Fundamenti

A janë kriminelët dhe tradhtarët në burgun e Hagës apo në disa koka të krisura në Kosovë?!

/ 13 minuta lexim

Nga Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA – A mbeti kush në Kosovë e që nuk është tradhtar: Ish të burgosurit politik në Kosovë gjatë viteve të ‘90 -ta më shumë ishin sulmuar nga LDK-ja se sa nga vet Serbia që i kishte arrestuar, torturuar, dënuar dhe mbytur gjatë hetimit apo edhe gjatë vuajtjes së dënimit.

Në atë kohë të burgosurti politik kishin kredi të larta njerëzore, kombëtare, politike dhe morale pikërisht shkaku i sakrificës që e bënin, pa pyetur fare për çmimin që duhej paguar. Po në atë kohë, nga Lidhja Socialiste e Popullit Punonjës të Kosovës u themelua, me kumbarinë e Rrahman Morinës, Lidhja Demokratike e Kosovës, si e vetmja lëvizje alternative politike. Krerët e LDK-së fillimisht ishin në grupin themelues të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut, duke filluar nga Ibrahim Rugova, Bujar Bukoshi, Alush Gashi, Bajram dhe Nekibe Kelmendi e që, në pako pastaj u bartën në LDK. Me sugjerimin mos ta them këmbënguljen e Bacës Adem Demaçi, shumica e ish të burgosurve politik mbetën pa u angazhuar politikisht sepse, po të angazhoheshin politikisht do të ndanin në dysh LDK-në e që konsiderohej si lëvizje popullore.

Mendoj se, sidomos nga perspektiva e ditëve tona dhe, gjithashtu edhe nga zhvillimet pas themelimit të LDK-së, mosangazhimi politik i ish të burgosurve politik ishte gabim sepse, në njërën anë, për një kohë i la në margjina kurse, në anën tjetër udhëheqësit e LDK-së, ish-komunistë të regjur dhe të bindur të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë dhe Lidhjes Komuniste të Serbisë që iu kishin shërbyer qençe këtyre regjimeve, që nga koha e Aleksandar Rankoviqit, Josip Broz Titos e deri te Sllobodan Millosheviqi u forcuan shumë, pa asnjë kundërshtim brenda shqiptarëve të Kosovës.

Me t’u forcuar, ish-komunistët jugosllavë dhe serbë, tash të ambalazhuar si alternativa shqiptare në Kosovë punën e parë që e bënë ishte eliminimi edhe i atyre pak anëtarëve të tyre, ish të burgosurve politik. Ndërkaq, ndaj Bacës Adem e zhvilluan një propagandë aq të ulët dhe aq intensive saqë thonin se Baca Adem asnjëherë nuk kishte qenë në burg por ka kaluar kohën në hotelet e Beogradit, me femra dhe duke bërë shtatë palë qejfe.

Madje, në një takim me njërin nga këta horra dëgjova se në periudhën midis viteve 1989 -1990 kur unë isha bashkë me Bacën Adem në Kampin e Përqëndrimit në Stara Gradishkë (Kroaci), sipas këtij, ai e paska takuar disa herë Bacën në hotelin “Moska” në Beograd. Aty dola nga vetja dhe i thashë të largohet se, në të kundërtën do t’ia sh….jë të gjitha nënat; nënën Milicë, nënën Sllavicë, nënën Dragicë dhe të tjera. Deri ku shkonte urrejtja ndaj Bacës Adem që përfaqësonte të gjithë të burgosurit politikë shqiptarë e që e kishin si frymëzim dhe lejekalim njerëzor, kombëtar, politik, moral për të gjitha sakrificat që bënin.

Në Podujevë, në vitet e ’90-ta, disa drejtues të degës së LDK-së mbanin mbledhje ku thonin se: “për ne (LDK-së), më të rrezikshëm janë ish të burgosurit politik, se vet Serba ..” Më kujtohet se gjatë një emisioni të drejtpërdrejtë në “Radi Llapi” që udhëhiqej nga artisti patriot dhe vet i dënuar politikisht, tash i amshueshmi Bajrush Behrami e që zgjati mbi 3 orë, nuk më ka rënë të dëgjoj aq shumë fyerje ndaj Bacës Adem dhe të shoh një durim aq të madh që e pati Baca.

Pastaj, u tha se grupi pushkatues i LDK-së që kishte marrë përgjegjësi për ekzekutim politik dhe kombëtar të Bacës e kishte orkestruar këtë emision përmes anëtarëva të këtij grupi dhe kësaj partie. Kur doli nga burgu Baca Adem Demaçi, e vizitoi kryetarin e LDK-së, Ibrahim Rugovën i cili foli fjalë të mira për Bacën. Edhe sot këto fjalë të Rugovës përsëriten për ta kujtuar Rugovën dhe “filozofinë dhe urtinë rugoviane” dhe, me të drejtë thuhet se mids tyre nuk kishte armiqësi.

Ibrahim Rugova e kuptoi se Baca nuk kishte për qëllim marrjen e pushtetit absolut që e kishte Rugova sepse Baca, në çdo rast e përkrahte Rugovën me shpresë se do të lëvizte, më në fund nga pozita e mosveprimit e që, në fakt ishte sikur ta prisje ardhjen e Godos. Rugova asnjëherë nuk lëvizi dhe nuk mori asnjë vendim përveç marrëveshjes së nënshkruar me kryepopin e popave të “Shën Exhidios” për lirim të objeketeve shkollore dhe universare e që nuk u realizua asnjëherë. Problemi kryesor e që ndau përfundimisht Bacën Adem Demaçi me Ibrahim Rugovën ishte se Rugova nuk ishte në gjendje ta bëjë as sakrificën më të vogël në luftë për liri dhe çlirim edhe kur dhuna kishte arritur majat e së padurueshmës, madje, për më keq edhe po të bëheshin të gjithë politikanët bashkë nuk do t’i bënin aq shumë dëm luftës së lavdishme të së Lavdishmes Ushtri Çlirimtare e Kosovës sa bëri Rugova.

Rugova nuk ishte njeri që merr përgjegjësi, e donte lirinë, mendoj pa asnjë dyshim por pa sakrifikuar asgjë. Adem Demaçi ishte krejtësisht e kundërta, ishte vullkan i pandalshëm në luftë për liri, pavarësi, si fazë kalimtare për realizim të bashkimit kombëtar. Po të mos ishte këmbëngulja e Bacës Adem Demaçi që të mos pengohej Rugova me asgjë, sigurisht se do të kishim një situatë tjetër; nuk do të duronim që ish- shërbëtorët e Jugosllavisë dhe Serbisë të jenë përcaktues për fatin tonë politikë dhe kombëtar, ish hetuesve udbashë, prokurorëve dhe gjykatësve që na torturuan, akuzuan dhe dënuan do t’ua pamundësonin rikyçjen në institucione, sikur të ishin pasardhësit e Azem Bejtës, Shaban Polluzhës, Hasan Prishtinës, Isa Boletinit etj.e jo që edhe pas atyre tmerreve që përjetuam të ndjehemi fajtorë para tyre.

Nuk do të lejonim që fëmijët e këtyre keqbërësve kriminelë të bëhen pronarë të mediave, anëtarë të ekipeve negociatore apo këshilltarë politikë por do drejtonim atje ku e meritojnë për ta pastruar të kaluarën e tyre. Nuk do të ndodhte që fëmijët e ish bashkëpunëtrëve të UDB-së apo KOS-it sot të bëhen ambasadorë, konsuj, kryetar bordesh, ministra e zv/ministra apo, edhe ata vet të bëhen anëtarë të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, madje të bëhen edhe kryetar të kësaj Akademie duke bërë përpjekje që pafytyrësinë e së kaluarës dhe të tashmës ta mbulojnë me mjekër.

KKGJILAN

Sulmet ndaj Bacës po vazhdojnë ndaj nxënësve politikë dhe kombëtar të Bacës Adem Demaçi: Është një paradok në Kosovë; mbi 96 përqind të viktimave të luftës ishin shqiptarë ndërsa mbi 83 përqind të të auzuarve dhe të dënuarve për krime lufte janë shqiptarë që nuk ka ndodhur në asnjë vend të botës.

Nuk është kjo normale, nga asnjë e drejtë! Sot, në Burgun Racist të Hagës po mbahen si pengje lufte (në kohën e paqes), sigurisht derisa të përfundojnë bisedimet me Serbinë themeluesit e UÇK-së, bartësit e luftës çlirimtare, fituesit e luftës me Serbinë por jo edhe me argatët e Serbisë në Kosovë, bartësit e posteve më të larta shtetërore, hartuesit dhe lexuesit e Dokumentit të Pavarësisë së Kosovës; Jakup Krasniqi kryetar i Kuvendit të Kosovës dhe u.d. i Presidentit të Kosovës dhe themelues i UÇK-së, Hashim Thaçi, udhëheqës i delegacionit të Kosovës në Rambuje, kryeministër i Kosovës, ministër për Punë të Jashtme i Kosovës, hartues dhe lexues i Deklaratës së Pavarësisë, President i Kosovës, themelues i UÇK-së, me një fjalë histori e gjallë e të gjitha përpjekjeve për liri të shqiptarëve në periudhën kur ka jetuar dhe vepruar, Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit të Kosovës dhe kryetar i PDK-së, themelus i UÇK-së dhe pjesëmarrës në të gjitha aktivitetet kombëtare që nga koha kur ishte nxënës i shkollës së mesme e deri kur u mor peng dhe Rexhep Selimi, Shef i GP të LVV-së, deri kur u arrestua, luftëtar dhe guerilas i orëve të para në radhët e UÇK-së, lexues i njoftimit të bërjes publike të daljes së UÇK-së, si Ushtri Çlirimtare e Kosovës e dalë mga populli dhe për popullin, Salih Mustafa luftëtar i orëve të para të UÇK-së, Hysni Gucatit që, në luftën e tij çlirimtare ka më shumë plagë se Gjergje Elez Alia, Nasim Haradinaj që në moshë shumë të njomë mori armën për t’iu bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pa kuryser asgjë dhe për ta dërguar në vend dhe edukimin kombëtar që i la treshëgim babai i tij, patriot dhe njeri shembullor, Smajl Haradinaj.

Dhe, i fundit është Pjetër Shala që është arrestuar dhe po gjykohet vetëm se ishte pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

E tash, të gjithë këta të arrestuar më së shumti po sulmohen nga bartësit e posteve më të larta të institucioneve të Kosovës që me mish dhe pa shpirt janë angazhuar që ata të dërgohen në Hagë. Dëshmitë janë aq kokëforta sepse ka incizime tonike të Kuvendit, deklarime të presidentes, nga Zyra e Kryeministrit, nga ministra e zv/ministra që më heret kishin deklaruar se kishin dërguar materiale fajësuese në Gjykatën Raciste në Hagë. Ka deklarata të dhëna para hetuesve të Serbisë të personave që sot mbajnë poste të larta publike e që do të përdoren nga kjo Gjykatë Raciste për të siguruar prova rrethanore.

Ka dyshime se ka edhe dëshmitarë të mbrojtur. Nuk keni parë asgjë, çka do të shihni në të ardhmen! Punimi dhe botimi “profesional dhe akademik” i një mendermethënë kryetar i ASHAK-ut, që përmbajtësisht inkorporohet në akuzën kundër pengjeve që po mbahen në Hagë, mund dhe do të përdoret si dëshmi në këtë proces për sigurim të provave rrethanore. Si shpërblim, ky, mendermethënë kryetar i ASHAK-ut jo që nuk u shkarkua por, duket se doli edhe më i fortë duke siguruar mbrojtje nga pushteti! Në rrethana normale, ky farë, mendermethënë kryetar i ASHAK-ut nuk do t’i mbijetonte shkarkimit dhe përgjegjësive tjera edhe po të ishte kryetar i Akademisë së Voskopojës dhe Akademisë së Hajkobillës sepse ato e kanë pasur Kodin e Nderit e që ASHAK-u nuk e ka.

Nuk e ka Kodin e Nderit ndërsa Statutin dhe Rregulloren e Punës e përditësojnë në bazë të nevojave politike. Është nevojë dhe kërkesë e politikës së tashme që pengjet e Hagës të cilësohen si kriminelë lufte dhe tradhtarë, ASHAK-u vetëm e ka detyrim ta noterizojë me shkronja të alfabetit latin por të mendësisë të alfabetit cirilik! Kur këta që, në vendet normale konsiderohen si ajka e trurit të një populli mendojnë kështu, nuk është aspak befasuese kur fundërrinat njerëzore, morale, kombëtare dhe të dështuar në politikë i konsiderojnë si kriminelë dhe tradhtarë, pa asnjë vendim të gjykatës së rregullt!

Kosova, ditë më parë e festoi 15-vjetorin e pavarësisë që, krahasuar me moshëm konsiderohet si pavarësi adoleshente. Së paku deri t’i mbushë 18 vjet. Me propozimin franko-gjerman, Kosova do ta humbë edhe atë pak pavarësi, integritet territorial dhe sovranitet që e ka pasur, pas, në variantin më të mirë prej 10 vjetësh, Kosova, përveç integrimit tregtar që e ka tani, do të përafrohet aq shumë me Serbinë ku nuk do të duket fare kufiri midis dy shteteve. Do të krijohet një bashkëdyzim federal apo konfederal sipas parimit: “merre ose lëre”. Ne, zakonisht refuzojmë me fjalë por pranojmë në vepra, fjalët babush, me punë dhe vendosmëri askush.

Krerët e Kosovës, urrejtës të mëdhenj të pengjeve që po mbahen në Hagë, në ditën e shënimit (unë nuk shoh arsye për të festuar) të përvjetorit të Pavarësisë, duke bërë përpjekje ta mëshehin të kaluarën e tyre, në disa raste jokombëtare, nuk përmendën fare asnjërin nga ta, pa kontributin e të cilëve nuk do të kishte fare pavarësi, pa kontributin e të cilëve prapanica e madhe e tyre (shkaku i frikës) as që do të ulej në karriket që i kanë duke ikur si djalli nga temjani nga pamja kur Hashim Thaçi e lexon Deklaratën e Pavarësisë, kur Rexhep Selimi ishte pjesë e ekipit që e lexuan Deklaratën e daljes publike në skenë të UÇK-së, nga pamjet e veprimtarisë së Jakup Krasniqit dhe Kadri Veselit.

Po sillen si të pashpresit në shkretëtirë kur në mungesë të ujit iu shfaqet fatamorgana, parajsë imagjinare me ujë dhe të gjitha të mirat. Urrejtja ndaj tyre është vazhdimësi e urrejtjes ndaj Bacës Adem Demaçi, ndaj Komandantit Legjendar Adem Jashari, ndaj Rexhep Malës, ndaj Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit dhe heronjve të tjerë ndërsa idolatria ndaj Ibrahim Rugovës është e rreme dhe për qëllime të politikës ditore. E përqeshnin më parë Adem Jasharin si person jourban dhe thonin se i tërë fshati ishte në telashe me te sikur që thonin më parë për Azem Bejtën dhe Tahir Mehën. Të poshtër janë dhe pikë!