RCCOLA

A është Vetëvendosje! alternativë?

/ 14 minuta lexim
KKVITI

Vetëvendosje! deri tani ka qenë i vetmi subjekt politik në Kosovë që e ka kundërshtuar fuqishëm qeverisjen kriminale në Kosovë, të udhëhequr nga kryeministri Hashim Thaçi, e të mbështetur nga prania civile e ushtarake ndërkombëtare në Kosovë. Vetëvendosje! është subjekti i parë politik opozitar në Kosovë, pa të cilin shumë çështje në Kosovë do të kalonin jo vetëm pa u debatuar, por edhe pa u përmend kund. Vetëvendosje është subjekti i parë politik opozitar në Kosovë, pa të cilin shumë çështje në Kosovë do të kalonin jo vetëm pa u debatuar, por edhe pa u përmend kund, ka thënë analisti Shkelzen Gashi në një intervistë për Observatorio Balcani e Caucaso.

Mirëpo, Vetëvendosje!, ndonëse e synon ardhjen në pushtet, madje me çdo kusht, deri tani s’i ka identifikuar në mënyrë të plotë e të saktë problemet që ka Kosova në çdo fushë (shëndetësi, arsim, ekonomi, e kështu me radhë), e për rrjedhojë as nuk ka dhënë deri tani alternativë për zgjidhjen e tyre. Përveç kësaj, Vetëvendosje!-s i mungon edhe ekipi që do ta zbatonte projektin e mundshëm alternativ për ndryshimin e gjendjes së rëndë në Kosovë.

Mbi të gjitha, afria e Vetëvendosje!-s me persona që deri dje janë angazhuar për qëllime të kundërta me ato të Vetëvendosje!-s (kryesisht sa i takon propozimit të Martti Ahtisaarit; misioneve ndërkombëtare në Kosovë; bashkimit Kosovë-Shqipëri; privatizimit të ndërmarrjeve publike; e kështu me radhë) ose me persona që kanë qenë të lidhur me partinë e kryeministrit Thaçi, e sot janë bërë me Vetëvendosje!-n për shkak se nuk kanë arritë me u futë në rrethin e bandës së kryeministrit dhe, mbi të gjitha, amnestimi që Vetëvendosje! u bën disa personave me të kaluar kriminale brenda partisë së kryeministrit, veç pse ata janë në konflikt me kryeministrin, më shtyjnë të dyshoj se po erdhi në pushtet, Vetëvendosje! mund t’i ngjajë shumë partisë së kryeministrit Thaçi.

Thua se VV nuk ka ekipin e nevojshëm për të bërë ndryshimin, pra nga se përbëhen radhët e VV-së? Çfarë shtresash e mbështesin? Në përgjithësi thuhet se përfshin edhe elitën e re kosovare të shkolluar jashtë.

Në Vetëvendosje! është inkuadruar një pjesë shumë e vogël e elitës së re kosovare të shkolluar jashtë, kryesisht persona që dështuan në zgjedhjet e fundit qendrore në Kosovë me partinë Fryme e Re (FER) dhe që me inkuadrimin në Vetëvendosje! shkelen shumë prej parimeve që i kishin proklamuar më herët.

Sa efektiv është opozicioni që bën Vetëvendosje! në Kosovë? Sa funksionon ai? Ka ndonjë rast ku ka funksionuar? Si reagon pushteti ndaj VV-së?

Jam plotësisht dakord me shpjegimin që ka dhënë Kryetari i Vetëvendosje!-s sa i përket opozicionit të Vetëvendosje!-s: «nuk e kemi ndalë të keqen, por e kemi ngadalësuar ndodhjen e saj». Është e vërtetë se Vetëvendosje! deri më tani nuk e ka fituar asnjë betejë.

Ndërsa, sa i takon reagimit të pushtetit ndaj Vetëvendosje!-s, ai është brutal për arsye se Vetëvendosje!, përveçqë e lakuriqon kriminalitetin e pushtetit, edhe është subjekti i vetëm politik që e rrezikon elektoratin e partisë së kryeministrit Thaçi, e sidomos elektoratin që është në favor të bashkimit Kosovë-Shqipëri.

Sa seriozisht e merr Vetëvendosje! bashkimin e Kosovës me Shqipërinë?

Qysh në fillim duhet thënë se Vetëvendosje! e ka ndryshuar programin e vet nga vetëvendosje territoriale (pavarësi për Kosovën) në vetëvendosje etnike (bashkim Kosovë-Shqipëri), vetëm pas shpalljes së të ashtuquajturës Deklaratë e Pavarësisë nga ana e Kuvendit të Kosovës më 17 shkurt 2008. Megjithëkëtë, Vetëvendosje! është formacioni i parë dhe i vetëm politik në Kosovë që ka ofruar argumente të forta se pse duhet bërë bashkimi Kosovë-Shqipëri.

Por, deri më sot Vetëvendosje! nuk e ka shpjeguar se si duhet bërë ky bashkim, edhe pse në programin e saj të shkurtë për zgjedhjet qendrore në Kosovë, të mbajtura së fundi në dhjetor të vitit 2010, thuhet se Kosova duhet t’i bashkohet Shqipërisë, pra t’i bashkohet Shqipërisë, e jo të bashkohet me Shqipërinë. Përshtypja ime është se në thelb Vetëvendosje! angazhohet që Kosova të aneksohet nga Shqipëria.

Vetëvendosje! i kritikon ashpër udhëheqësit e UÇK-së, tani të transferuar në PDK, që e kanë ndryshuar programin e vet nga vetëvendosje etnike (bashkim i Kosovës me Shqipërinë) në vetëvendosje territoriale (pavarësi për Kosovën), por kam frikë se e njëjta gjë mund të ndodhë edhe më Vetëvendosje!-n.

Udhëheqësit e Vetëvendosje!-s i akuzonin liderët e UÇK-së se e kanë shkelë betimin e ushtarit të UÇK-së, që mes tjerash thoshte «…do të luftojë për çlirimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë dhe bashkimin e tyre», por, në anën tjetër, pikërisht udhëheqësit e Vetëvendosje!-s që dikur deklaronin se nuk bëhen assesi pjesë e institucioneve, përveç që janë bërë pjesë e tyre, edhe janë betuar se do të angazhohen në «…mbrojtjen dhe respektimin e kushtetutshmërisë, të ligjshmërisë dhe integritetit institucional të Kosovës». Siç e dimë, kushtetutshmëria dhe ligjshmëria ngërthejnë në vete propozimin e Martti Ahtisaarit, të cilin Vetëvendosje! e kundërshton fuqishëm.

Ju çfarë mendoni për idenë e bashkimit Kosovë-Shqipëri?

Nuk jam kundër kësaj ideje, por vetëm me kushtin që Kosova dhe Shqipëria të bashkohen si dy entitete pak a shumë të barabarta. Kjo do të sillte përfitime për të dy palët dhe jo vetëm në fushën e ekonomisë, por edhe atë të sigurisë – Kosova mund të rrezikohet nga Serbia, kurse Shqipëria nga Greqia. Ndonëse, duhet potencuar se prej vitit 1912 e deri sot, politikanët kryesorë të Shqipërisë, pra prej Ismail Qemailit e deri te Sali Berisha, gjithmonë e kanë tradhtuar Kosovën. Përndryshe, jam kundër aneksimit të Kosovës nga Shqipëria sepse më mirë Kosova e pavarur sesa e aneksuar nga Shqipëria. Se sa i pavaforshëm është për ne aneksimi i Kosovës nga Shqipëria, e vërejmë më së miri në fushën e televizioneve, por sidomos në fushën e librit, ku rreth 80% e librit shqip në Kosovë vjen nga Shqipëria dhe vetëm rreth 20% është «prodhim vendor».

Kur thua marrëdhënien vertikale Shqipëri-Kosovë e vërejmë tek tregu i televizioneve të Tiranës që dominojnë dhe tek librat e Tiranës në Kosovë. Çfarë do të thuash? Veçanërisht çfarë ndodh me televizionet? Cilat janë disavantazhet e këtij fenomeni?

Televizionet e Shqipërisë mund të ndiqen dhe ndiqen shumë në Kosovë, por nuk është e njëjta situatë edhe me televizionet e Kosovës në Shqipëri. Kjo po ndikon që të bie shikueshmëria e televizioneve kosovare në Kosovë dhe për rrjedhojë, në një të ardhme të afërt, nëse vazhdon ky trend, kjo ka për të ndikuar në rënien e reklamave në televizionet e Kosovës, e kjo do të thotë edhe në rënien e mëtutjeshme të cilësisë, që edhe ashtu është skandaloze. Situatë e njëjtë është edhe me librin sepse libri që botohet në Kosovë depërton tmerrësisht pak në Shqipëri, ndërkohë që libri që botohet në Shqipëri e ka pushtuar tregun në Kosovë.

Sa funksionon në Kosovë premtimi për t’u bashkuar me Shqipërinë? E mbështesin kosovarët këtë alternativë? Dmth, tërheq Vetëvendosje! militantë me këtë pozicion?

Elektorati pro bashkimit Kosovë-Shqipëri nuk është i madh në numër, por është shumë energjik dhe i gatshëm për sakrifica sepse janë kryesisht ish të burgosur politik dhe ish luftëtarë të UÇK-së.

Vetëvendosje! kundër negociatave me Serbinë? Nëse Vetëvendosje! synon pushtetin përse kaq dogmatike? Si e komentoni këtë qëndrim? Ka Vetëvendosje! një alternativë tjetër për marrëdhëniet me Serbinë dhe zgjidhjen e situatës aktuale?

Uji Dea

Vetëvendosje! ka vënë disa kushte për negociata me Serbinë: 1. Serbia ta pranojë pavarësinë e Kosovës dhe ta heqë nga Kushtetuta e saj se Kosova është pjesë e Serbisë; 2. Serbia të japë informacione dhe të na i kthejë 1,750 të pagjeturit; 3. Serbia të na i dorëzojë kriminelët serbë të luftës për krimet që i kanë bërë në Kosovë, me ç’rast i kemi 12,000 civilë të vrarë; 4. Serbia duhet të kërkoj falje, të dëmshpërblej, të kthejë fondin e pensioneve, depozitat bankare, artefaktet kulturore, regjistrat civilë dhe dokumentacionin kadastral; dhe 5. Serbia të pushojë së financuari strukturat paralele dhe ilegale të saj dhe t’i shpërbëjë ato.

Më duket se kushtet e VV-së janë qëllimisht të vështira për Serbinë, në mënyrë që të mos ketë negociata. Mirëpo, nuk arrij ta kuptoj si mund t’i zgjidhim problemet me Serbinë, nëse jo nëpërmjet negociatave. Sikur të pranoheshin nga Serbia kushtet që po i cakton VV-ja, nuk do të kishim fare nevojë për negociata. Kjo do të ishte ideale. Mirëpo meqenëse Serbia s’i pranon këto kushte, duhet të negociojmë që t’i zgjidhim problemet që kemi. Jo pse këtë e kërkon bashkësia ndërkombëtare, por sepse është edhe në interesin tonë. Serbia ka refuzuar kushte nën kërcënimin e bombardimeve të NATO-s ndonëse kanë qenë larg më të favorshme për të, e s’po i refuzon këto, kur dihet Kosova nuk ka asnjë mundësi të ushtrojë trysni mbi të.

Sidoqoftë, problemin më të madh për Kosovën në këto negociata e shoh te Kryeministri i Kosovës, jo veç për shkak të mungesës së tmerrshme të përgatitjes së tij, por edhe për arsye se mbi të mund të ngrihen akuza për krime lufte, përfshi ngarkimin për trafikim organesh, e edhe për pasurim të paligjshëm. Kjo mund të ndikojë që ndaj tij të ushtrohet shantazh dhe rrjedhimisht që fundi i negociatave të jetë tmerrësisht i pafavorshëm për Kosovën.

VV pjesërisht ruan ende një estetikë veprimesh si pjesë e shoqërisë civile? Perceptohet si e tillë në KS apo si parti?

Në pikëpamjen time Vetëvendosje! nuk ka qenë asnjëherë pjesë e shoqërisë civile meqë gjithmonë ka qenë lëvizje politike që e ka synuar pushtetin, fillimisht përmes revolucionit, kurse tash përmes zgjedhjeve, meqenëse mundësia për ta marrë pushtetin me revolucion nuk ka rezultuar e suksesshme.

Çfarë rëndësie ka shoqëria civile në Kosovë tani që VV është në Kuvendin e Kosovës? VV ka krijuar ndonjë model te te berit shoqëri civile?

Shoqëria civile në Kosovë është pothuajse inekzistente sepse siç e thotë filozofi polak Adam Michnik, në një vend ku ndërrohen emrat e rrugëve sa herë që ndërrohet pushteti, nuk mund të thuhet se ka shoqëri civile. Organizatat joqeveritare në Kosovë janë kryesisht grupe që kontrollohen nga partitë pozitare e opozitare, por edhe nga organizatat e institucionet e ndryshme ndërkombëtare që janë të pranishme në Kosovë. Natyrisht se ka përjashtime, por ato janë të rralla. E njëjta situatë është edhe me mediat, në mos më keq. Në Kosovë nuk ka asnjë medium të pavarur.

Për sa i përket shoqërisë civile, para dy javësh qytetarët kosovarë dolën në protestë kundër korrupsionit. Si e vlerësoni këtë fakt? Është diçka që të bën optimist, apo jo?

Mund të jetë që këto protesta kanë nisë me qëllim të mirë nga pjesëtarë të organizimeve të ndryshme, por ajo që më bën pesimist është përfshirja në to e njerëzve nga parti politike të lidhura me krimin; njerëzve të pasuruar në rrethana të paqarta, por edhe atyre që nuk kanë rezultuar të suksesshëm në politikë. Prandaj, kam frikë se këto protesta do të keqpërdoren, natyrisht nëse vazhdojnë, sepse në protestën e fundit kishte dukshëm më pak pjesëmarrës se në atë të parafundit.

Çfarë mendoni për Kosovo 2.0?

Krejt çka di për Kosovo 2.0 është iniciativa e dhjetorit e vitit 2012.

Çfarë mendoni për këtë iniciativë?

Gjendja e komunitetit LGBT në Kosovë është vërtetë shumë e rëndë, por mënyra se si Kosovo 2.0 ka tentuar t’i promovojë të drejtat e këtij komuniteti, duke provokuar – saktësisht sikur qysh e provokon shumëherë Vetëvendosje! Policinë e Kosovës – më shumë i ka sjellë përfitime Kosovo 2.0, sesa komunitetit në fjalë.

Mendoni se ndërkombëtarët që janë të pranishëm në Kosovë pas konfliktit të vitit 1999 kanë ndikuar në shoqërinë civile kosovare dhe median?
Kryesisht ndërkombëtarët janë ata që e kanë formësuar këtë «shoqëri civile» çfarë e kemi: në shërbim të grupacioneve politike pozitare e opozitare, por edhe të donatorëve ndërkombëtarë. Natyrisht se ka përjashtime, por ato janë të rralla.

Gjithashtu ju përmendni mediat, në Kosovë ka për shembull disa vjet që lëvrohet gazetaria hulumtuese. Për shembull, emisioni Jeta në Kosovë dhe stafi i BIRN-it që punojnë në Prishtinë. Si e vlerësoni këtë fenomen? Është efektiv? Sa efektiv?
Për mendimin tim, shembull shumë më i mirë i gazetarisë hulumtuese në Kosovë është Preportr, ndonëse funksionon me buxhet shumë modest, sesa BIRN, cilësia e prodhimeve të të cilit është në shpërputhje frapante me sasinë e donacioneve. Për më shumë, nuk mund të cilësohet profesional një institucion si BIRN, që ishte kryekreje në shërbim të ish ambasadorit të ShBA-ve në Kosovë, Christofer Dell, i cili ishte Despoti i Kosovës.

Do doja të flisnim për studimin tuaj në lidhje me librat e historisë nëpër shkolla. Çfarë thonë këto tekste, si e trajtojnë ato historinë?

Dallime të qarta dhe të shumta hetohen në qasjen e historiografisë shkollore të Sërbisë dhe të Kosovës e Shqipërisë ndaj zhvillimeve në territorin e Kosovës, kryesisht sa i takon pronësisë ndaj territorit dhe prezentimit të krimeve të kryera nga palët në territorin e Kosovës. Në asnjërën prej teksteve të këtyre vendeve nuk prezantohen takimet, marrëveshjet e bashkëpunimet e përfaqësuesve politikë e ushtarakë të shqiptarëve me ata të sërbëve. Karakterisike kryesisht për tekstet e Kosovës janë hiperbolizimet e qëllimeve të organizimeve politike e ushtarake të shqiptarëve. Pika ku takohen historiografia shkollore e Shqipërisë dhe e Kosovës me atë të Serbisë është sa i takon prezantimit vetëm të krimeve të palës ‘tjetër’ dhe hiperbolizimit të tyre. Një pikë tjetër që i bashkon këto historiografi, kryesisht atë të Kosovës me atë të Serbisë, është gjuha me etiketa për palën ‘tjetër’. Nuk asnjë ngjarje që përshkruhet njësoj.

Ka ndonjë ndryshim pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës në këtë drejtim?
Jo. Asnjë.

Si mund të ndryshohet kjo situatë?

Për ta ndryshuar këtë situatë duhet vullnet në nivel politik, si në Kosovë e në Shqipëri, ashtu edhe në Serbi. Ma merr mendja se ndryshimi i teksteve shkollore të historisë mund të bëhet vetëm nëse vendoset si një prej parakushteve për këto tri vende për t’u integruar në strukturat e BE-së.