A po zhduken vërtetë shoqëritë e Bletëve!?
Gjilan – “Nëse bletët do të zhdukeshin, pas katër vjetësh do të vinte fundi i gjithë njerëzimit” , shprehje që i atribuohet Albert Einstein-it. Shkencëtarët as nuk e vënë në dyshim fatin e errët të njerëzimit, nëse bletët do të vdisnin.
Deri më tani humbjet alarmante të kolonive të bletëve janë konsideruar shpesh si një katastrofë e heshtur për njerëzimin. Në vitet 2000, ekspertët vunë re një ulje të ndjeshme të zgjojeve dhe reduktim të numrit të bletëve në Europë, me 20%. Humbjet e regjistruara të shoqërive të bletëve për 2014 ishin 23 përqind, 7 pikë më pak se mesatarja 2005-2013. Këto humbje ndodhën për shkak të një paraziti aziatik që u quajt edhe vrasësi më i madh i bletëve. Më pas, në katër muajt e parë të vitit 2015, humbjet ishin më të mëdha, deri në 40%. Kjo përqindje është alarmante dhe shqetëson me të drejtë bletërritësit.
Situata e bletëve në Kosovë dhe rajon
Vitet e fundit janë duke paraqitur një situatë të vështirë për bletët dhe për bleterritësit kosovarë. Është e qartë se bletarët po përballen me sfida serioze, që lidhen me përhapjen e sëmundjeve të ndryshme infektive dhe parazitare. Këto, së bashku me ndryshimet klimatike me zhvillimin e një bujqësie të ngarkuar me pesticide, si dhe
me kultivimin e monokulturave, kanë pasoja në zhvillimin e mëtejshëm të bletarisë. Në dallim nga gjallesat e tjera, bleta ka veçori që e bëjnë atë më të vështirë në parandalimin dhe trajtimin e sëmundjeve.
Në Kosovë gjatë luftës janë dëmtuar me mijëra shoqëri bletësh dhe kjo solli një përkeqësim të bletarisë kosovare në ato vite. Pas Çlirimit, u rrit vëmendja ndaj sektorit të bletarisë. Numri i shoqërive të bletëve dhe i zgjojeve moderne arriti të rritet dukshëm , megjithatë prodhimi mesatar i mjaltit për shoqëri ishte i ulët, shkonte afërsisht 6 kg. Në Kosovë, bletët janë përballur dhe po përballen me shumë probleme, viruse, baktere që kanë ulur rezistencën e tyre. Bletarët kanë vënë re gjithashtu fenomene të zhdukjes së papritur të shoqërive të bletëve gjatë vëzhgimeve në këtë vit kalendarik. Këto probleme rreth zhdukjes dhe paraqitjes e sëmundjeve tek bletët, ditë më parë, bletërritësit e Shoqatës së Bletërritësve “Luzma”, nga Dardana, kanë diskutuar për problemet e bletërritësve të kësaj komune si dhe për paraqitjen e sëmundjes së nozemozës tek bletët, nga e cila sëmundje, janë dëmtuar me qindra shoqëri bletësh.
Në këtë takim bletërritësit ishin të shqetësuar dukshëm për humbjet e mëdha të bletëve, ku për shumicën e bletarëve, kjo veprimtari ishte burim I vetëm jetese.
Kryetari i ShB “Luzma”, Riad Morina, ka bërë të ditur për humbjet të shoqërive të bletëve të bletërritësve dardanas.
Ndërkohë, bletarët synojnë regjistrimin e
zgjojeve në të gjithë komunën, që do të jetë një hap përpara për bletarinë dardanase, por edhe për shëndetin e konsumatorëve, sepse do të rritet mundësia për ta kontrolluar origjinën e mjaltit, cilësinë e produkteve të ndryshme, por edhe sëmundjet që prekin bletët. Anëtarë tjerë në këtë takim, u informuan nga bletërritës më me experience, për parandalimin e sëmundjeve të bletës, gjë që prezantuan disa nga medikamentet bio për t`i kuruar bletët.
Pjesëmarrës të këtij takimi shumë frytdhënës, thonë njëzëri që nëse bletët do të zhdukeshin, njerëzimi do të përballej me dëme zinxhir në prodhimin e frutave e perimeve por edhe në blegtori dhe në ekonomi. Thënë shkurt, nëse nuk ka bletë, nuk ka ushqim, ose edhe nëse ka do të jetë i tjetërsuar dhe më i shtrenjtë.
Ekspertët kanë identifikuar një sërë faktorësh që kanë çuar në kolapsin e bletëve. Mungesa në cilësinë e të ushqyerit. Bletët nuk gëzojnë më një larmi të nektarit dhe polenit nga burime spontane, e si rrjedhojë niveli i stresit për këto krijesa është shumë i lartë. Pesticidet, kanë pasoja të mëdha në kolapsin e bletëve. Pesticidet përdorën për të zhdukur mikrobet. Më të rrezikshme për bletët janë ato me bazë nikotinën siç është edhe neonicotinoids. Një pesticid i tillë, është i njohur për ndikimin e tij tek insektet në mënyra të ngjashme me simptomat e kolapsit. “Ekspozimi i bletëve në mjedise me nivel të lartë toksinash dhe helmesh është gjithashtu një faktor në zhdukjen e kolonive”, u tha në takimin e bletarëve dardanas, duke shtuar se edhe rritja e temperaturave globale shkakton një reaksion zinxhir dhe limiton shoqëritë e bletëve.
OKB: Zhdukja e bletëve do të shkatërrojë furnizimin global me ushqim
Raporti më i fundit i Kombeve të Bashkuara nënvizon pasojat e tmerrshme në zinxhirin ushqimor nëse trendi shqetësues i zhdukjes së bletëve vazhdon me këto ritme alarmuese. Vdekja e këtyre krijesave po rrezikon gjithnjë e më shumë të lashtat globale me vlerë miliarda dollarëshe. Shkencëtarët e OKB-së zbuluan që dy nga pesë speciet e pjalmuesve globalë (kryesisht bletët, por edhe fluturat dhe insekte të tjera) janë pranë zhdukjes, së bashku me disa specie zogjsh. Arsyet sipas OKB-së janë të shumta: përdorimi i pesticideve, ngrohja globale, sëmundjet, humbja e habitateve të shkaktuara nga shpyllëzimi, zgjerimi urban apo edhe agrikultura moderne. Për shkencëtarët e OKB-së, duhet të hidhen disa hapa të thjeshtë për të ndihmuar bletët, si për shembull mbjellja e sa më shumë drithërave dhe jo limitimi në mbjelljen e misrit dhe sojës si edhe përdorimi sa më pak i kimikateve.
Ngrohja globale dhe bletët
Ndryshimet klimatike dhe temperaturat e larta po pengojnë mbijetesën e bletëve. Bletët detyrohen të qëndrojnë në një habitat dhe e kanë të pamundur të shtegtojnë e të përshtaten me një të ri. Një studim mbi impaktin e ndryshimeve klimatike tek bletët shpreh shqetësim mbi faktin që bletët e kanë të pamundur të kolonizojnë zona të reja në planet. Bletët e kanë më të vështirë se çdo krijesë tjetër për të ngrejtur një strehë në një mjedis të ri që fatkeqësisht ndryshon gjithnjë për shkak të ngrohjes globale.
Çfarë masash mund të ndërmerren për të mbrojtur bletët?
Shumica e helmimeve të mëdha ndodhin kur bimët janë në lulëzim. Gjithsesi, bletët mund t’i mbrojmë me këto mënyra:
– Duke përdorur pesticide vetëm kur është e nevojshme.
– Duke mos përdorur pesticide ndërsa bimët janë në lulëzim.
– Duke i përdorur insekticidet vetëm kur bimët ose lulet janë në fazën e lulëzimit ose vetëm pasi petalet kanë rënë.
– Duke i përdorur pesticidet kur bletët nuk janë në pikun e fluturimit (bletët e arrijnë kulmin e fluturimit kur temperatura e ajrit është mbi 13-15°C. Janë më aktive nga ora 8:00-17:00.
– Duke i bërë spërkatjet pasdite, kur puna e bletëve bie ndjeshëm, mundësisht para mbrëmjes (gjatë natës pjesërisht kimikatet zbërthehen).
– Duke mbrojtur ujin nga ndotja. Bletët kanë nevojë për sasi të bollshme uji, për ftohjen e zgjoit, ushqimin e pjelljeve etj.
– Në varësi të rrethanave, përdoruesi i kimikateve mund të zgjedhë përbërës dhe dozë më pak helmuese.
– Insekticidet e reja (të mikrokapsuluara) janë shumë më tepër helmuese për bletët se çdo përbërës tjetër deri më tani.
– Përdorimet në formë pluhuri janë më të rrezikshëm sesa përbërësit e lëngshëm./rajonipress/rexhë hasani/


