RCCOLA

AAK-ja i përgjigjet Mustafës për koalicion

/ 4 minuta lexim
RCCOLA

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, tashmë ka filluar përgatitjet e para për koalicionin e ri qeverisës në rast se Lëvizja Vetëvendosje nuk e dorëzon emrin për mandatarin ose dështon të sigurojë votat që i duhen në Kuvend.

Madje gjatë ditës së djeshme kryetari Mustafa u ka kërkuar anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm që të deklarohen nëse duan të bëjnë koalicion me AAK-në dhe me Nismën ose jo, pas rrëzimit të qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti, shkruan “Insajderi”.

Gazeta “Insajderi” gjatë ditës së djeshme kishte siguruar njoftimin e dërguar nga Isa Mustafa për anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm, me të cilën u kërkon që të deklarohen.

Aty kërkohet që deri më 14 prill të përgjigjen me “Po” ose me “Jo” lidhur me pyetjen nëse janë të pajtimit për një koalicion me AAK-në dhe me Nismën. “A pajtoheni që LDK-ja ta marrë mandatin për formimin e qeverisë, në qoftë se ky mandat ofrohet duke ndjekur procedurat kushtetuese dhe të bëjë përpjekje të formojë qeverinë në koalicion me AAK-në, me Nismën Socialdemokrate dhe me komunitetet. Përgjigja: ‘Po’ ose ‘Jo’. Ju lutem që të përgjigjeni përmes e-mailit në adresë të LDK-së (nga e cila adresë e keni marrë këtë e-mail) deri më 14 prill 2020, në orën 16:00”, thuhet në njoftimin, të cilin e posedon “Insajderi”.

Për këtë çështje “Insajderi” ka kërkuar përgjigje në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës. Ka pyetur partinë e Ramush Haradinajt nëse janë të gatshëm që të hyjnë në një koalicion me LDK-në, nëse Këshilli i Përgjithshëm i kësaj të fundit e miraton kërkesën e Mustafës.

Muharrem Nitaj, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë për gazetën “Insajderi” se tashmë qëndrimi i tyre është i qartë, duke mos e përjashtuar koalicionin me Lidhjen Demokratike të Kosovës. “Nëse mandatin për krijimin e kësaj Qeverie do ta marrë LDK-ja ne do ta mbështesim pa asnjë hezitim dhe njëkohësisht do të mundë të ishim pjesë e kësaj qeverie, nëse kjo kërkohet prej nesh”, ka thënë Nitaj, për “Insajderin”.

Sipas, tij AAK-ja është pro krijimit të një qeverie të re sa më shpejt.

UBT

“Qëndrimi ynë për këtë çështje është i qartë. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është për krijimin e një qeverie të re, sa më shpejt, aq më mirë”, ka thënë Nitaj.

Qeveria nën udhëheqjen e Albin Kurtit është rrëzuar më 25 mars, me 82 vota pro, 32 kundër dhe një abstenim.

Kundër mocionit ishin edhe tre deputetë të LDK-së, Vjosa Osmani, Haxhi Avdyli dhe Ardian Shala.

Tashmë presidenti i vendit, Hashim Thaçi, i ka dërguar për të dytën herë kryeministrit të shkarkuar Albin Kurtit një letër, përmes së cilës i kërkon mandatarin për formimin e qeverisë së re.

“Ju rikujtoj që Lëvizja Vetëvendosje është subjekti politik që ka fituar shumicën në Kuvend për të formuar qeverinë dhe ka të drejtën e propozimit të kandidatit/es për të formuar qeverinë”, shkruan Thaçi në letër.

Letrën e parë presidenti Thaçi e kishte dërguar më 2 prill. Në Nenin 100 të Kushtetutës së Kosovës thuhet se nëse mocioni i mosbesimit votohet për qeverinë në tërësi, qeveria konsiderohet në dorëheqje. Kurse Neni 82 e përcakton se Kuvendi mund të shpërndahet nga presidenti pas votimit të suksesshëm të mosbesimit të qeverisë.

Por Neni 95 i Kushtetutës së Kosovës shkruan se “nëse kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, qeveria bie dhe presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose me koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri për të formuar qeverinë”.