Abdyli: As copëtim e as këmbim, Veriu dhe Lugina janë pjesë të ligjshme të Kosovës !
Lugina e Preshevës historikisht ka qenë pjesë përbërëse e trungut etnik shqiptar që nga Mbretëria ilire e Dardanisë e më pas Provincës së Dardanisë. Ajo në shumicën e rasteve ishte pjesë përbërëse e njësive territoriale administrative të mëdha të Perandorisë Osmane siç ishin pashallëqet, më pas katër vilajetet shqiptare.
Pas vitit 1912 Presheva ishte në kuadër të Banovinës së Vardarit e të zhupanisë së Shkupit. Presheva mbeti jashtë Kosovës së sotme, si një vazhdimësi e projektit serbomadh kur në vitin 1945 u bë pazari pa hanxhinj ka thënë në një intervistë ekskluzive për Preshevajonë prof.dr. Ramiz Abdylin, historian i mirënjohur.
Është e nevojshme të thuhet me këtë rast se shpallja e pavarësisë së Shqipërisë nënkuptonte që brenda kufijve të shtetit të ri shqiptar do të përfshiheshin gjithë trojet e banuara me shumicë shqiptare, përfshirë edhe Luginën e Preshevës.
Me Marrëveshjen e Ohrit nuk mund të zgjidhet çështja shqiptare në Maqedoni në përputhje me vullnetin e asaj pjese të popullit tonë, madje as në variantin,siç e pranoi subjekti politik e ushtarak i dalë nga Lufta e vitit 2001.
Diktatorët e fundit në Evropë Milloshevic dhe Enver Hoxha i shkaktuan dëme të mëdha kombit
Preshevajonë: Fillimisht profesor mund të na flisni pak mbi situatën e shqiptarëve në Ballkan dje dhe sot. Nën okupimin sllav në ish-Jugosllavi dhe okupimin diktatorial, nëse mund te themi kështu te regjimit enverian në Shqipëri ? Ju si historian dhe njohës i mirë i zhvillimeve në Ballkan shqiptarët nën cilin regjimi e kishin më së vështirë që nga koha e shpërnguljeve për në Turiq, koha e Rankovicit, Titos, Milosheviqit deri sot.. ?
Dr. Ramiz Abdyli: Shqiptarët i kanë mbijetuar shekujt si rrallë ndonjë popull tjetër. Ata mbijetuan me sukses sundimin romak, bizantin, bullgar, serb e atë osman dhe dolën në shekullin XX si njëri ndër kombet më vitale. Këtë pikëpamje e mbështesin edhe studiues të huaj eminent.
Milan Shuflaj, njëri nga studiuesit më të njohur të mesjetës,i cili thotë: ”Shqiptarët kishin dyshek tokën, jastëk gurin”. Më i egri nga këta pushtues ishte ai serb, i cili synonte zhdukjen e shqiptarëve nga trojet e tyre, që t’i përvetësonte ato për vete. Shqiptarët, ndonëse me vonesë nga popujt e tjerë të Ballkanit, ia dolën më 28 Nëntor 1912 të ngritin shtetin e ri të tyre pas atij të Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Mirëpo,jashtë kufijve të shtetit të ri shqiptar mbetën më tepër se gjysma e trojeve etnike shqiptare.
Ato u pushtuan nga serbët, malazezët dhe grekët, të cilët vunë në lëvizje të gjitha mjetet për të kthyer tokat shqiptare në toka etnikisht të pastra të etnisë së tyre. Greqia, krahas gjenocidit që ushtroi, ia doli të dëbojë një numër të madh shqiptarësh në Turqi e në Shqipëri. Ushtria serbe e malazeze që nga tetori i vitit 1912, krahas pushtimit që trojeve shqiptare, vrasjeve, konvertimit të dhunshëm në fenë ortodokse serbe, arrestimeve e rrënimit të shtëpive, ndërmori masa për dëbimin e tyre në Turqi e në Shqipëri. Ushtria dhe xhandarmëria serbe ia dolën që brenda viteve 1912 -1941 të shpërngulnin qindra mijëra shqiptarë. Sipas Konventës jugosllavo-turke të vitit 1938 planifikoheshin brenda viteve 1938 -1944 të shpërnguleshin edhe 400.000 shqiptarë të tjerë.
Por kjo nuk ndodhi, si rrjedhojë e shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore. Akademiku serb, Vasa Çubriloviq, i njohur me elaboratin e tij fashizoid, më 1945, në cilësinë e Ministrit të Bujqësisë të Qeverisë së Jugosllavisë Federative Demokratike, hartoi elaboratin e dytë për domosdonë e shpërnguljes së shqiptarëve nga Jugosllavia. Elaborati i tij do të merrej si platformë për asgjësimin e shqiptarëve. Si rrjedhojë e vijimësisë së politikës së etnocidit kundër shqiptarëve, shpërngulja në Turqi nuk u ndërpre deri në fillim të viteve 70 të shek. të kaluar.
Pasoi një periudhë e shkurtër e të ashtuquajturit liberalizmi në Kosovë, ndërkohë që arrestimet e montuara të shqiptarëve në zë vijuan edhe më tej. Pra, nuk ishte periudha e A.Rankoviqit që i përndoqi shqiptarët, por ai ishte njëri nga zbatuesit e projektit shovinist serbomadh, i cili u rishfaq sheshit në periudhën pas vitit 1981. Edhe S.Milosheviqi qe njëri nga zbatuesit e atij projekti që përmes etnocidit ta kthente Kosovën në tokë serbe. Megjithatë më 1999 Kosova u çlirua përfundimisht nga pushtimi serb. Ndërkaq, Lugina e Preshevës dhe trojet tjera të saj historike, mbetën nën Serbinë, sikundër edhe shqiptarët e Malit te Zi.
Regjimi diktatorial i Enver Hoxhës, krahas dhunës e vrasjeve sistematike, me politikën e vetizolimit i shkaktoi Shqipërisë dëme të mëdha në jetën ekonomike, sociale e kulturore, duke e futur vendin në humnerë e larg zhvillimit nga vendet e regjionit. E.Hoxha prishi Marrëveshjen e Mukjes, pasi ajo u cilësua kundërrevolucionare nga Partia Komuniste e Jugosllavisë.
Në fakt sipas asaj Marrëveshje, e lidhur midis PKSH dhe Ballit Kombëtar, synohej një Shqipëri demokratike si dhe bashkimi i trojeve etnike shqiptare mbi bazën e parimit të vetëvendosjes së popujve, të garantuar prej Kartës së Atlantikut. Ai regjim hodhi poshtë ndihmën ekonomike të SHBA të Programit Marshal si dhe ofertën për ndihmë të politikanit të Bavarisë Franc Jozef Shtraus. Pasojat e asaj politike sigurisht se reflektohen edhe sot në Shqipëri. Mbështetja e atij regjimi mungoi për shqiptarët e ish Jugosllavisë në kohën kur ata po hiqnin të zinjtë e ullirit.
Preshevajonë: Kemi lexuar dikund se në kohën e okupimit fashist në Luftën e Dytë botërore..ku edhe shqiptarët morën pjesë…pasi edhe ishim edhe të okupuar…Titoja, pas çlirimit i kishte propozuar Enver Hoxhës « meqë tash u çliruam e luftuam bashkërisht, Enver, po ke dëshirë të jesh president i Shqipërisë, apa Kosovën apo kryetar i një Republike të shtatë, dmth e Shqipërisë dhe Kosovës bashkërisht si njësi « Jugosllavisë» . Zoti profesor ju si historian çfare mund të na thoni si mbeti Shqipëria pa Kosovën e Kosova pa Luginën ?
Dr. Ramiz Abdyli: Sa për informim duhet të përkujtohet fakti se përgjatë Luftës së Dytë Botërore pjesa dërmuese e trojeve shqiptare ishin të pushtuara nga Italia dhe nga Bullgaria e një pjesë e vogël nga Gjermania. Nuk më ka rënë të lexoj për atë propozim, por e di që Tito synonte ta përfshinte Shqipërinë në përbërje të Jugosllavisë si republikë e shtatë. Dhe, sikur do të ndodhte kjo, mbase përgjatë asaj periudhe 50 vjeçare nuk do të përjashtohej mundësia e kolonizimit të Shqipërisë, sidomos i bregdetit të saj, e që si rrjedhojë nuk përjashtohej që serbishtja do të ishte gjuhë zyrtare, krahas shqipes?!
Ndërkaq, kur flasim për Shqipërinë apo Kosovën në raport me Serbinë e Malin e Zi kujtoj se nuk mund të bëhen paralele midis tyre. Prandaj, supozimi që edhe Kosova mund të çlirohej pa gjakderdhje duket iluzore?! Po të kishte qenë ashtu, atëherë pse nuk u tërhoq Serbia nga pjesa Veriore e Kosovës dhe Lugina e Preshevës, dhe si u tërhoq ajo nga Maqedonia?! Në fakt kemi të bëjmë me një Serbi e Mal të Zi sajesa dhe apogje të Rusisë, që kanë rezultuar nga projekti rusomadh i sajuar që nga periudha e sundimit të Pjetrit i Madh.
Me marrëveshjen e Ohrit nuk mund të zgjidhet çështja e shqiptarëve në Maqedoni
Preshevajonë: Në Maqedoni, pas marrëveshjes së Ohrit, mendoni se janë »realizuar kërkesat jo gjitha pr bile absolute të shqiptarëve në këtë ish-republikë Jugosllave. Po, liderët e Maqedonisë janë duke punuar, kontribuar proceseve dhe avancimit të drejtave e të shqiptarëve në këtë vend ?
Dr. Ramiz Abdyli : Me Marrëveshjen e Ohrit nuk mund të zgjidhet çështja shqiptare në Maqedoni në përputhje me vullnetin e asaj pjese të popullit tonë, madje as në variantin,siç e pranoi subjekti politik e ushtarak i dalë nga Lufta e vitit 2001. Kjo për faktin se ajo Marrëveshje e diktuar nga pala tjetër, ka rezultuar me konstruksione të menduara mirë, që mund të lexohen si ta marrësh. P.sh. në tekstin e saj të papërcaktuar e me bizantizimin e gjuhës askund nuk përmendet emri shqiptar, ngjashëm me marrëveshjen shqiptaro-osmane të Shkupit më 1912, në të cilën askund nuk përmendet emri Shqipëri dhe shqiptar.
Prandaj, nuk mund të pritet zgjidhja e çështjes shqiptare përmes asaj marrëveshje. Zgjidhje minimale e çështjes shqiptare në Maqedoni do të ishte qenia e shqiptarëve element konstituiv (shtetformues), krahas maqedonasve, rrjedhimisht kur Maqedonia do të ishte shtet i maqedonëve dhe i shqiptarëve, por që është shumë vështirë të jetësohet, po të kihet para mendjes paragjykimi i klasës politike maqedonas që kanë kundrejt shqiptarëve.
Preshevajonë: Falsifikimet në shkencë dhe historinë shqiptare në Maqedoni sikur rasti i enciklopedisë, pastaj rreth origjinës së Nënë Terezes, së fundi mbushja e shesheve dhe rrugëve me kuaj ku vërehet mungesa e heronjve nga historia e lavdishme shqiptare..për çka flasin këto provokime z .profesor ?
Dr. Ramiz Abdyli: Në Maqedoni shkenca është në shërbim të politikës,ku paragjykimet kanë gjetur strehë prej kohësh. Për tragjedinë e saj klasa politike maqedonase dhe aktualisht VMRO-DPMNE bashkë me “shkencën” është gjithnjë në kërkim të identitetit maqedonas. Prandaj, nuk është e rastit që drejtuesit e kësaj partie t’i kërkojnë rrënjët e kombit maqedonas tek maqedonasit e lashtë, me të cilët “sllavo maqedonasit” nuk kanë asgjë të përbashkët.
Ajo Maqedoni në fakt ishte një përzierje popujsh (ilirë, grekë e trakas). Këtu pra e ka burimin mohimi i identitetit kombëtar shqiptar e të figurave madhore shqiptare nga klasa politike maqedonase, siç është shkupjania Gonxhe Bojaxhiu, respektivisht Nënë Tereza, e në këtë kuadër rezulton qenia e shqiptarëve ardhacakë nga malet e Shqipërisë.
Mbi këtë bazë rezultojnë prej vitesh edhe tekstet e historisë për shkollat fillore e të mesme, bashkautor i ndonjërit prej tyre mund të gjendet edhe ndonjë shqiptar. Përgjegjësisë nuk mund t’i ikin as recensentët shqiptarë të atyre teksteve.
Preshevajonë: Z. profesor, siç e dini edhe në Luginën e Preshevës, luftë u zhvillua për liri, por sot, pas kaq vitesh, jeni të kënaqur me statusin e shqiptarëve etnik në Preshevë , Bujanovc dhe Medvegjë. Ka pasur disa Marrëveshje si ajo e Kumanovës dhe ajo e Konçulit, por sot e kësaj dite nuk janë zbatuar. Mos realizimi e Referendumit popullor të 1 dhe 2 marsit 1992 në Luginën e Preshevës është një kapitull tjetër ? Shpesh thuhet t’i rikthehen tokat apo të ribashkohet Lugina e Preshevës Kosovës..në cilat vite dhe si ishte Lugina e Preshevës pjesë e Kosovës dhe si u bë që mbeti me Serbi sot e kësaj dite ?
Dr.Ramiz Abdyli: Lugina e Preshevës historikisht ka qenë pjesë përbërëse e trungut etnik shqiptar që nga Mbretëria ilire e Dardanisë e më pas Provincës së Dardanisë. Ajo në shumicën e rasteve ishte pjesë përbërëse e njësive territoriale administrative të mëdha të Perandorisë Osmane siç ishin pashallëqet, më pas katër vilajetet shqiptare. Pas vitit 1912 Presheva ishte në kuadër të Banovinës së Vardarit e të zhupanisë së Shkupit. Presheva mbeti jashtë Kosovës së sotme, si një vazhdimësi e projektit serbomadh kur në vitin 1945 u bë pazari pa hanxhinj.
Me vendimet e Mbledhjes së Dytë të AVNOJIT (nëntor 1943), mbi bazën e të cilave Jugosllavia do të ndërtohej në mbështetje të parimeve federative, që do të sillte barazi të plotë midis popujve të saj sllavë, rrjedhimisht të Serbisë, Kroacisë, Sllovenisë, Bosnjë Hercegovinës, Malit të Zi dhe Maqedonisë, dhe mbi këtë bazë Kuvendi i Serbisë vendosi padrejtësisht që edhe Lugina e Preshevës të ishte pjesë përbërëse e saj (9 prill 1945). Ky vendim u miratua edhe në Mbledhjen e tretë të AVNOIT (7 gusht 1945).
Vendimi për bashkëngjitjen e Preshevës Serbisë Federale ishte i njëanshëm dhe në kundërshtim me vullnetin e shqiptarëve në përgjithësi, përfshirë edhe ata të Luginës së Preshevës. Abdullah Krashnica, ishte njëri nga anëtarët shqiptarë të ASNOM-it (Këshillit Antifashist…të Maqedonisë), për çka ai u angazhua që Lugina e Preshevës,që nga Ristovci (kufiri serbo osman),të përfshihej brenda kuadrit të Maqedonisë. Ndërkaq, Selim Selimi ngulmonte për bashkimin e Luginës së Preshevës me Serbinë. Me këto qëndrime ata debatuan në fund të vitit 1944 në sallën e kinemasë së qytetit. Sigurisht se kjo qe njëra nga arsyet për helmimin e A.Krashnicës,si dhe angazhimi i tij ngulmues për të shpëtuar nga pushkatimi partizan të qindra shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc, Kumanovë e në Gjilan. Ndërkaq, helmimi i tij nuk u bë me helm klasik, siç mendohet, por me një element kimik që ia mori atij jetën brenda një afati disa mujor.
Lugina e Preshevës mbeti pjesë e Serbisë sot e gjithë ditën përkundër Referendumit të vitit 1992, kur shqiptarët dëshmuan unanimisht se ishin për bashkimin e saj me Kosovën. Kur jemi këtu të shtojmë se janë të paqëndrueshme pohimet se Presheva ishte pjesë e Kosovës diku në vitet 60’ të shekullit të kaluar.
Në fakt u bë kalimi i ndonjë fshati në Serbi,por nuk mund t’i bëjë ballë të vërtetës pohimi se Lugina e Preshevës ishte pjesë përbërëse e Kosovës në atë kohë. Edhe mendimi që Lugina e Preshevës duhet t’i bashkohet Kosovës me gjysmën e saj etnike, në perëndim të hekurudhës, është i shëmtuar sepse i falet gjysma tjetër ku shqiptarët përbërë shumicën e popullsisë.
Preshevajonë: Akademik Rexhep Qosja për agjencinë „Presheva Jonë“ tha se Lugina e Preshevës le të bashkohet me Kosovën, kurse pjesën veriore të saj le ta merr Serbia. Ndërsa, Adem Demaçi e kundërshtoi opsionin e tillë me arsyetim se të dy trevat e kontestuara janë pjesë të pandara të Kosovës. Edhe Ismail Kadare pajtohet me mendimin e Adem Demaçit duke thënë se shqiptarët nuk kanë tokë tepër për të falur. Tani kërkoj mendimin tuaj z. Abdyli
Dr.Ramiz Abdyli : Nuk ka këtu pazar me tokat tona. As copëtim e as këmbim. Për hire të vërtetës është e nevojshme të thuhet se, sikur Veriu i Kosovës ashtu edhe Lugina e Preshevës historikisht janë pjesë e ligjshme e Kosovës dhe jo vetëm aq.
Preshevajonë: Kur jemi tek e kaluara, ju si historian i njohur mund ta dini, ka pasur qëndresa apo personalitete shqiptare që bënin rezistencë pushtuesve serbomëdhenj? Mund të flitni pak për lexuesit tanë për emrat Idriz Seferi, Xheladin Kurbalija, Shaip Mustafa, Selami Hallaci etj…
Dr.Ramiz Abdyli: Është e padiskutueshme se për historiografinë tonë Idriz Seferi përbën njërën nga figurat madhore në luftën e popullit shqiptar në fund të pushtimit osman për jetësimin e autonomisë e të pavarësisë së Shqipërisë si një strateg i rrallë i luftës kundër atij pushtuesi.
Emri i tij është i lidhur ngushtë me Kryengritjen e vitit 1910, në betejën e Termopileve shqiptare, ku u bë një përleshje me dimensione epike midis kryengritësve shqiptarë dhe forcave të ushtrisë osmane në Grykë të Kaçanikut, kur u luftua edhe me thika e ranë dëshmorë shumë trima të regjionit të Karadakut, të kazasë së Gjilanit e më gjerë (…).
Një rol të rëndësishëm ai luajti edhe në Kryengritjen e përgjithshme kundërosmane të vitit 1912, me të cilën synohej autonomia e Shqipërisë, ku do të përfshiheshin katër vilajetet e banuara me shumicë shqiptare. Roli dhe kontributi i tij ishte sidomos në organizimin e kryengritjes në regjionin e gjerë të Karadakut.
Për rrjedhojë, pas çlirimit të qyteteve të Kosovës së sotme u çliruan edhe Bujanoci (26 korrik) dhe Presheva (30 korrik), më pas Shkupi e Kumanova. Ai qe njëri ndër drejtuesit e asaj kryengritje që nuk pranoi ta braktiste Shkupin para se të jetësohej marrëveshja e arritur shqiptaro-osmane në atë qytet. Pas shpërthimit të Luftës së Parë Ballkanike në kohën kur bashkë me drejtues të tjerë të shquar të Kosovës organizoi qëndresë të armatosur, ai u arrestua dhe bashkë me 12 bashkëmendimtarë u gjend në kazamatin e Kalemegdanit në Beograd. Do të liroheshin vetëm pas intervenimit të Austro-Hungarisë.
Xheladin Kurbalija hoqi dorë nga idetë komuniste dhe iu bashkua idealit kombëtar
Xheladin Kurbalija ishte komunist me taban të rrallë kombëtar. Me këto ide u brumos kur vuante dënimin në burgun e Nishit. Ndërkaq, pas aksionit të çetës “Zenel Hajdini” dhe “Sima Pogaçareviq” ne Minierën e Llojanit, në tetor të vitit 1942, kur u formua njësiti i përbashkët dhe në krye të saj erdhi Xhivojin Nikoliq Bërka, një shovinist i Mateçit, Xheladini e kundërshtoi me forcë atë vendim.
Ai me atë rast deklaroi se nuk mund të ishte komandant një serb në një trevë shqiptare, për më tepër një shovinist ”që ua kishte pirë gjakun shqiptarëve”. Për rrjedhojë ai u shkarkua nga funksioni i deriatëhershëm që kishte pas në aradhe si dhe nga PKJ e u urdhërua Riza Ilinca që të bënte atentat mbi të. Por ky nuk deshi ta bënte një gjë të tillë.
Prej atëherë Xheladin Kurbalija hoqi dorë nga idetë komuniste dhe iu bashkua idealit kombëtar, duke iu bashkuar radhëve të Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Më 9 shtator 1944, kur në Preshevë hynë forcat e kësaj organizate, Xheladini shpalosi flamurin kombëtar në sheshin e atij qyteti dhe më pas për rreth dy muaj e gjysmë bashkë me Ibrahim Kelmendin e atdhetarë të tjerë qëndroi në ballë të luftës kundër forcave të bashkuara komuniste-çetnike dhe atyre bullgare, në një front të gjatë nga Llojani deri në Bujanoc. Ishte një shembull i një lufte të rrallë epike të një populli që nuk donte sërish të binte nën zgjedhën serbe. Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore ai iu bashkua radhëve të Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare, por u vra pabesisht nga një dorë tradhtare.
Selami Hallaçi ishte njëri nga komunistët atdhetarë, i cili i bindur se me pjesëmarrjen e shqiptarëve përkrah serbëve në Luftën antifashiste do të zgjidhej çështja shqiptare, për çka u ekzekutua në trekëmbësh në Prizren.
Shaip Mustafa ishte njëri nga komunistët e parë në Serbinë Jugore dhe njëri nga organizatorët e demonstratës kundër pushtimit bullgar në Shkupin e sapo pushtuar, në pranverë të vitit 1941. U kap dhe u depërtua në një kamp përqendrimi në Bullgari, prej nga u arratis dhe kaloi në Kosovë. Në mars të vitit 1943 ra në konflikt me Svetozar Vukmanoviq Tempon në Gjillan.
Kur ky e qortoi se nuk angazhohej për mobilizimin e shqiptarëve të trojeve lindore në Luftën kundër pushtuesve fashistë, ai kërkoi garanci me shkrim se do t’u njihej e drejta shqiptarëve për bashkim kombëtar. Kjo, si dhe organizimi i demonstratës në Shkup, qenë arsyet që Shaip Mustafa pas përfundimit të luftës të dënohej më burg të rëndë.
Preshevajonë: Sa është e angazhuar Tirana dhe Prishtina zyrtare rreth çështjes së Luginës së Preshevës ? Ju a jeni i kënaqur me qëndrimin e tyre?
DR.Ramiz Abdyli: Kujtoj se Tirana dhe Prishtina zyrtare duhet të bëjnë shumë më tepër për Luginën e Preshevës,sepse ajo është pjesë përbërëse e trungut tone etnik. Madje,mungon ngulmimi i tyre që shqiptarëve atje t’u njihen të drejtat që u janë garantuar serbëve në Kosovë. Si mund të heshtet para realitetit që nxënësit serbë në Kosovë mësojnë me tekstet e Serbisë,dhe nxënësve të Luginës nuk ju lejohet të mësojnë me tekstet e Kosovës, apo të Shqipërisë.
Real politika këtu bëhet qesharake. Gjendja dhe pozita e shqiptarëve në Luginën e Preshevës është alarmante. Atje papunësia është më e larta se kudo në Evropë, dhe jo vetëm. Duket se njerëzit atje kanë humbur shpresat për një perspektivë dhe me lot në sy mësyjnë rrugën e pa kthim drejt Perëndimit. Po të vazhdojë kështu, mbase pas ndonjë dhjetëvjetëshi nuk do të mbetet rini. Në fakt, në Luginë po ndodh një etnocid i heshtur. Kjo duhet ta shqetësojë çdo shqiptar kudo që gjendet, në radhë të parë politikbërësit në trojet tona.
Ndërkaq, subjektit politik atje, i mbetet barra kryesore për përmirësimin e gjendjes së mjerueshme. Ai duhet sa më parë ta shmang përçarjen e mëritë, sepse ka marrë për sipër ta zgjidhë fatin e zgjedhësve. Fillimisht duhet të krijohen kushte për mirëqenie ekonomike, që sa më parë të evitohet shpërngulja. Duhet bërë përçapje për bashkërendim të veprimtarisë tek faktori politik në Kosovë e në Shqipëri si dhe te faktori i huaj për të ndryshuar rrjedhën e gjërave atje. Përgjegjësisë morale, po edhe kombëtare nuk mund t’i ik as klasa politike në Kosovë e në Shqipëri. Shikoni çfarë bën Serbia për serbët në Kosovë.
Ajo doli të sigurojë për ta kushte më të mira se çdo pakicë tjetër në Evropë. Duhet të ngulmohet për krijimin e kushteve për mirëqenie sociale dhe zhvillim ekonomik në Luginë të Preshevës. Pse të mos ngrihet fillimisht ndonjë fakultet në Preshevë e në Bujanoc. Për këtë duhet të ndërgjegjësohen edhe biznesmenët shqiptarë në Shqipëri, Kosovë dhe në Maqedoni, sepse ajo është pjesë e jona. Njëkohësisht duhet një bashkërendim e bashkëveprim për jetësimin e të drejtave kombëtare në funksion të strategjisë kombëtare. Për këtë të gjithë duhet të flasin me një zë.
Preshevajonë: Dhe së fundit i nderuar profesor, meqë kanë nisur kremtimet për ta shënuar 100-vjetorin e pavarësisë dikush me gëzim e dikush me vajë pse ende ndjehen të okupuara e disa të çliruar…Ky përvjetor si i prêt shqiptarët të ndarë ende si komb apo të copëtuar gjeografikisht. Do të ishte zgjidhja më e mirë Shqipëria Natyrale ?
Dr.Ramiz Abdyli: Është e nevojshme të thuhet me këtë rast se shpallja e pavarësisë së Shqipërisë nënkuptonte që brenda kufijve të shtetit të ri shqiptar do të përfshiheshin gjithë trojet e banuara me shumicë shqiptare, përfshirë edhe Luginën e Preshevës.
Propozimi i Qeverisë së Përkohshme të Ismail Qemalit në përkujtesën që iu dërgoi përfaqësuesve të Fuqive të e Mëdha kërkohej që kufijtë e shtetit shqiptar të ishin që nga kufijtë e atëhershëm të Malit të Zi me Perandorinë Osmane dhe të përfshinin, bashkë me rrethet përkatëse, Pejën, Mitrovicën, Prishtinën, Preshevën, Kumanovën, Shkupin, Tetovën, Gostivarin, Dibrën, Manastirin, Kosturin, Mecovën e Janinën.
Në jug do të mbaheshin kufijtë ekzistues (me Turqinë) deri në Prevezë, por propozimi i saj nuk u përfill. Kjo ndodhi përkundër rolit që luajtën këto troje në bashkëpunim të ngushtë me Kosovën dhe trojet tjera etnike shqiptare për arritjen deri te ajo pavarësi e shenjtë, sot e 100 vjet mbetën padrejtësisht jashtë kufijve të shtetit shqiptar.
Jashtë kufijve të shtetit shqiptar mbetën më tepër se gjysma e trojeve etnike shqiptare. Pavarësia e Kosovës përbën një ndreqje të pjesshme të gabimit të Fuqive të Mëdha në Konferencën e Ambasadorëve në Londër (17 dhjetor 1912-29 korrik 1913). Kjo për faktin se shqiptarët dhanë një kontribut të çmueshëm në luftë kundër Perandorisë Osmane.
Aybrey Herbren, u deklarua kundër copëtimit të trojeve shqiptare. Duke vënë për këtë kontributin e popullit shqiptar që kishte dhënë në luftë kundër Peradorisë Osmane iu drejtua Fuqive të Mëdha, në të cilën ndër të tjera thotë: ”Më në fund,si Samsoni në Tempullin e Gazës, ata i shembën pirgjet e Perandorisë osmane….Janë shqiptarët ata që i shpartalluan turqit, e jo serbet,as bullgarët dhe as grekët”.
Prandaj Fuqitë e Mëdha pjesëmarrëse në atë Konferencë nuk mund t’i shmangen përgjegjësisë që kanë për këtë padrejtësi që ia bënë kombit shqiptar. Ndërkaq, në 100 vjetorin e përfundimit të punimeve të Konferencës së Ambasadorëve të Fuqive të Mëdha në Londër (30 korrik 1913), kur u maur vendimi për copëtimin e trojeve etnike shqiptare, duhet të kërkohet nga Gjyqi Ndërkombëtar i Hagës që të korrigjohet kjo padrejtësi që i është bërë kombit shqiptar.