Abdixhiku: As nesër s’do të ketë konstituim të Kuvendit, është koha për një Qeveri të unitetit

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka paralajmëruar se tentativa e nesërme për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës, e 28-ta me radhë do të përfundojë pa rezultat.
Ai tha se kjo përpjekje do të shërbejë veç si “prolog i tjetrës”.
Në një postim në Facebook, Abdixhiku ka përsëritur thirrjen drejtuar liderëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate për t’iu kthyer propozimit të tij për krijimin e një Qeverie të unitetit.
“Vazhdoj të besoj se mund të ulemi, të flasim dhe të pajtohemi për një zgjidhje të përbashkët. Kjo krizë mund të na shërbejë si mundësi, nëse e trajtojmë me guxim dhe përgjegjësi”, ka shkruar Abdixhiku, duke shtuar se situata kërkon përgjegjësi e jo izolim mes subjekteve politike.
Ai bëri të ditur se gjatë kësaj jave do të prezantojë një agjendë me 15 pika, të cilën e cilësoi si një platformë konkrete për bashkëpunim dhe formimin e një Qeverie të Unitetit.
Kjo agjendë do t’i ofrohet të gjitha partive politike, pa përjashtim.
“Uniteti sot nuk është luks – është domosdoshmëri. Po, Kosovës i duhet opozitë. Po, i duhet balanc demokratik. Por, para të dyjave, Kosovës i duhet pozitë – një qeveri legjitime, një Kuvend funksional, një shtet që punon”, theksoi ai.
Abdixhiku ftoi sërish që të mbështesin propozimin e tij, duke e vlerësuar si një mundësi për të dalë nga kriza institucionale që ka bllokuar vendin për muaj të tërë./Telegrafi/