A është shteti urë?
Republika jonë: “me bregore bukuroshe e lumenj të kulluar, Çuka, kodra, brinja, gërxhe dhe pyje të gjelbëruar“! Naim Frashëri.
Por sot, kush po e shëmton Dardaninë tonë? Kush po e redukton në një urë?
A është Kosova vetëm një urë përmes së cilës flitet në gjithë botën?
Po të dëgjosh, gjithçka kthehet te një urë, sikur e gjithë vlera e shtetit tonë të ishte e përqendruar në këtë simbol të kufizuar.
Kosova nuk është vetëm një urë! Ajo ka shumë më tepër për të ofruar. Ajo përfaqëson një histori të pasur, një trashëgimi kulturore dhe një bukuri natyrore të pashoqe. Çfarë është kjo prirje për ta reduktuar një shtet të tërë në një strukturë fizike, në disa metra betoni e çeliku?
Këndej e përtej urës është Dardani! Për ata që nuk e kanë kuptuar!
Ky është një shëmtim intelektual dhe moral, një përpjekje për të zvogëluar vlerën e një shteti të tërë në diçka të ngushtë dhe të thjeshtë. Një shtet nuk mund të reduktohet në një urë, e aq më pak Dardania jonë, me gjithë historinë dhe përpjekjet që kemi bërë për ta ndërtuar si një vend të lirë, të pavarur dhe demokratik.
Pse nuk flasim për Dardaninë siç është me të vërtetë? Pse nuk përmenden sektorët më të rëndësishëm që duhen adresuar – arsimi, shëndetësia, ekonomia, migrimi masiv – dhe potenciali që kemi për zhvillim dhe përparim? Kosova është shumë më tepër se një urë konflikti, shumë më tepër se një territor kalimtar mes lindjes dhe perëndimit.
Kosova është një shtet me aspirata për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, një shtet laik, paqësor dhe shumë etnik. Kjo është Kosova jonë – jo një urë e thjeshtë, por një vend me potencial të madh për zhvillim, për të ardhmen e ndritur të të gjithë qytetarëve të saj.
Le të mos e shëmtojmë këtë vend të bekuar, por ta shohim dhe ta prezantojmë ashtu siç është: me dinjitet, me vlerë kjo bukuri e rrallë e të pashoqe./arben kurteshi/rajonipress/