Ademi: Shqiptarët e kanë vështirë të depërtojnë në Maqedoni

Zagreb – Futbollisti Arijan Ademi ka vlerësuar se shqiptarët e kanë më të vështirë se maqedonasit që të depërtojnë në përfaqësuesen e Maqedonisë në futboll. Ademi ka prejardhje nga Tetova, ndërsa ka refuzuar ftesën që të luajë për Maqedoninë. 21-vjeçari i lindur në Shibenik, tani është pjesë e përfaqësueses A të Kroacisë.
Mesfushori i Dinamos së Zagrebit ka thënë se di për raportet jo të mira të shqiptarëve e maqedonasve në Maqedoni.
“Nuk ishte kjo arsyeja pse vendosa të luaja për Kroacinë. Kam ditur edhe më herët për këto raporte, edhe kur përfaqësuesit e Federatës së Maqedonisë erdhën të bisedonin me mua. E di çfarë është gjendja, që shqiptarët ia dalin më me vështirësi se maqedonasit, por ata kërkuan nga unë që të shkoja të luaja. Por për mua nuk ka asnjë dyshim se dua të luaj për Kroacinë”, ka thënë Ademi për “veçernji.hr”.