RCCOLA

A po kthehet Berlusconi

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Tash për tash ai nuk thotë as po a jo. Hezitimi gjithmonë ishte pjesë e strategjisë së tij. Por, pikërisht për shkak të mosdeklarimit të tij lidhur me kthimin e mundshëm në skenën politike, shumëkush mendon se kthimi i Berlusconit është – pothuajse – i sigurt.

Ish-kryeministri i Italisë, Silvio Berlusconi, gjatë kësaj vere para italianëve po shfaqet i rrethuar me bukuroshe të veshura në bikini. Ai po shihet shpesh edhe duke vrapuar. Sipas fjalëve të mjekut të Berlusconit, Alberto Zangrilli, përkundër faktit që është 75-vjeçar, Berlusconi është në gjendje të shkëlqyeshme shëndetësore. Pikërisht për këtë arsye, ai këtë verë nuk po e kalon në vilën e tij në Sardenja, duke pushuar në plazh, por duke punuar në zyrën e tij në Milano – dhe duke planifikuar kthimin në skenën politike.

Natyrisht, ai s’e pranon këtë gjë drejtpërsëdrejti. Në të vërtetë, hezitimi gjithmonë ka qenë pjesë përbërëse e strategjisë dhe taktikës së tij. Por, sa më shumë që heziton, aq më me siguri mund të thuhet se kthimi i tij është gati i sigurt, thonë mediat italiane. Në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, në vitin 2013, ai mund të shfaqet sërish si kandidati kryesor i partisë së tij, Popolo della Liberta.

E ndihmuan reformat dhe kursimi

Por, a ka ai ende gjasa te votuesit italianë? Dhe, nëse po, sa janë ato? o

“Berlusconi mund të na befasojë secilën herë. Sa më të vogla t’i ketë gjasat, ai vetëm e forcon tempin dhe jep gaz”, thotë eksperti i mediave, Giorgio Grossi, nga Milano.

Veç kësaj, nuk duhet harruar se ai është një ‘alfa mashkull’ tipik, i cili nuk u largua vullnetarisht nga posti i shefit të qeverisë italiane. Skandet e shumta, të cilat mbushnin përditë ballinat e shtypit të verdhë (jo vetëm) italian, nuk mundën ta largonin. Ajo që në fund, megjithatë, doli të jetë e kobshme për të ishte kriza financiare, dhe situata e keqe në tregjet financiare.

Kështu që, presidentit të vendit, Giorgio Napolitano, vitin e kaluar nuk i mbeti asgjë tjetër, pos që të ngre frenin, të formojë qeverinë kalimtare, dhe në postin e kryeministrit të emërojë ekspertin e ekonomisë, Mario Monti.

Pas ekzaltimit fillestar, euforia që përcolli ardhjen e Monti’t ra shpejt, reformat dhe programet e kursimit e bënë të vetën. Tani, një numër gjithnjë e më i madh i italianëve ankohen për shkurtimet në sektorin social dhe shëndetësor, në rritjen e tatimeve, por edhe të kufirit të pensionimit.

RCCOLA

Kolegët e partisë e lusin që të kthehet

Gjithë këtë situatë sigurisht që Berlusconi po e shfrytëzon shumë mirë. Mjeshtri i deklaratave populliste sërish doli në pah, duke adresuar porosi të ndryshe, si atë se Gjermaninë duhet përjashtuar nga Eurozona, po qe se ajo nuk do të jetë e gatshme të ndihmojë dhe të paguajë për ata që s’munden vetë. Por, përveç popullizmit, çfarë tjetër mund t’iu ofrojë Berlusconi italianëve? Si gjithherë, shou, shou, dhe, sërish, shou.

Për shembull, ka javë që qarkullojnë thashetheme dhe deklarata, sipas të cilave kolegët e tij partiakë – fjalëpërfjalshëm – po e lusin që të kthehet në skenën politike. Madje, edhe vetë Angelino Alfano, i cili e zëvendësoi atë në krye të partisë, nëpërmjet rrjeteve sociale pohon se edhe po e bindë Berlusconin që të kthehet. Në gjithë këtë mbase ekziston edhe një grimë e së vërtetës; partia e Berlusconit pa të nuk mund të llogaris në ndonjë ndihmë të madhe financiare të sponsorëve.

Berlusconi si shpresë e re

Italianët momentalisht kanë mendime të ndryshme – të paktën kështu pohojnë sociologët vendorë. Votuesit e interesuar politikë nga radhët e të rinjve e dëshirojnë fillim të ri radikal. Askush nga ta nuk dëshiron që në krye të vendit të shohë fytyrat e garniturave të vjetra politike, në mesin e të cilave bënë pjesë edhe ish-kryeministri. Edhe pse kriza aktuale në të cilën ndodhet Italia pjesërisht është edhe pasojë e qeverisjes së tij, shumëkush në Itali – përfshirë edhe vetë sipërmarrësit – ende s’janë të gatshëm të besojnë në këtë gjë, gjegjësisht, ta pranojnë këtë fakt.

“Kriza është një fenomen global. Ajo nuk ka lindur te ne. Ndoshta pikërisht për shkakun se edhe vetë është ndërmarrës, ai e di më së miri se si të dalim nga kjo situatë”, shprehet kamerierja, Floriana Bassi.

Me fjalë të tjera, me sa duket, shpresat e italianëve në masë të madhe sërish janë kthyer nga Berlusconi. E ai, nga ana tjetër, si rrallëkush tjetër e di se duhet të shfrytëzohet kjo gjë për nevoja personale.

Berlusconi ende nuk është pjesë e të kaluarës italiane. Përkundrazi. /DW/