Fundamenti

A ka rënë entuziazmi për Obamën?

/ 6 minuta lexim

Presidenti aktual i SHBA-së, Barack Obama, në prag të zgjedhjeve të zgjedhjeve të 6 nëntorit, vazhdon të gëzojë mbështetje më të madhe mes grupeve kyçe të votuesve: afrikano-amerikanëve, latinëve dhe grave, por sipas anketave kombëtare, përkrahësit e Obamas nuk janë aq entuziastë sa para 4 vjetësh.

Kriza ekonomike e vitit 2008 ndihmoi Obaman të fitonte zgjedhjet presidenciale. Dhe në zgjedhjet e këtij nëntori, votuesit amerikanë do të kenë parasysh përsëri gjendjen e ekonomisë.

Ndërsa presidenti aktual i SHBA-së, Barack Obama, po përgatitet të pranojë emërimin e Partisë Demokrate për në zgjedhjet e nëntorit në kuvendin e partisë në Karolinën e Veriut, ai do të theksojë sukseset e mandatit të tij të parë presidencial me vështrimin nga e ardhmja, duke shpresuar ta zgjerojë mbështetjen personale të votuesve. Para 4 vjetësh kur u zgjodh President, Obama ngjalli një valë entuziazmi dhe shprese mes votuesve.

Presidenti i parë afrikano-amerikan u zotua të ndryshojë politikat amerikane dhe të bashkojë një vend të përçarë në një kohë krize ekonomike.

Duke folur para më shumë se një milion njerëzve në Washington, presidenti i ri atëbotë tha: “Duke filluar nga sot, ne duhet të ngrihemi nga vendi, të shkundim pluhurin që na ka mbuluar dhe të fillojmë përsëri punën për rindërtimin e Amerikës”.

Anëtarja e kuvendit kombëtar demokrat, Debbie Dingell, mban mend atmosferën plot shpresë që ekzistonte atë ditë.

“Njerëzit ishin idealistë. Ishte diçka shumë e mirë të shikojë shpresë tek njerëzit, si dhe angazhimin e një numri të madh njerëzish në procesin politik, diçka që nuk e shikon gjithnjë”, tha ajo.

Megjithëse mandati i parë i presidentit Obama po përfundon, ai ka ende pushtet që të ndryshojë agjendën politike.

Ai vazhdon të gëzojë mbështetje më të madhe mes grupeve kyçe të votuesve: afrikano-amerikanëve, latinëve dhe grave, por sipas anketave kombëtare, përkrahësit e Obamas nuk janë aq entuziastë sa para 4 vjetësh.

Analisti politik në Institutin Amerikan Enterprise, Norm Ornstein, thotë se megjithëse entuziazmi për presidentin ka rënë, kjo ka filluar të ndryshojë kohët e fundit.

“Nuk ka dyshim se ekziston një zbrazëti në entuziazmin për presidentin Obama këtë vit, krahasuar me vitin 2008. Kohët e fundit, ka pasur një hendek entuziazmi mes Obamas dhe demokratëve nga njëra anë dhe Mitt Romneyit dhe republikanëve nga ana tjetër, por kjo ka filluar të ndryshojë. Mes demokratëve po shtohet entuziazmi, jo sepse pa pritur ata po mbështesin Barack Obamën, por sepse ka pasur një reagim ndaj disa prej pikëpamjeve ekstreme të shprehura nga kandidati presidencial republikan dhe republikanët”, theksoi Ornstein.

Administrata Obama e vë theksin tek arritjet e presidentit gjatë mandatit të parë, përfshirë miratimin e ligjit mbi kujdesin shëndetësor, ligjin mbi page të barabartë, emërimin e dy anëtareve femra në Gjykatën e Lartë dhe rimëkëmbjen e industrisë amerikane të automobilave.

Presidenti Obama e mori detyrën me premtimin se do të ndiqte një politikë të re në Lindjen e Mesme. Në Kajro, ai mbajti një fjalim të rëndësishëm mbi marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me botën myslimane.

“Kam ardhur në Kajro për të kërkuar një fillim të ri mes Shteteve të Bashkuara dhe myslimanëve nëpër botë”, tha Obama gjatë atij fjalimi.

Tri vjet pasi presidenti Obama e shpalli “të patolerueshme” gjendjen e palestinezëve, administrata e tij nuk i shikon me të njëjtën ndjenjë urgjence përpjekjet e paqes mes Izraelit dhe botës arabe.

Eco Higjiena

Gjërat kanë ndryshuar dhe tani interesat amerikane janë përqendruar tek Irani dhe Siria, megjithëse mosmarrëveshjet e thella mes Izraelit dhe palestinezëve nuk janë injoruar plotësisht.

Në nëntor të vitit të kaluar, prania e Obamas në takimin e ASEAN-it në Indonezi la të kuptohej një ndryshim në fokusin e politikës së jashtme të administratës së tij.

Administrata Obama thekson përfundimin e luftës në Irak si dhe vrasjen e udhëheqësit të Al-Qaidës, Osama bin Laden, si çështje me implikime të rëndësishme në politikën e brendshme dhe të jashtme.

Por për votuesit amerikanë, të gjitha këto çështje veniten po të krahasohen me ekonominë.

Darrell West, i Institutit Brookings në Washington, thotë se politika e jashtme nuk do të

jetë një “element i rëndësishëm” në zgjedhjet e nëntorit.

“Pjesa më e madhe e vëmendjes së votuesve do të përqendrohet te papunësia dhe pas emërimit nga ana e Romneyt të Paul Ryan si kandidat për nënpresident, kjo vëmendje do të përqendrohet edhe tek propozimet për buxhetin federal, të paraqitura nga Mitt Romney dhe Barack Obama”, theksoi West.

Debati do të thellohet nga pikëpamjet e kundërta për ekonominë dhe rreth së ardhmes së Shteteve të Bashkuara në aspekte të ndryshme të jetës, si kujdesi shëndetësor, të drejtat e grave dhe roli i qeverisë.

Edhe përkrahësit më besnikë të presidentit Obama thonë se gjendja e rëndë ekonomike kërcënon gjasat e tij për t’u rizgjedhur.

Kriza ekonomike e vitit 2008 ndihmoi Obaman të fitonte zgjedhjet presidenciale.

Dhe në zgjedhjet e këtij nëntori, votuesit amerikanë do të kenë parasysh përsëri gjendjen e ekonomisë, ndërsa hedhin votën e tyre.

Obama do të pranoi emërimin nga Bill Clinton

Ish-presidenti amerikan, Bill Clinton, parashihet që formalisht ta emërojë Barack Obamën për mandatin e dytë presidencial, në fjalimin e tij, në Konventën Kombëtare të Partisë Demokratike.

Clinton, gjatë presidencës së të cilit në vitet e 90-ta është shënuar rritje ekonomike në Shtetet e Bashkuara, pritet që ta lavdëroj Obamën si kandidatin më të mirë për ta kthyer ekonominë amerikane në rritje.