Abuzojnë me publikun nga i cili paguhen

I ka kënduar atëherë kur Kosovës i duhej më së shumti kënga. Dhe pikërisht ishte kënga ajo që e lidhi më shumë me shqiptarët e Kosovës, për të cilët thotë se i do më shumë se vetë ata këngëtaren. Manjola Nalbani edhe sot e kësaj dite jeton me dashurinë për këtë pjesë të Shqipërisë, ndërsa gjatë kësaj interviste për Tribuna, përveç se ka folur për angazhimet aktuale, nuk ka fshehur as dëshirën për vizita të shpeshta këtu, e mirënjohjen që gjithnjë gjeti tek shqiptarët nga këto treva.
Tribuna: Manjola, cilat janë angazhimet aktuale profesionale?
Manjola: Meqenëse jam prej vitesh pedagoge në Universitetin e Arteve në Tiranë, dega kanto, momentalisht jam e angazhuar me provimet e studentëve. Por, gjithashtu sapo kam mbaruar një këngë të cilën e kam në bashkëpunim me kompozitorin shumë të talentuar Flori Mumajesin. Jam duke përgatitur edhe një përmbledhje të këngëve të mija ndër vite dhe disa këngë të reja. Këto këngë kam ndërmend t’i plasoj në dy CD, njërën me muzikë të lehtë e tjetrën me këngë popullore qytetare të cilat besoj se do të jenë materiale të bukura për shije të ndryshme të publikut. Pastaj në planet e mija për muajin shtatori apo tetor kam edhe një koncert recital të muzikës operistike për të gjithë dashamirësit e muzikës klasike. Pra si gjithmonë vazhdojë dhe jam e shpërndarë në të tre gjinitë e muzikës sepse i dua të tria njësoj.
Nuk dimë të vlerësojmë atë që kemi
Tribuna: A e keni në plan të realizoni ndonjë videoklip për këngët e reja dhe cila është arsyeja që nuk jeni shumë prezent përmes klipeve?
Manjola: Natyrisht që do ta bëjmë me klip këngën që e kam në bashkëpunim me Florin. Po më duhet të them se unë nuk jam nga ato që i bëjnë gjërat se duhet t’i bëjnë, apo pse i bëjnë të tjerët. Më pëlqen t’i bëj atëherë kur e ndjej. Pastaj në këtë stad që jam tani mendoj se nuk e kam të nevojshme t’i bëj gjërat vetëm se janë në trend. E mendoj mirë kur dua të bëj një gjë të tillë dhe kjo këngë mendoj që ia vlen të mbetet.
Tribuna: Meqë jeni profesoreshë e kantos, sa ju duken me vlerë gjithë këta këngëtarë të rinj që dita ditës po shtohen?
Manjola: Është një fenomen shumë interesant. Ne jemi një vend relativisht i vogël me talent shumë të mëdhenj. Por në periudha të gjata do të them siç i ka kapur tranziocioni sektor shumë më të rëndësishëm të jetës sonë, ashtu ka kapur edhe sektorin e muzikës apo të artit dhe për fat të keq në skenë kanë dal edhe njerëz që nuk kanë lidhje me këtë profesion. Megjithatë për vjet të tëra ka qenë e çuditshme si edhe publiku jo vetëm që i ka pranuar por edhe i ka stimuluar, i ka paguar, vlerësuar artificialisht këtë kategori të themi abuzive, të këtyre feudo këngëtarëve. Ndërsa tani besoj unë që njerëzit janë ndërgjegjësuar, dinë të dallojnë e të vlerësojnë ata artistë që janë të vërtet edhe ata njerëz që kanë dashur brenda 24 orëve me një videoklip të bëhen të famshëm. Por ajo që mua më vjen keq është që si studentët që unë punoj në akademi si këta talent që shfaqen përditë nuk po vlerësohen në momentin apo në muajt kur ata janë yje, e janë të mrekullueshëm në skenat shqiptare. Por na duhet që kushdo që të lëvizi gishtin nga jashtë dhe të thotë ‘Ua çfarë talenti qenka’. Atëherë ne turremi dhe kuptojmë çka kemi. Nuk them t’i vlerësojmë financiarisht, meqenëse edhe ajo është një pjesë e rëndësishme por të paktën moralisht të vlerësohen. Mua më vjen shumë mirë që tani talentet e rinj kanë mundësi të shfaqen nëpër skena të mëdha, por do të doja që njëherë vendi i vet t’i vlerësoj.
Sa më shumë talent, punë dhe dinjitet
Tribuna: Po festivalet sot a e kanë të njëjtën peshë me ato dikur?
Manjola: Aktiviteti i festivalit dikur ishte më i rëndësishmi i vitit për artist. Çdo gjë ishte direkt. Unë e kam përjetuar vetëm dy herë dhe më pëlqente. Ishte çdo gjë e hapur e pastër. Ti këndoje, të tjerët një lloj pastaj edhe vetë këngëtarët e kuptonin se kush e meritonte apo kush ishte kënga më e mirë. Tani ka shumë aktivitete, ka shumë mënyra që artistët të shfaqin veten, kështu që natyrisht nuk e ka më të njëjtën rëndësi.
Tribuna: Ju e dini që në Kosovë jeni shumë e njohur dhe keni fansat tuaj. A keni menduar që ndoshta gjatë verës të jeni e pranishme në ndonjë mbrëmje këtu?
Manjola: Unë e di që kam adhurues në Kosovë. Por megjithatë mua gjithmonë më është dukur që më shumë i kam dashur unë shqiptarët e Kosovës se sa ata mua. Sigurisht që në aktivitetet atje më kanë shprehur dashurinë. Vlen të përmendet pjesëmarrja në Prishtinë, Gjakovë dhe Pejë ku më kanë bërë të ndihem shumë mirë. Unë besoj që kam dhënë maksimumin për adhuruesit e mi atje, sidomos atëherë kur ka qenë nevoja. Por të them të drejtën nuk është që kam kaq shumë aktivitete në Kosovë. Kam më shumë nëpër vende të tjera si Evropë e Amerikë. Por natyrisht që do të vija me kënaqësi në Kosovë, sepse kam pasur gjithmonë një lidhje shpirtërore me atë pjesë. Madje edhe kur kam student nga Kosova krijoj një lidhje shumë të mirë se ashtu e ndjej.
Tribuna: Meqë ju jeni e shkolluar në këtë fushë dhe keni bërë emër përmes këngëve të mirëfillta. Cili është mesazhi juaj për një jetëgjatësi skenike?
Manjola: Unë besoj që në skenë ashtu si edhe në jetë duhet të jesh njeri në çdo gjë. Duhet të krijosh për të gjithë njerëzit një figurë që nuk do ta respektojnë veç për zërin, sepse këngëtarë ka shumë. Besoj se duhet të ndërtosh një figurë që duhet të jetë e admirueshme për njerëzit. Unë i besoj shumë shpirtit të njeriut dhe gjithmonë jam munduar të ndërtoj gjithçka mbi talentin dhe mbi punën time. Kjo është sa më shumë talent, punë dhe dinjitet.