Abdixhiku: “Ngërçi” po “fundos” vendin

Në nje intervistë për “Zëri”, njohësi i çështjeve ekonomike, njëherësh edhe drejtor në Institutin “Riinvest”, Lumir Abdixhiku ka thënë se ngërçi politik në vend e dëmton shumë edhe ekonominë dhe direkt gjepin e qytetarit. Ai ka folur për stagnimet kryesore që Kosova do të pësoj gjatë kësaj situate politike si dhe rrezikun që do të mund të kishte në vete ngritja e çmimit të energjisë elektrike.
Zëri:Të gjithë po flasin për pasojat politike si rrjedhojë e ngërçit politik. Po kur dihet se ekonomia e mbanë vendin në këmbë, çfarë dëme mund të pësoj vendi si rezultat i kësaj krize politike?
Abdixhiku: Padyshim se efektet më të rënda të ngërçit politik do të shprehen në ekonomi; në të vërtetë ne vetëm se po i përjetojmë shenjat e para të këtyre pasojave gjithandej. Kjo sepse ekonomia, përkatësisht sektori privat dhe i gjithë aktiviteti ekonomik që buron nga aty, ndërlidhet ngushtë me veprimet e politikat qeveritare. Lidhshmëria e institucioneve me sektorin privat, pra me ndërmarrësit, me punëtorët e me blerësit – pra me vet qytetarët – është ekzistenciale. Rrjedhimisht, në mungesë të institucioneve që krijojnë, implementojnë e kontrollojnë politika ekonomike, gjendja në vend vetëm se do të rëndohet dukshëm. E për dallim nga fushat tjera, konsekuencat ekonomike do të marrin kohë për t’u rikuperuar.
Mos të harrojmë se vendi ynë ka kohë që nuk arrin të ndërtojë mirëfilli bazat e shëndosha të zhvillimit ekonomik, madje as edhe atëherë kur kishte institucione funksionale. Mungesa e tyre sot veçse është një rëndesë e dyfishtë mbi një ekonomi bukur fragjile.
Zëri:Tani e disa muaj janë bllokuar projektet kapitale në vend. Mungesa e keshit, rënia e investimeve të huaja, krijimi i një klime jo të volitshme dhe të sigurt për investitorë. Si përkthehen të gjitha këto në zhvillimin ekonomik?
Abdixhiku: Ngërçi politik i Kosovës prodhon katër efekte regresive ekonomike. I pari ka të bëjë me ndërprerjen e investimeve kapitale në vend; dhe kjo ndërprerje ndodhë pikërisht në kohën kur Kosovës i duhej një iniciativë e re dhe rifreskuese e investimeve kapitale në infrastrukturë, energjetikë, telekom e miniera. Pra të gjitha sektorët e rëndësishëm ekonomik që meritojnë vëmendje sot janë lënë në sfond të dytë; dhe kjo ka për ta na kushtuar shumë. Efekti i dytë ka të bëjë me prokurimin publik, përkatësisht me shpërndarjen e parasë publike tek bizneset. Stagnimi institucional nënkupton edhe stagnim të kontraktimit të bizneseve; rrjedhimisht rëndesë e aktivitetit biznesor në vend. Kjo rëndesë do të përkthehet tek secili biznes e individ tjetër në një cikël të tërë multiplikimi ekonomik, nga qarkullimi e deri tek aftësia për të shpenzuar apo investuar.
Efekti i tretë ndërlidhet me ndërprerjen e politikave jokapitale nga qeveria, siç mund të jetë ndër të tjerash, subvencionimi i agrobizneseve, apo procedimi me reforma fiskale, të operimit, gjenerimit të kapitalit e të ngjashme. Të gjitha së bashku do të rëndojnë edhe më tutje ambientin e rëndë biznesor, e do të ulin aftësinë konkurruese të sipërmarrësve tanë. Efekti i katërt, dhe jo më pak i rëndësishëm, ka të bëjë me imazhin e pasigurt që ngërçi politik mund të përçojë jashtë tek investitorët e huaj. Sepse, në fund të fundit, askush nuk parapëlqen një vend me risk politik – siç dhe del të jetë ky i yni.
Zëri:Sipas jush, cilat janë tri stagnimet kryesore që do të pësoj vendi si rezultat i ngërçit?
Abdixhiku: Si pasojë e ngecjeve ekonomike, Kosova do të shënojë një rritje ekonomike dukshëm më të ulët se të vitit paraprak, dhe konsiderueshëm më të ulët se çfarë ka planifikuar një vit më parë. Pra, duke parë rrjedhat e fundit politike, vendi as që mund të llogarisë në një rritje ekonomike prej 4% sa kishte planifikuar – përgjysmimi i saj në rastin më të mirë të mundshëm do të jetë një output i mjaftueshëm. E mosaftësia e vendit tonë për të shënuar rritje ekonomike në afërsi të 8-10% nënkupton se edhe për disa kohë ne nuk do të mund t’i akomodojmë të papunët që i kemi tani dhe të tjerët që do të futen gradualisht në treg; se për sa kohë nuk mund të konkurrojmë me rajon, e nuk mund të përmirësojmë standardin e jetesës sonë.
Me pasoja evidente do të përballen edhe bizneset tona, të cilat do të shënojnë stagnim në potencialin e tyre rritës dhe humbje të aftësisë konkurruese me bizneset rajonale. E gjitha në fund do të përkthehet me më pak vlerë të shtuar, më shumë papunësi dhe më shumë rritje të çmimeve e varësi në importe.
Zëri:Cilat janë implikimet buxhetore nga ky ngërç politik?
Abdixhiku: Fillimisht, ngërçi politik nuk mund të vazhdojë në pafundësi; kjo sepse vendi në mungesë të një parlamenti funksional nuk do të mund të miratojë dhe shtyjë përpara buxhetin e vitit vijues. E mosaftësia e miratimit të buxhetit të vitit vijues nënkupton se vendi mund të mbesë pa arkë shtetërore, rrjedhimisht, pa aftësi për të shpërndarë paranë publike. Sot, pavarësisht mosaftësisë për krijim të Parlamentit e Qeverisë, Kosova ka pasur megjithatë një administratë publike – qendrore e lokale – mjaft funksionale, ka pasur shërbime publike në edukim, shëndetësi, gjyqësor e siguri po ashtu funksionale. Por ky funksionalitet do të rëndohet nëse në kohën e aprovimit të buxhetit të ri Kosova nuk ka institucione. Në një rast të tillë – që shpresoj të mos na vjen fare – vendi nuk do të ketë mundësi të kompensojë këta shërbyes publik. Kjo situatë do të paralizonte gjithë shtetin.
Implikimi tjetër buxhetor mund të rrjedhë si pasojë e nënperformancës së autoritete mbledhëse të parasë së shtetit. Ka kohë që institucionet mbledhëse kanë dëshmuar mosaftësinë e tyre për të realizuar planifikimet buxhetore në vend. Kjo mosaftësi mund të jetë shtyrë edhe nga mungesa e vëzhgimit dhe kontrollit institucional që del të jetë inekzistent pa një qeveri funksionale. Përtej kësaj, si rrjedhojë e ndryshimit potencial qeveritar, institucionet tona janë përfshirë me dy lloj aktivitetesh puro politike; i pari punësimi politik i ndjekësve partiak në ikje, dhe i dyti, i hipershpenzimeve të luksit në ditët e fundit të qeverisjes. Të gjitha këto elemente në fund mund të prodhojnë një situatë ku shkurtimet buxhetore duhet të jenë të domosdoshme për hir të funksionalitetit shtetëror. Këto shkurtime, fatkeqësisht, do të ndodhin në investime kapitale, e të cilat janë më të nevojshmet për vendin tonë.
Zëri:Paralajmërimet për ngritjen e çmimit të energjisë elektrike dhe përcjelljen e tyre me protesta. A mund të provokohen trazira?
Abdixhiku: Institucionet tona duhet të kenë kujdes serioz me rëndesën që i bartin qytetarëve të Kosovës. Ky vend dhe këta qytetarë nuk mund të jetojnë në situata ku fuqia blerëse bie vazhdimisht; pra ku në njërën anë çmimet rriten vazhdimisht e në anën tjetër të hyrat e kosovarëve bien apo stagnojnë për kohë të gjatë.
Pjesë qenësore e këtij kujdesi duhet të jetë edhe politika mbi çmimin e energjisë elektrike, e cila në tri-katër vitet e fundit ka përjetuar rritje të vazhdueshme të kostos së përdorimit të një produkti kaq bazik. Natyrisht se ka politika që mund të amortizojnë nevojën për rritjen e mëtutjeshme të çmimeve, duke filluar nga heqja e TVSH-së për energji elektrike e deri tek zvogëlimi i humbjeve teknike e komerciale që vendi i shënon sot. Por fatkeqësisht, deri më tani, ne nuk kemi parë asnjëherë një qasje kreative e serioze nga vendimmarrësit për të parandaluar rëndesën e standardit jetësor tonin nëpërmjet rritjes së çmimit të energjisë elektrike.
Gjithsesi se çmimi i energjisë elektrike do të mbetet problematik këtë vit, por edhe më problematik do të del furnizimi i gjithë vendit me energji. Paralajmërimet e fundit tregojnë për një dimër me reduktime evidente gjithandej.
Zëri:Në përgjithësi, në Kosovë është duke mbizotëruar një “mjegull” politike dhe ekonomike. Të gjitha këto më së shumti i bartë në shpinë populli. Çfarë situate socio-ekonomike pritni të kaploi vendin.
Abdixhiku: Kosova pak a shumë e ka vitin 2014 si vit të humbur ekonomik; dhe do ta kalojë vitin vijues, pra 2015 në përpjekje për të rikuperuar humbjet e tanishme, për të kthyer në stad të njëjtë zhvillimi tek në vitin 2016.
Cilado qeveri e re që vjen, do të ketë para vetes një gjendje të rënduar ekonomike që kërkon vëmendje dhe intervenim imediat. Ky intervenim duhet të jetë para së gjithash i mençur dhe i matur mirë; duhet të jetë në shërbim të sektorit privat, të konkurrencës së barabartë e në shërbim të sigurisë ekonomike e politike përballë investitorëve të huaj. Për të bërë gjithë këtë, Kosova duhet sa më parë të ketë institucionet e veta të formuara mirë. Secila vonesë në këtë drejtim vetëm se do ta rëndojë edhe më shumë gjendjen ashtu kështu të rënduar socio-ekonomike tonën. E kohë për të humbur nuk kemi.