A po rrezikohen pensionistët kontributdhënës?

Shkruan :Makfire Urzunaliq -Urgjentisht të përfitohen kufizimet për ndihmat që i marrin personat që jetojnë në shtete të treta dhe nuk kontribuojnë për shtetin e Kosovës,duke marrë edhe atje pensione të majme.

Mbledhjen e rregullt te Kuvendit të Organizatës së Bashkimit të Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës, e mbajtur para ca ditësh, e përcolla me shumë vëmendje dhe prita se në këtë mbledhje do të propozohet një strategji e mirëfilltë për zgjidhjen e problemit të pensionistëve, i cili po vazhdon tash e trembëdhjetë vite, por kjo nuk ndodhi. U përsëritën kërkesat dhe propozimet që po i dëgjojmë tash e 13 vite, por pa sukses.

Është dashur që të jemi pakëz më të bashkuar, sepse kemi lejuar që të ndahemi duke formuar sindikatën dhe dy parti politike dhe të anashkalohet organi më i lartë i pensionistëve që është legjitim Bashkimi i Pensionistëve të Republikës së Kosovës. Kemi lejuar që secili prej këtyre subjekteve të bijë vendime sipas qejfit të vet pa i harmonizuar ato me Bashkimin e Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës.

Gjithashtu pensionistët kanë pritur që t’i jepen vërejtje kësaj skeme aktuale dhe të kërkojnë që kjo skemë të eliminohet dhe të vijnë vërejtje konkrete dhe rekomandime siç janë:Shqyrtimi i mundësisë për hulumtimin e burimeve financiare për formimin e fondit pensionalo – invalidor që do ta kthente statusin e humbur të pensionistëve, dinjitetin dhe trajtimin adekuat e jo kategori sociale.

Urgjentisht të përfitohen kufizimet për ndihmat që i marrin personat që jetojnë në shtete të treta dhe nuk kontribuojnë për shtetin e Kosovës, duke marrë edhe atje pensione të majme.

Drejtorati pensionalo-invalidor i Kosovës urgjentisht të gjejnë forma dhe metoda për përfitimin e kriteriumeve për persona që marrin dy pensione në Kosovë dhe jashtë si dhe kërkimeve për ndihmat personave që i mbushin 65 vjet jo ndonjë kufizim, ka shumë raste që në një familje marrin 3-4 vetë ndihma sepse i kanë mbushur 65 vjet.

Ky numër çdo muaj rritet. Me rritjen e këtij numri rriten edhe shpenzimet financiare për të paguar këto ndihma.

Nëse diçka nuk merret në këtë drejtim kanoset rreziku se pensionistët kontributdhënës do të mbesin edhe pa këto 80 euro që i marrin tani. Përndryshe krejt çka u tha në këtë mbledhje me vend dhe se udhëheqësia e Bashkimit të Pensionistëve ka bërë mjaft në aktualizimin e kësaj çështjeje qe 13 vite dhe se të gjitha mundësitë e organizimit janë shterur.

Le t’u mbetet në ndërgjegje të gjithë atyre që kanë kontribuuar që kjo kategori e cila ka bërë shumë,dikush me pendë e dikush me lopatë për Kosovën çfarë është sot të trajtohet si kategori sociale dhe ditët e pleqërisë të kalojnë në skamje dhe varfëri.

A thua vallë do t’ua falnin bijtë dhe bijat tona që e realizuan ëndrrën tonë për Kosovë të lirë dhe të pavarur me gjakun e tyre sikur t’i shihnin gjyshërit, edukatorët e tyre të lodhur dhe të rraskapitur nga skamja dhe varfëria (një numër i konsiderueshëm) me siguri se jo!

(Autorja e këtij teksti, Makfire Osmani Urzunaliq, është anëtare e kryesisë së Organizatës së Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës – Gjilan).

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS