RCCOLA

AAK e ka ndarë mendjen, duhet biseduar me Serbinë!

/ 3 minuta lexim

Nënkryetari i parë i AAK-së, Blerim Shala, ka deklaruar se beson në pafajësinë e Ramush Haradinajt, pasi që të gjitha argumentet dhe dokumentet e dëshmojnë këtë. Në emisionin “Rubikon” të KTV-së, ka thënë se fati i Ramushit është edhe fati i AAK-së dhe i Kosovës.

“Nuk ka asnjë element që mund të dënohet Ramushi. Nuk flas për planin B, sepse ju besoj fakteve dhe argumenteve që tregojnë se ai nuk mund të dënohet”, ka thënë Shala, duke shtuar se me kthimin e Haradinajt në Kosovë, atëherë do të fillojnë edhe bisedimet rreth marrjes së përgjegjësive nga AAK-ja.

“Ne e kemi ndarë mendjen që të marrim përgjegjësitë që na takojnë për dialogun me Serbinë”, ka thënë Shala, raporton OraInfo. Ai tutje ka theksuar se Serbia është zot shtëpie ne veri, dhe se qytetarët në atë pjesë nuk dinë asgjë për Pakon e Ahtisarit.

Sipas Shalës, me Serbinë nuk duhet të bisedohet vetëm për pjesën veriore, sepse ka edhe çështje tjera që duhet biseduar. “Bisedimet me Serbinë është puro politike, dhe se është shumë fjalë e madhe të thuhet se Prishtina nuk do të bisedojë me Beogradin për veriun”.

Eco Higjiena

Shala ka folur edhe për bllokimin e procesit të reformës zgjedhore dhe ndryshimeve kushtetuese sa i përket pjesës së presidentit. Ai ka thënë se dorëheqja e tashmë e presidentes, ashtu siç kërkon LDK-ja, do të shkaktonte krizë institucionale në vend.

“Ne mendojmë se kemi obligime të përbashkëta. Nuk duhet bllokuar proceset e rëndësishme siç është reforma zgjedhore dhe ndryshimet kushtetuese dhe tash të prishim çdo gjë derisa të jap dorëheqje Jahjaga”, ka thënë ai.

I pyetur për aferën e Hotel Grandit, Shala ka thënë se askush nuk duhet ta marr ligjin në dorë. “Për këtë duhet të flas gjyqësia. Duhet sa më shpejt të zbardhet tema rreth Grandit, dhe temat tjera sa i përket privatizimit”, ka theksuar tutje ai.

Ndërsa i pyetur për deklaratën e zëdhënësit të AAK-së, Ernest Luma, i cili ka thënë se “Pacolli duhet të jetë në burg e jo në SHBA”, Shala e ka kundërshtuar një gjë të tillë. “Ajo çfarë ka thënë nuk është adekuate, është çështja e drejtësisë se kush duhet të shkoj prapa grilave”, ka thënë Shala.