RCCOLA

Abrashi: Ndeshja me Serbinë vendimtare

/ 4 minuta lexim
Eco Higjiena

Amir Abrashit nuk mund t’i largohet nga sytë ai moment kur topi u përplas me rrjetën e Kombëtares shqiptare.
Luheshin sekondat e fundit të shtesës 3- minutëshe, kur Portugalia shënoi golin e fitores të hënën mbrëma. Ndeshja eliminatore për “Euro 2016″ u zhvillua në Elbasan dhe u mbyll me fitoren e luzitanëve, 0-1.

Miguel Veloso shënoi me kokë pas harkimit nga këndi. Me kaq shkoi huq mundi 90-minutësh i kuqezinjve. Por Abrashi thotë se kjo humbje nuk e ka dekurajuar Shqipërinë para ndeshjes vendimtare dhe historike kundër Serbisë.

“E kemi pak të vështirë ta heqim nga mendja atë humbje të sekondave të fundit. Është mëkat i madh, por e kemi ende në dorë mundësinë për t’u kualifikuar direkt. Rezultati baras do të ishte i mirë për të dyja përfaqësueset. Kjo humbje na motivon më shumë për dy ndeshjet e ardhshme. Nuk duhet ta ulim kokën, por të përgatitemi fillimisht për ndeshjen kundër Serbisë, pastaj për ndeshjen ndaj Armenisë”, ka thënë Abrashi për “Kohën Ditore”.

Ai thekson se humbja nuk ishte e merituar. Shqipëria ishte më e mirë në pjesën e dytë dhe krijoi disa raste. Gjithashtu e zotëroi edhe më shumë topin.

“Humbjen në këtë mënyrë assesi nuk e merituam, pasi zhvilluam një pjesë të dytë mjaft të mirë. Por ky është edhe mësim për ne, pasi duhet që të jemi të përqendruar deri në fund të ndeshjes, meqë në një moment edhe mund të pësosh apo edhe të shënosh”, ka theksuar Abrashi, i cili vlerësohet si një nga mesfushorët më të mirë të Kombëtares së Shqipërisë.

Mobi Casa

Mesfushori kosovar përballjen më të rëndësishme të fazës së fundit të këtij cikli eliminator vlerëson atë kundër Serbisë në stadiumin “Elbasan Arena”, pas një muaji, më 8 tetor.

“Kundër Serbisë, do të jetë ndeshja më e rëndësishme e kësaj faze. Në këto dy ndeshje synojmë vetëm fitore. Megjithatë, të dyja ndeshjet do të jenë mjaft të rënda për ne. Shpresojmë që edhe Danimarka të mos fitojë në Portugali”, ka thënë Abrashi. Shqipëria përballjen e parë kundër Serbisë në Beograd e fitoi, por jo në fushë. Shqipëria fitoi tri pikë pas ankesës që bëri në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv.
Ndeshja në fushë u ndërpre te rezultati 0:0 për shkak të sulmit të huliganëve serbë mbi futbollistët e Shqipërisë. Abrashi ka një mesazh si për futbollistët, ashtu edhe për tifozët. Ai ka kërkuar kujdes maksimal.

“Presioni kundër Serbisë do të jetë në anën tonë, pasi luajmë para publikut tonë dhe normalisht do të ndikojë edhe historia mes këtyre dy popujve. Nuk duhet të jemi euforikë. Duhet të sillemi në mënyrë profesionale dhe ta fitojmë ndeshjen për të vazhduar ëndrrën tonë drejt Francës”.

“Jemi një grup i mirë lojtarësh dhe njëherësh edhe profesionistë. Kundër Serbisë, duhet të jemi të gjithë në formën më të mirë”, ka thënë Abrashi. Shqipëria aktualisht është e treta në Grupin I me 11 pikë, një më pak se Danimarka në vendin e dytë dhe katër më pak se Portugalia në vendin e parë. Dy të fundit janë Armenia (2) dhe Serbia (1), pa shanse për kualifikim. “Rruga jonë deri këtu ka qenë shumë e mirë, por kemi mundur dhe mundemi edhe më mirë”, ka thënë Abrashi.