A po e sfidon Alban Hyseni edhe subjektin e vetë politikë!? Vazhdon telenovela me Komunën e Gjilanit

Gjilan – Ngërçi politik rreth buxhetit komunal për vitin 2025 e ka thelluar pasigurinë e qytetarëve të Gjilanit rreth të ardhmes së qytetit të tyre. Ndonëse në javën e fundit, kur është afati ligjor, ekzekutivi dhe kuvendi (shumica e vendimmarrësve) vazhdojnë përpjekjet për të hedhur fajin tek njëri-tjetri për mos-miratim.
Kryetari i komunës, z. Alban Hyseni, në këtë kontekst duket se ka shfrytëzuar çdo mundësi për të shmangur përgjegjësinë për dështimet e tij në terren, zhvillimin e qytetit dhe vonesat në investimet kapitale, cilësinë e punimeve për përmirësimin e infrastrukturës, shërbimeve publike dhe kushteve të jetesës për qytetarët.
Ai po përpiqet të shfajësohet dhe të distancohet nga dështimet që ka pasur në drejtimin e komunës.
Siç merr vesh Rajonipress, z. Hyseni dhe subjekti i tij politikë, Vetëvendosje, po kalojnë një periudhë relativisht në mëdyshje mes-vete. Në disa raste, tensionet u janë shfaq edhe në kuvend.
Madje, Vetëvendosje në nivel qendror, e sfiduar nga performanca e kryetarit të Gjilanit, po e ka të vështirë të gjejë kandidatura eventuale si alternativë për Kryetarë Komune dhe se si të paraqitet në zgjedhjet lokale të sivjetme.
Zëra brenda këtij subjekti në nivel lokal thonë se nuk janë të gatshëm të bartin barrën e dështimeve të z. Hyseni, pavarësisht se në zgjedhjet nacionale të muajit shkurt, ky subjekt në Gjilan mori mbi 50% të elektoratit.
Në një situatë të tillë, kreu i ekzekutivit duket se po kërkon shpëtimin e tij politik te arsyetimet dhe shpërqendrimi nga problemet që ka qyteti dhe ai vetë.
Ditë më parë, një iniciativë ndërmori Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Gjilanit, z. Kushtrim Kadriu, për tejkalimin e ngërçit për aprovimin e buxhetit. Atij, iu përgjigjën pozitivisht subjektet politike të kuvendit, përfshirë edhe ekzekutivi, z. Hyseni.
Nga ky takim u raportua se ka vullnet që për të mirën e qytetit të tejkalohen dallimet. Megjithatë, jo shumë gjatë pas këtij takimi, sërish filloi drama mediatike, të cilën e nisi i pari i ekzekutivit, përmes thirrjes së një seance të jashtëzakonshme për ditën e martë.
Gjatë konferencës së djeshme të jashtëzakonshme, z. Hyseni këtë takim me përfaqësuesit e subjekteve tjera politike e quajti të pa strukturuar dhe tendencë për të i dhënë leksione.
Ai tha se rreth miratimit të buxhetit ka pas një lojë politike të bartjes së fajit dhe përgjegjësive nga njëra palë tek tjetra. Tutje, para mediave, ai tha se i ka kërkuar MAPL një interpretim ligjor rreth asaj se kujt i takon e drejta për të propozuar buxhetin si dokument në Kuvendin Komunal.
Derisa në po të njëjtën ditë, në njё konferencë tjetër të Lidhjes Demokratike, dega në Gjilan, kryetari i kësaj partie, z. Lutfi Haziri, numëroi parregullsitë që e kanë shoqëruar ekzekutivin rreth buxhetit për vitin 2025. Ai po ashtu theksoi dakordimin dhe vullnetin e mirë të subjektit të tij si rrjedhojë e takimit me subjektet politike të kuvendit për të kaluar këtë ngërç.
Madje, ai fajësoi kryetarin e komunës, pasi, siç u shpreh, tha se njëanshëm thirri seancën urgjente, pavarësisht se kishte dakordim paraprak.
Edhe dega e PDK, reagoi përmes një postimin në facebook duke theksuar se Kryetari i komunës vazhdon të viktimizohet para qytetarëve të Gjilanit. Derisa, edhe ky subjekt politikë, pjesë e Kuvendit Komunal të Gjilanit, ka njoftuar se në takimin e thirrur nga z. Kadriu është arritur një marrëveshje në mes të subjekteve politike, ku buxheti i komunës së Gjilanit për vitin 2025 do të miratohej të enjten në seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga opozita.
Derisa, një gjë është e sigurt, duket se qytetarët as gjatë vitit 2025 nuk do të shohin ndonjë përmirësim të dukshëm në qytetin e tyre, sikurse as autostradën deri në Gjilan./rajonipress/