ARKATANA

A po ju rrihet?

/ 5 minuta lexim
FIDANISHTJA

​Nga Imer Mushkolaj – Është koha e fundit që liderët e partive politike të gjejnë zgjidhje dhe të mos e mbajnë peng vendin. E dimë se kanë ambicie të sëmura për pushtet, por kjo nuk e legjitimon papërgjegjësinë dhe talljen e tyre me qytetarët. Ata po rrinë, e shteti po kolapson.

Në fund të prillit 2012, Gazeta “Express” ia kishte vënë titullin “A po ju rrihet?” një shkrimi që tregonte se si komisionit për reformën zgjedhore po i skandonte mandati, ndërkohë që nuk e kishte kryer punën e vet. Atëbotë thuhej se vonesat në reformën zgjedhore e bënin edhe më të paqartë kohën e mbajtjes së zgjedhjeve.

Reforma duhej të përfundonte më 22 prill 2012, por politika nuk po merrej vesh për zonat e as për listat zgjedhore. Përfaqësuesit e partive politike, anëtarë të komisionit, flitnin për një kompromis që duhej arritur, ndërkohë që zyrtarët ndërkombëtarë bënin presion që procesi të përfundojë sa më shpejt. Para të majme u paguan në kontot e deputetëve që duhej ta kryenin reformën, por asgjë nuk përfundoi.

Pavarësisht një marrëveshjeje politike sipas të cilës zgjedhjet parlamentare duhej mbajtur në vitin 2013, Hashim Thaçi përmendte fundin e vitit 2014 si datë të zgjedhjeve dhe ditë kur do të ndodhte “ballafaqimi me opozitën”.

Papërgjegjësia e partive politike bëri që reforma të mos përfundojë asnjëherë dhe zgjedhjet të mbahen sipas ligjit të vjetër. Dhe jo në fund të vitit, siç dëshironte Thaçi, por në qershor.

Reforma zgjedhore tashmë është harruar, ndërkaq protagonistët e partive politike kanë të tjera qëllime.

* * *

Dy vjet e gjysmë pas rrëfimit për dështimin e reformës zgjedhore, janë sërish partitë politike dhe papërgjegjësia e liderëve të tyre ato që po bllokojnë procesin e krijimit të institucioneve. Pesë muaj pas zgjedhjeve situata është dëshpëruese, frustruese dhe, në vend që institucionet të ishin krijuar që moti, liderët partiakë janë barrikaduar prapa qëndrimeve të veta, duke provuar të vijnë në pushtet me çdo kusht.

Pasi konsumuan muaj të tërë duke u tallur me qytetarët, ata jo që nuk po ndërmarrin hapa konkretë për të dalë nga kriza, por nuk po japin as ndonjë propozim për të qenë. E vetmja gjë që po lëviz janë mijëra euro që çdo muaj derdhen në konto të deputetëve – të deputetëve që rrinë kot, përsëritin herë pas here fraza bajate në media dhe bëjnë pikën e qejfit në pritje se çfarë do të ndodhë. Thua se nuk janë vetë ata që duhet të gjejnë zgjidhje.

Gjatë gjithë këtyre muajve është përsëritur i njëjti refren. PDK që asaj i takon krijimi i institucioneve, pavarësisht se nuk i ka numrat dhe Blloku që i ka numrat, por s’po mundet t’i krijojë institucionet.

FIDANISHTJA

Blloku na ka mbajtur peng javë të tëra duke thënë se zgjidhja është në pikën 127 të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, për t’i thënë më në fund presidents që ta dërgojë këtë pikë në gjykatë për sqarim. Pse Blloku nuk veproi kështu qysh atëherë kur vendimi u publikua? Kjo është hipokrizi.

Tash, zyrtarë të Bllokut thonë se PDK duhet të lëviz, e zyrtarë të PDK’së, paramendoni, sërish thonë se kjo parti i ka numrat, por se po dëshiron të krijojë institucione stabile dhe të qëndrueshme, andaj po i duhen edhe numra të tjerë! Është pak ta quash hipokrizi.

* * *

Është shqetësues dhe i papranueshëm komoditeti i liderëve të partive politike e deputetëve, si dhe mungesa e iniciativave serioze për të dalë nga kriza. Kriza është shndërruar thuajse në normalitet dhe të krijohet përshtypja se gjithçka është në rregull. E realiteti është krejt ndryshe.

Ata po rrinë, e jeta e qytetarëve po bëhet gjithnjë e më e vështirë. Ata po rrinë, e shteti po shkon drejt kolapsit. Ata po rriunë, e ne po dështojmë. Ata janë mësuar të rrinë dhe nuk e kanë hiç dert edhe nëse dështojnë. Sepse janë të papërgjegjshëm, sepse pushtetin e shohin si privilegj, e jo përgjegjësi.

Është koha e fundit që liderët e partive politike të gjejnë zgjidhje dhe të mos e mbajnë peng shtetin. Nëse asnjëra palë nuk ka fuqi politike të ndërtojë institucionet, atëherë duhet të ulen bashkë, të bisedojnë dhe të merren vesh. Nëse nuk duan të bisedojnë, atëherë le të shkojnë sërish në zgjedhje. Veç të mos na mbajnë peng të kapriçove të tyre. Veç të mos na shiten si viktima të parimeve dhe të demokracisë. E dimë se kanë ambicie të sëmura për pushtet, por kjo nuk e legjitimon pëpërgjegjësinë dhe talljen e tyre me qytetarët.

Edhe tash si për reformën zgjedhore në vitin 2012 flitet për kompromis, edhe tash si atëherë

zyrtarët ndërkombëtarë bëjnë presion që procesi të përfundojë shpejt, edhe tash si atëherë para të majme paguhen në kontot e deputetëve. Edhe tash si atëherë rezultat nuk ka. Ka veç fjalë.

Këta tipa nuk duhet lejuar që të vazhdojnë të tallen me ne. Më nuk shkon kështu.