Fundamenti

A po e paralajmëron ikjen?

/ 2 minuta lexim

Behgjet Pacolli, përmes deklaratave kritike ndaj Qeverisë, duket se po paralajmëron daljen në opozitë.Behgjet Pacolli po vazhdon të lëshojë akuza në drejtim të Qeverisë, pjesë e së cilës u bë në dimrin e vitit 2011.

Përpos akuzave se edhe për një letërnjoftim duhet të korruptohesh, Pacolli herën e fundit ka thënë se Qeveria e Kosovës po i mashtron qytetarët.

Por, a është ky hapi i njëjtë si i LDK’së, kur kishte braktisur Qeverinë në tetor të vitit 2010 dhe kishte kaluar në anën e opozitës?

Zyrtarët e AKR’së nuk kanë dhënë përgjigje nëse Kryetari i tyre po përgatitet për ri-pozicionim në skenën politike.

“Nuk mund të komentoj deklaratat e z. Pacollit. Është mirë drejtpërdrejtë prej tij të merren qëndrimet e tij. Çfarëdo që të them mund të gaboj sepse nuk mund t’i interpretoj deklaratat e tij”, ka thënë Ibrahim Makolli, zyrtar i lartë i kësaj partie dhe njëherësh Ministër i Diasporës.

Fundamenti

Qëndrimet e Pacollit nuk janë komentuar as në PDK.

“Nuk mund të komentoj bash kurgja”, ka thënë Nënkryetari i PDK’së, Hajredin Kuçi, për Express, të premten.

Behgjet Pacolli ka hyrë në Qeveri pasi ishte detyruar të largohet nga Presidenca, ndërsa PDK ende nuk ia ka dhënë krejt hisen në Ekzekutiv.

Më herët zyrtarët e AKR’së kanë paralajmëruar se ndryshimet në Qeveri do të bëhen shumë shpejt, por nuk ka ndodhur kështu, pasi Kryeministri Thaçi ende nuk ka bërë asnjë hap drejt riformatizimit të kabinetit qeveritar.