëndësishme, ku edhe kanë krijuar një rreth të ndjekësve qoftë në rrjetet sociale, qoftë në mjetet e informimit dhe me këtë shpeshherë kanë formësuar edhe opinione publik qoftë duke vënë në pah të metat apo efektet pozitive të ngjarjeve me rëndësi për shtetin e ri të Kosovës. Duket se kjo është vënë re nga partitë politike, dhe është menduar se me ardhjen e njerëzve të rinj në parti, me mendime shpeshherë edhe mjaft kritike kundrejt mu këtyre partive, do të mund të arrihen një sërë efektesh fillimisht pozitive për vetë partitë por edhe zhvillimet në Kosovë.

Prurjet e ideve te reja dhe shpeshherë pak më të hapura te njerëzve që edhe kane ditë të kritikojnë por edhe lëvdojnë punën e partive politike dhe futja e një mentaliteti të ri partiak tek ne, kontribuon sadopak në zhvillimin e demokracisë së brendshme partiake. Reformimi i partive me një frymë te re dhe dalëngadalë dalja dhe ika nga rrethi vicioz i njerëzve që me vite të tera kanë qenë në parti dhe janë shteruar si ne ide ashtu edhe si personalitete duket se i pëlqen metodikës së re të mendimit dhe etablimit partiak.

Mobi Casa

Vendosja e analistëve në ballë të debateve, siç kemi pasur mundësi ti shohim së fundmi, si njerëz të dëshmuar dhe që dinë si të sillen para medieve, mendohet se i kontribuon prezantimit sa me te mire të partisë dhe ka gjasë të krijojë një imazh të ri partiak.

Aderimet e analisteve duhet te shihen si një efekt pozitiv dhe një demokraci në vetvete pasi që së paku nuk janë njerëz me histori të keqe dhe i ofrojnë edhe votuesve edhe shoqërisë në përgjithësi një qasje të re dhe një mundësi për të votuar njerëz që së paku i njohin rrethanat dhe kontekstet politike para se të jenë pjesë e proceseve, e jo si deri me tash kur shpeshherë kemi pas njerëz që i kanë hy politikes vetëm se kanë qenë familjare të dikujt dhe nuk kanë pas as njohuritë më të vogla për zhvillimet e përgjithshme në Kosovë.

Analistët, së paku dinë ti bëjnë pyetjet e duhura, dhe dinë edhe të japin përgjigjet e duhura për ngjarjet dhe zhvillimet aktuale, prandaj nuk duhet të shihen me skepticizëm por me dashamiresi.