RCCOLA

AAK humbëse, PDK fituese

/ 3 minuta lexim

Një koalicion i ri qeverisës ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës shihet si humbje e madhe për Ramush Haradinajn dhe fitore për Hashim Thaçin.

Madje, vlerësohet se hyrja e AAK-së në koalicion me PDK-në do të ishte shpëtim për kryeministrin Thaçi, sepse në këtë formë partia e Haradinajt do të bëhej pjesë e proceseve të “dhimbshme” që e presin Kosovën në të ardhmen, përshirë këtu marrëveshjen e mundshme për çështjen e veriut.

Të paktën ky është vlerësimi i dy partive opozitare dhe analistëve në Prishtinë për mundësinë që PDK ta ndërrojë partnerin e saj të koalicionit qeverisës, duke u bërë bashkë me AAK-në në dy vitet e ardhme të këtij mandati, pavarësisht dallimeve që kanë, shkruan “Zëri”.

Deputeti nga LDK-ja, Lutfi Haziri, konsideron se në rast se AAK merr vendim për të hyrë në bashkëqeverisje me partinë e kryeministrit Hashim Thaçi, atëherë natyrisht se fituese do të dalë PDK-ja.

“Fituese, nëse ndodh një koalicion i tillë për të cilin unë nuk besoj, normalisht se do të dalë PDK me në krye kryeministrin. Këtë e kanë dëshmuar praktikat e deritashme se ai që udhëheq qeverinë është fitues”, ka thënë Haziri.

Mobi Casa

Partia opozitare e udhëhequr nga Albin Kurti vlerëson se qeveria “Thaçi 2”, ka nevojë për një partner të ri qeverisës dhe më të fuqishëm, me qëllim që të hyjë në negociata me Serbinë për veriun e Kosovës.

“Nëse AAK vendos që t’i bashkohet kësaj qeverie, atëherë është shumë e qartë që këtë po e bën për interesa të ngushta partiake. Kosova dhe qytetarët e saj do të humbasin më së shumti nëse do të ndodhë ky koalicion mes PDK-së dhe AAK-së, derisa përfitues do të jenë politikanët e korruptuar, të cilët do të shtojnë edhe më shumë pasurinë e tyre, në mënyrë të jashtëligjshme dhe në kurriz të Kosovës”, ka deklaruar Dardan Mulliqaj, sekretar organizativ i Vetëvendosjes.

Një koalicion të ri qeverisës analistët e shohin humbje të madhe për Ramush Haradinajn dhe fitore të Hashim Thaçit.

“Nga një koalicion i tillë, ajo e cila do të dalë humbëse është AAK, ngase argumentet e saj kundër partisë qeverisëse do të zbehen shumë, kurse fituese do të dakë PDK, ngase do të ndajë fajësinë e keqqeverisjes”, ka thënë njohësi i zhvillimeve politike, Agron Demi.